Lorkowski: Shqipëria progres në adresimin e çështjeve të klimës dhe energjisë

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku u prezantua Raporti Vjetor i Sekretariatit të Energjisë për Implementimin, për Shqipërinë për vitin 2024.
I ftuar ishte Artur Lorkowski Kryetar i Sekretariatit të Energjisë.
Kryetari i komisionit Arben Pëllumbi, nga ana e tij vlerësoi se Shqipëria ka bërë një punë të mirë në këtë aspekt, gjë e cila pasqyrohet edhe në këtë raport. “Çështjet e energjisë dhe të klimës për BE ngelen esenciale, dhe për rrjedhojë do të ngelen të tilla edhe për ne”, theksoi Pëllumbi.
Lorkowski gjatë prezantimit të raportit u shpreh se, Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në raportimin e klimës dhe energjisë.
Po ashtu, ai u ndal edhe tek nevoja për miratimin e legjislacionit të nevojshëm në drejtim të përdorimit të biokarburanteve.
“Kjo do të kërkonte gjithashtu zhvillim të legjislacionit të duhur kur bëhet fjalë për standardet mjedisore për biokarburantet, biomasën, në mënyrë që të mund të futni më shumë biokarburante dhe biomasë në përzierjen tuaj energjetike, ndërsa në të njëjtën kohë po mbroni mjedisin dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që po ofrohet kjo qasje e balancuar”, vuri në dukje Lorkowski.
Nga ana tjetër, Shqipëria do të duhet të miratojë paketa ligjore shtesë, në kuadër të angazhimit si anëtare e Komunitetit të Energjisë.
Kryetari i komisionit Pëllumbi, pas prezantimit të raportit, falenderoi Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Lorkowski për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështje kaq të rëndësishme.
1 nga 4