Loti 4 i Unazës së Madhe, Rama: Realizohen rreth 60% e punimeve

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Në kantierin e Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës po vijon puna pa ndërprerje dhe deri tani kanë përfunduar 60% e punimeve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kantier punimesh, ku po vijohet me ndërtimin e rrugëve dytësore pjesë e këtij loti, si dhe të viaduktit me gjatësi 420 metra.
Në Unazën e madhe po punohet në disa segmente, në pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja”, te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri, në Shkozë.
Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.
Më herët, ministrja Balluku ka sqaruar se Loti 4, “është një lot shumë kompleks pasi këtu kemi ndërtimin e një viadukti rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin tre. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës, jemi në një zonë shumë të banuar, një zonë ku kemi pasur ndërtime ilegale të cilat na është dashur që ashtu siç bëjmë ne gjithmonë në bashkëpunim me qytetarët, pavarësisht se këto prona janë të palegalizuara, përmes marrëveshjeve që janë bërë, përmes një diskutimi të gjerë me komunitetin kemi arritur t’i japim zgjidhje.”
Loti 4 i Unazës së Madhe të Tiranës që kalon në zonën e Shkozës, mbetet një nga segmentet tepër të rëndësishme të këtij projekti infrastrukturor të kryeqytetit.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.
/m.m/r.e/