E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana në shënjestrën e Romës

Lorik Cana verdhekuq? Kapiteni aktual i Marsejës në Francë, shok skuadre me kapitenin e Romës, Françesko Totin, në Itali? Transferimi ka nisur të marrë formë ose më mirë janë dhënë sinjale të forta dhe të besueshme. Lajmi u bë publik në gazetën kryeqytetase “Il Romanista”. Sipas medias shumë të afërt me klubin e Luçiano Spaletit, menaxherët e Romës janë duke vëzhguar me kujdes mesfushorin difensiv të Olimpikut të Marsejës, të cilin dëshirojnë ta kenë sezonin e ardhshëm.
Kështu, në rast se në mediat italiane qarkulluan jo pak thashetheme për një kalim të mundshëm të sulmuesit shqiptar të Lacios, Igli Tares, gjatë merkatos dimërore, dhe sulmuesi Erion Bogdani refuzoi në orën e fundit të merkatos së vitit të kaluar ofertën e Rosela Sensit, Lorik Cana i ka të gjitha mundësitë që të bëhet lojtari i dytë shqiptar që do të luajë me Romën pas legjendës Naim Kryeziu, kampionit të madh shqiptar të viteve të paraluftës dhe trajnerit të vetëm shqiptar që ka drejtuar edhe pse për pak ndeshje një ekip italian, Romën.
Verdhekuqtë prej kohësh ishin vënë në kërkim të një mesfushori difensiv të nivelit ndërkombëtar dhe drejtuesit e Romës ëndërrojnë seriozisht Lorik Canën si një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos së verës së ardhshme. Sipas gazetës romane “Il Romanista”, kapiteni i Olimpikut të Marsejës është vëzhguar deri në detaje për shumë herë, qysh nga fillimi i vitit 2008. Të dërguarit e Romës për më tepër ishin të pranishëm në stadiumin “Velodrom” të dielën e kaluar për të asistuar në takimin e Kupës së Francës përballë Monakos.
Vetëm 24 vjeç, Italia mund të ishte etapa e ardhshme e karrierës së shqiptarit. E vetmja pengesë e momentit është dëshira e presidentit të Olimpikut të Marsejës, Pape Diouf, i cili dëshiron ta përjetësojë kapitenin shqiptar te Marseja, pasi dhe ekipi është ndërtuar rreth vlerave të Lorik Canës, ndërkohë që dhe vetë zëvendëskapiteni i Kombëtares shqiptare ka deklaruar gjithmonë se është i dashuruar përjetësisht me bluzën olimpikase.
Marseja, e cila kaloi mes 16 më të mirave në Kupën e Francës, pas humbjeve të dy finaleve në dy vitet e fundit, synon fitimin e saj. “Për Olimpikun e Marsejës, Kupa është shumë e rëndësishme. Ne nuk mund të kujtojmë vetëm dy dështimet. Do të luajmë në këtë kompeticion për të fituar”, - tha Lorik Cana për mediat franceze.
Marseja, që mban edhe rekordin e kupave të fituara (10 të tilla), nuk fiton që prej vitit 1989. Vitin e kaluar u mund në finale nga Sosho dhe në vitin 2006 nga Paris Sën Zhërmeni, ish-ekipi i Lorik Canës, me të cilin shqiptari ka fituar edhe Kupën e Francës në vitin 2004.

Gerets: “Cana, i rëndësishëm”

Trajneri i Olimpikut të Marsejës, Erik Gerets, e vlerëson shumë kontributin e kapitenit të tij. “Është shumë i rëndësishëm për ekipin pasi është kapiteni. Ai jep shembullin e sjelljes prej një profesionisti, është shumë kërkues për veten dhe është shumë i rëndësishëm për mua”, - thotë trajneri Gerets gjatë një interviste për faqen sportive franceze opiom.net.

Loriku për A. Han: “Do të sjellë një koncept të ri”

“Mendoj se Ari Han do të sjellë një koncept të ri në skuadrën tonë, çka do të na mundësojë të ecim më përpara. Holandezët aplikojnë futbollin e bukur e sulmues dhe skuadra jonë i ka mundësitë të bëjë lojëra të tilla. Uroj që me të të rritemi profesionalisht, por sidomos në rezultate. Unë personalisht mezi po pres të luaj përsëri me Kombëtaren. Duam që ta përmirësojmë atë imazh që na u prish pas dy humbjeve të rënda që pësuam në eliminatoret e kaluara”, - tha Cana gjatë një interviste të disa ditëve më parë.

25 milionë euro

Lorik Cana është nënkampion me Olimpikun e Marsejës në Francë, finalist i Kupës së Francës, lojtari shqiptar me vlerën më të shtrenjtë në tregun futbollistik (10 milionë euro) dhe gëzon kontratë të majme me skuadrën më të dashur për francezët, rreth 180 mijë euro pagë mujore. Kur në dhjetorin e vitit të kaluar u fol për një transferim të mundshëm të tij te Arsenali, presidenti i Marsejës, Pape Diuf, deklaroi se nuk do ta shiste lojtarin nën shifrën 25 milionë euro.

