E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riçard Hollbruk në gjendje të rëndë shëndetësore

Negociatori

Riçard Hollbruk, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë në Afganistan dhe në Pakistan, është në një gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo është bërë e ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Hollbruk, 69 vjeç është çuar në spital të premten dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të ndrequr një problem me aortën e tij. E gjithë familja ka shkuar pranë tij për t’iu ndodhur pranë.

Hollbruk është i njohur më shumë për arritjen e Marrëveshjes së famshme të Dejtonit, në vitin 1995, që i dha fund edhe luftës së Bosnjes.

Presidenti Obama e emëroi Hollbruk si përfaqësuesin e tij të veçantë për Afganistanin dhe Pakistanin në janar të vitit 2009.  Nofka e tij është ”Bulldozer”, dhe i është vënë për shkak të aftësisë së veçantë diplomatike që ka për të negociuar edhe me liderët më të vështirë dhe për t’i bërë ata që të bien në një mendje me të dhe të nënshkruajnë marrëveshje. Ai është një nga diplomatët amerikanë që ka shërbyer në Vietnam dhe në Kombet e Bashkuara.

Pas suksesit që ai pati me negociatat e Dejtonit, u caktua si kandidat për çmimin ‘Nobel’. Në vitin 1997, Presidenti i atëhershëm, Klinton e caktoi si ambasador të Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ndërsa në rolin aktual të të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë në Pakistan dhe në Afganistan, ai është përballur shumë me Presidentin afgan, Karzai me të cilin ka pasur shumë konflikte. Pas zgjedhjeve presidenciale të korrikut të kaluar, Hollbruk është përballur, për parregullsitë e këtyre zgjedhjeve, me një president që jo gjithmonë ka qenë i sjellshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›