Kankun, miliarda dollarë për klimën
Në Kankun të Meksikës, në takimin e organizuar për çështjet klimatike, është dalë me një përfundim pas shumë debatesh dhe diskutimesh.
Delegatët në samitin për klimën miratuan një plan për krijimin e një fondi global, nga i cili miliarda dollarë do t'u ofrohen vendeve të prekura më rëndë nga ndryshimet e klimës. I pagëzuar me emrin Fondi i Gjelbër për Klimën, deri në 2020-n ai do të mobilizojë dhe shpërndajë 100 miliardë dollarë në vit për t'u ardhur në ndihmë të vendeve më të varfra me nivel të ulët emetimi të gazit karbonik dhe për masa mbrojtëse kundër ndikimit të ngrohjes globale. Në plan përfshihen edhe masa për mbrojtjen e pyjeve tropikalë dhe shkëmbimin e teknologjive të së ashtuquajturës energji e pastër. Përparimi në Kankun u arrit pavarësisht kundërshtimit të Bolivisë, sipas së cilës angazhimi për uljen e emetimit të gazit karbonik nuk e kishte penguar rritjen e temperaturave globale deri në 5 gradë celsius. Një korrespondent i BBC-së për çështjet e mjedisit thotë se, nuk është e qartë se në ç'mënyrë do të shtohen premtimet e vendeve të ndryshme për uljen e emetimit, ndërsa shumë prej çështjeve më të mprehta ende nuk kanë gjetur zgjidhje.
Planet për mbrojtjen e klimës do të mbështeten nga një komitet i ri adaptimi që do të luajë rolin e mbështetësit për vendet e caktuara dhe për planet e mbrojtjes së klimës. Megjithatë, bëhet fjalë për një marrëveshje që është shumë më pak përfshirëse se ajo që shumë vende donin vjet, nga takimi i Kopenhagës dhe që vazhdojnë që të kërkojnë. Pyetja që del është, nëse masat që do të merren, përfshi reduktimin e emetimit të gazeve të dëmshëm, do të kenë efekt detyrues ndaj vendeve apo jo. Sipas shefit të negociatorëve amerikanë, marrëveshja aktuale është vetëm një fillim i mirë, dhe sigurisht nuk mund të jetë perfekte, por duhet përmirësuar.
Pala kineze ka bërë gjithashtu të njëjtën deklaratë, duke shtuar se negociatat e ardhshme do të jenë të vështira. Fondi i Gjelbër për Klimën fillimisht do të përdorë Bankën Botërore, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Japonisë dhe Bashkimit Europian, dhe më pas do t’i japin hapësirë krijimit të një organizimi të ri të balancuar mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim.