Denoncohen për rrëmbim personi, nën hetim dy vetë
TIRANE
Dy persona janë marrë nën hetim nga policia e komisariatit nr.6, në Kombinat, pas një denoncimi të ardhur në adresë të tyre, për pengmarrje dhe vetëgjyqësi. Krisitian Muca 38 vjeç, dhe Sokol Preni, 31 vjeç, janë identifikuar nga specialistët e hetimit të krimeve të komisariatit nr.6, në kryeqytet, si persona të dyshuar në lidhje me kallëzimin e Olsi Zenelit, 34 vjeç se këta dy persona e kishin marrë peng me armë.
Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit se ndaj personave të mësipërm ka nisur hetimi në gjendje të lirë me akuzat e vetëgjyqësisë dhe të rrëmbimit të personit. Sipas burimeve të policies, ngjarja është denoncuar nga Zeneli, disa ditë më parë, ndërsa dje ata kanë identifikuar personat e dyshuar të ngjarjes.
Këta të fundit janë shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.6, ku edhe janë marrë në pyetje për pretendimin e Zenelit dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Gjatë deklarimeve të tyre përpara oficerëve të krimeve, të denoncuarit kanë pretenduar të kundërtën e pretendimit të Zenelit, duke mohuar që të kishin kryer veprime të tilla.
Dyshimet e policisë në lidhje me këtë ngjarje janë drejtuar mbi një histori që lidhet me një shumë parash, që dyshohet se mund të jenë marrë borxh apo për një pikë bastesh. Pavarësisht se ende ngjarja duket e mjegullt, policia ka dërguar për hetim në prokurorinë e Tiranës dy të denoncuarit.