Tare-Bogdani

Mediat italiane qarkulluan jo pak lajme për një kalim të mundshëm të sulmuesit shqiptar të Lacios, Igli Tares, gjatë merkatos dimërore të këtij viti. Sulmuesi Erion Bogdani refuzoi në orën e fundit të merkatos së vitit të kaluar ofertën e Rosela Sensit dhe pse iu ofrua një pagë prej 750 mijë euro.

Klubet

ARSENALI – Dashuria e parë e Canës jashtë Francës, një dashuri që lindi kur shqiptari përgatitej si futbollist në Akademinë e Lozanës në Zvicër. Të besuarit e Arsen Vengerit nuhatën te ai, atëherë 16 vjeç, lojtarin me të ardhme. Pamundësia për të siguruar letrat legale të transferimit në ishullin britanik anuloi testimin e Lorikut pranë skuadrës së “Topçinjve”.
Arsen Venger u interesua personalisht për talentin shqiptar, por menaxheri i tij, Agim Cana, kërkoi një pagë mujore prej 200 mijë eurosh.

BAJERNI I MUNIHUT – Te rekordmenët e Gjermanisë, francezët kanë qenë të pranishëm gjithmonë. Transferimi i fundit nga Marseja te Bajerni i përket Frenk Riberisë, një nga miqtë më të mirë të Lorikut kur ylli i Kombëtares franceze luante te Marseja.
Lidhjet funksionojnë në nivel të lartë midis dy klubeve dhe politika e re financiare e skuadrës bavaraze e bën të besueshëm transferimin e Canës në Gjermani, vendi ku dashuria për shqiptarët është gjithmonë në rritje.

ÇELSI - Loriku e di se ndiqet prej kohësh prej klubit në pronësi të miliarderit rus Roman Abramoviç dhe dha maksimumin e tij në ndeshjen Liverpul-Marsejë për Ligën e Kampioneve, duke bllokuar kapitenin kundërshtar Stivën Xherard. Kundër Liverpulit, Cana udhëhoqi skuadrën e tij në një fitore spektakolare 1-0 (gol i Valbuenës në të 77’me një gjuajtje të lirë), por që erdhi si pasojë e një faulli të fituar nga Loriku. Kampionati anglez përbën edhe preferencën e mesfushorit shqiptar.

MILANI – Kampioni në fuqi i Europës është skuadra që kërkon një zëvendësues të denjë të shkatërruesit Xhenaro Gatuzo. Motori dhe grinta e kombëtares “axurre” është dhe një nga armët më të forta të skuadrës së Ançelotit. Loriku ka të gjitha karakteristikat fizike dhe temperament të ngjashëm me italianin. Në forumet e faqeve franceze, por dhe ato italiane në internet, Gatuzo-Cana konsiderohen si dy binjakë. Gjatë intervistave të shumta të tij, Cana ka folur me entuziazëm për pistën milaneze.

REALI I MADRIDIT - Klubi spanjoll e ka pasur shpeshherë në vëmendje zëvendëskapitenin e Shqipërisë dhe Loriku e ka shprehur jo pak herë se e dëshiron një kalim te 30-herë kampionët e Primera Divizion, por edhe pse është vëzhguar në disa ndeshje kur Cana luante me Paris Sën Zhermenin dhe tani me Olimpikun e Marsejës prej gjigantëve të “Shtëpisë së bardhë” nuk mbërriti kurrë një faks zyrtar në zyrat e Marsejës.

MANÇESTER JUNAITID – Kujtimet e bukura të Fergusonit për francezin Erik Kantona janë gjithmonë në mendjen e tij dhe një shkatërrues si Lorik Cana (i rritur dhe edukuar në atdheun e “gjelave”) do të ishte i dobishëm për Mançester Junaitid. Klubi në pronësi të miliarderëve amerikanë (familja Glejzër) do të investonte shuma të kënaqshme për të siguruar shërbimet e pjesës më të çmuar të skuadrës së Marsejës.

Klubet që kanë ndjekur Canën

Arsenali
Bajerni i Munihut
Çelsi
Milani
Reali i Madridit
Mançester Junaitid
Juventusi
Roma

Skeda

Lorik Cana
Datëlindja: 27.07.1983
Vendlindja: Gjakovë
Gjatësia: 186 cm
Pesha: 86 kg
Roli: Mesfushor
Kombësia: Shqiptare
Nënshtesia: Shqiptare, franceze dhe zvicerane

Karriera
- Lausanne Sports
- Paris Saint-Germain (2000-2005)
- Olimpik i Marsejës (nga 2005-2012)
Arritjet
- Fitues i Kupës së Francës me Paris SG,2004
- Nënkampion i Francës, PSG (2004), OM (2007)
- Finalist i Kupës së Francës me O.Marsejës në vitin 2006 dhe 2007
- Top-11 i kampionatit francez 2006-2007
- Liga e Kampioneve, 2004-2005, 2007-2008

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›