Lotët me rubinet dhe arsenali i tij nga Libri II, kapitulli i dytë
Historia e vezirit të tmerrshëm (nga "Historia e ringjalljes së Greqisë"), shqip prej A. Klosit
Portreti 4: Karakteri
Mjaftoi takimi im i parë me Ali pashën që të më davaritej një pjesë e mirë nga iluzionet që më kishin mëkuar të tjerë.
Ai nuk ishte as Teze dhe as Pirro, madje as ndonjë luftëtar i vjetër mbuluar nga plagët dhe vrajet; raportet e mia të përditshme më dhanë dorë që të zbuloj prapa pozës së tij morale portretin (që e ruaj siç e kam shkruar atëherë) e njërit prej atyre tiranëve që janë prerë të hyjnë në analet e shtypësve më të mëdhenj të botës.
Kur mbërrita unë si konsull i përgjithshëm në Janinë, ai kishte kapur të shtatëdhjetë e dy vjetët; portreti i tij mbante në këtë moshë vulën e një plakjeje të parakohshme, rrjedhojë e vrullit të pasioneve, ku ambicia përbënte shtysën kryesore.
Nuk m'u desh shumë kohë që të pikasja nën maskën e një ëmbëlsie të shtirur dyshimin dhe paqetësinë e rëndomtë ndër njerëz që janë ngjitur përpjetë shkallëve të pushtetit në Orient.
Kurrë nuk u shfrynte të vetëve, gjithmonë si në skenë e me sytë katër ngaqë mendonte se, kush i afrohej, o e vëzhgonte pa pushim o i sillte ndonjë rrezik; besimi ishte zhdukur deri edhe nga bisedat familjare. Ledhatar me ata që donte t'i mashtronte, fodull me vartësit; kalimi i rrufeshëm nga arroganca te mënyrat e ëmbla i kishte lënë fizionomisë së tij diçka dyfaqëshe që s'i bënte kurrë vend asaj qetësisë së zakonshme që e ndesh te muhamedanët dinakë dhe enigmatikë.
Nga ana tjetër, njësoj si ata, kur ndodhte që të bëhej bujar dhe liberal, kjo vetëm pse kishte ndonjë interes; ndërsa kur merrte dhurata asnjëherë s'ishte mirënjohës, meqë mendonte se i bënin peshqeshe nga ndonjë interes i fshehur. Zhbirrues i kujdesshëm, pyetjet i kishte gjithmonë tinzare, kurse përgjigjet gjithë gjallëri dhe kurdoherë false, sadoqë në dukje të çiltra.
Pretekstet i gatuante fët e fët, shkakun e vërtetë që e vinte në lëvizje e mbante fshehur. Këndej buronin edhe premtimet dhe berat e rreme, bashkë me helmin e mbuluar nën tisin e ëndshëm të bisedave të tij, madje edhe lotët që i kishte si me rubinet, sa herë ia lypte arritja e qëllimit.
Ashtu siç nuk i përgjigjet ky karakter, pra karakteri i një njeriu të egër fals, emrit zulmëmadh të Ali pashës, po ashtu më duket se nuk justifikohet tërësisht rëndësia që kanë dashur t'i japin, kur pandehnin se mund të merrte në dorë edhe krejt perandorinë, ose të dilte i pavarur.
Nguti i madh kur braktisi rrethinat e Filipopolisit, në një kohë kur mund të luftonte kundër sulltanit, dëshmoi se asnjëherë nuk i ka shestuar ato plane të mëdha që i mveshin, por thjesht rrugët e pasurimit përmes plaçkitjeve, duke u kapur fort pas trojeve ku kishte lindur.
E dinte, sikurse çdo vezir tjetër, se turqit shpesh i kanë lyer duart me gjakun e sulltanëve të tyre, veçse mbretvrasësit kurrë s'e kanë shkuar nëpër mend që të ndryshojnë dinastinë, një dinasti së cilës ia falnin po aq marrisht kokën saç edhe këpusnin kokat e princëve të saj. Nuk ka pra asnjë shteg lufte kundër fronit, se, që të hipësh atje, duhet të kesh gjak Sulltani.
Edhe Aliu, i palëkundur në parimin që në familjen otomane trashëgimia s'lëviz, kurrë nuk mendoi të ndryshojë formën e qeverisjes. E akuzojnë për tradhti, dhe ai vërtet bënte gjëra të ngjashme kur kurdiste intriga me ndonjë përfaqësues të huaj, por ato më tepër diktoheshin nga një ndjenjë shqetësimi që e shtynte t'i bënte sytë katër në mbrojtje të vetvetes sesa nga dëshira për të përçarë unitetin e Turqisë.
Ndaj edhe Divani vetë kishte ide të rrejshme lidhur me synimet e vërteta të vezirit, i cili, nën shembullin e Xhezarit, të Pasvend Oglusë dhe mjaft rebelëve të tjerë, haraçet e veta i paguante një më një, ndërkohë që hiqej sikur rronte sipas pikëpamjeve të tij individuale.
Të tilla parime natyrisht që nuk janë fort në mbrojtje të çështjes publike; mënjanë ishin, në çrregullimet e tyre, më patriotë sesa vasalët e vjetër të kurorës tek ne, më anë tjetër as Aliu as satrapët e tjerë të Turqisë kurrë nuk kanë thirrur në ndihmë fuqitë e huaja për të copëtuar shtetin.
Qëllimi i vezirit të Janinës ishte që, duke nxitur trazira, të ndërhynte e të fuqizohej me rritjen e thesarit, por sa për kurorën, edhe po të ishte i sigurt se mund ta fuste në dorë, ajo kurrë nuk do ta kandiste që të zhvendosej përtej Pindit. Ishte në një kohë më të vonë, kur ndodhej në gjendje të dëshpëruar, që arriti të trondiste Perandorinë otomane nga themelet.
Nga zemra e maleve të veta, thosha atëherë, nga fundi i strofullës së tij, një arsenal i vërtetë krimesh, ai dirigjonte intrigat dhe i frynte nga larg zjarrit të përçarjes. Ishte tërësisht i thithur në një vorbull aktiviteti; nakatoste punët me qejfet; ndërsa jepte projektin për një kështjellë, po aty urdhëronte edhe që të digjej një fshat.
Tek i lexonin një ferman, rregullonte çështjet e shpenzimeve me kryeadministratorin e vet; nënshkruante njëkohësisht një dënim me vdekje dhe një lidhje kurore; dhe me çfarëdolloj gjëje të mirrej, shtysa kryesore ishte lakmia. Mbisundonte, si metodë, interesi i çastit mbi interesin më të madh të së ardhmes.
Ndalej mu në mes të një çështjeje me shumë rëndësi për t'u marrë me imtësira nga më të voglat; zinte një mijë punë dhe nuk çonte në fund asnjë; sepse, ngaqë nuk ndëshkohej kurrë e për asgjë, kishte mundësi t'u rikthehej të gjitha vendimeve.
Me veshët ngrehur për çdo lloj thashethemi në popull, ishte i etur për lajme, të sakta a të rreme, që thitheshin të gjitha pa u shoshitur. Mbante spiunë në kryeqytet, paguante njerëz në Divan, i lidhte pension deri edhe shefit të eunukëve, në mënyrë që të ishte i pranishëm në intrigat e sarajit; te fqinjët ka përfaqësues, simahorë të paguar, gjithmonë gati për të goditur; ndërsa vendi i vet mbikëqyret nga një rrjet i tërë paditësish dhe vrasësish.