E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Franca, nje sfide speciale per mua

/* */

Lorik Cana, në mungesë të kapitenit zyrtar Altin Lala dhe të zëvendësit Ervin Skela, pritet të mbajë shiritin, ashtu siç bëri edhe në ballafaqimin e parë me francezët në “Qemal Stafa”. Për kosovarin bëhet fjalë një rikthim në një stadium të njohur për të, “Park de Prince”, ku ka luajtur katër finale të Kupës së Francës, në radhët e Paris Sën Zhermenit dhe Olimpikut të Marsejës. “Sigurisht, kundër Francës është një sfidë speciale për mua, pasi luaj në një vend ku jam rritur si futbollist dhe dhe si njeri, kam kaluar shumë vite të bukura”, - tha Cana.
 
 
Lorik, do të luani për herë të parë në Francë, pas tre vjetësh. Sa i emocionuar jeni?

Çdo ndeshje me ekipin Kombëtar ka shijen e saj të veçantë. Sigurisht, që për mua pas shumë viteve që kam luajtur në Francë (3 me PSG-në, 4 me Marsejën) kjo ndeshje ka emocionin e vet, është një sfidë speciale për mua. Do të luaj në një vend ku jam rritur si futbollist dhe si njeri. Është e veçantë për mua. Do të luaj një stadium ku kam zhvilluar 4 finale të Kupës së Francës *3 me PSG-në, 1 me Marsejën) dhe nga ana tjetër, familja ime jeton aty, por dhe kam miq të shumtë. Është një ndeshje e veçantë, një sfidë e bukur, të cilën do të mundohemi ta fitojmë. Nga ana tjetër duhet të shijojmë edhe momentin, sepse raste të tilla nuk janë të shumta për një futbollist.

Në këtë ndeshje do të mbani dhe shiritin e kapitenit, pra do të keni dyfish përgjegjësi. Gjithmonë keni drejtuar skuadra, si Olimpiku i Marsejës apo Sanderlendi, por kjo besoj se është shumë  veçantë për ju?
Qysh kur kam ardhur në ekipin Kombëtar, jam munduar të jem në dispozicion të përfaqësueses. Më ka ardhur keq që pas ndeshjes me Francën në Tiranë u përhapën disa zëra, sikur ka pasur polemika për çështjen e shiritit të kapitenit. Media luan një rol shumë të rëndësishëm, e sidomos kur bëhet fjalë për imazhin e ekipit Kombëtar. Megjithatë, unë mohoj gjithçka çfarë është thënë. Dua të konfirmoj se unë personalisht nuk kam pasur asnjë problem me askënd, që kur jam bërë pjesë e Kombëtares. Dua të theksoj se në këto 8-9 vite, ambient më pastër se grupi aktual nuk ka pasur. Kjo është merita e lojtarëve. Të paktën, kështu më rezulton dhe e them me bindje, se në Kombëtarja ka një harmoni të madhe. Kjo është meritë e lojtarëve dhe të gjithë stafit. Raportet mes lojtarëve janë të shkëlqyera dhe nëse flasim për shiritin, nuk ka nevojë për komente, pasi dihet që Lala është kapiten dhe Skela është zëvendës-kapiten. Kjo është normale. Altinin dhe Ervinin i kam si vëllezër. Kam marrëdhënie të veçanta me ta. Ndaj  mbajta unë shiritin ndaj Francës. Për mua është një nder i jashtëzakonshëm që edhe këtë ndeshje do të jem kapiten. Unë besoj se do ta mbaj gjatë shiritin, por sigurisht kjo është një ndeshje e veçantë, përgjegjësi dhe krenari e madhe për mua.

Në Kombëtare po vjen një brez i ri lojtarësh. Si do t’i vlerësonit?
Shpresoj të ketë sa më shumë që të afrohen. Kombëtarja ka nevojë për lojtarë me kualitet, pasi vetëm kështu rritet cilësia. Në këtë periudhë ka qenë shumë e vështirë për të gjetur elementë, të cilët mund të jepnin në Kombëtare. Sigurisht, duhet një punë shumë e madhe për të afruar lojtarë të rinj. Ndoshta ne si vend jemi penalizuar pak edhe nga ligjet e UEFA-s e FIFA-s, për ata shqiptarë që kanë luajtur me Kombëtaret e moshave të tjera dhe tashmë nuk kanë mundësi për të qenë pjesë e Shqipërisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›