E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana drejt Anglisë për bisedime

Çështja e transferimit të mesfushorit shqiptar të Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, po bëhet gjithnjë e më vështirë në këtë merkato verore.
Mediat franceze kanë dhënë lajmin se Cana ka nënshkruar me skuadrën gjermane të Volfsburgut, por mesa duket nuk ka pasur asnjë marrëveshje pasi mesfushori ka udhëtuar sot drejt Anglisë.Në Angli, Canën e kërkojnë katër klube, Liverpuli, Totenhemi, Evertoni dhe Arsenali, të cilat kanë nisur tratativat me mefushorin dhe menaxherin e tij. Me Arsenalin mundësia është një shkëmbim i mundshëm mes Canës dhe mbrojtësit francez Uillam Gallas, por së fundmi në diskutime ka hyrë dhe skuadra italiane e Interit, e cila e kërkon mbrojtësin francez.
Përsa i përket Liverpulit, Cana shihet nga trajneri Rafa Benitez si zëvendësuesi i Xabi Alonsos, i cili pritet të kalojë tek Real Madrid. Por edhe nëse Alonso mbetet në Angli, një tjetër spanjoll, mesfushori Arbeloa është pranë largimit dhe Cana shihet si një përforcim i mundshëm. Ndërkohë pista që e çon Lorik Canën drejt anglezëve të Totenhemit duket më e mundshmja, pasi oferta e tyre prej 10 milionë euro i afrohet më tepër kërkesës prej 12 milionë euro që ka bërë Marseja për mesfushorin shqiptar. Ndërkohë që për Canën kanë ardhur sinjale pozitive edhe nga vetë klubi i Marsejës, ku në deklaratën e tij të fundit trajneri Didier Deshamps ka pranuar se Cana është i nevojshëm për skuadrën dhe se nëse qëndron do të jetë sërish kapiten i Marsejës

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›