Meta: Komisioni i posaçëm antikorrupsion legjitimon kontrollin absolut të mazhorancës

TIRANË, 31 maj/ATSH-Maela Marini/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot lidhur me krijimin e komisionit të posaçëm antikorrupsion, ndërsa u shpreh se komisioni legjitimon kontrollin absolut të mazhorancës.
Gjatë një konference për shtyp, Meta tha se “kryeministri Edi Rama i ka pasur gjithmonë në dorë instrumentet për të luftuar korrupsionin, por nuk e ka bërë një gjë të tillë”.
“Të marrësh pjesë në një komision që legjitimon Rama-formën e cila shkatërroi reformën pasi uzurpoi të gjithë institucionet e reja të drejtësisë në mënyrën më antikushtetuese, që nga zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota, nga 84 që ka Kushtetuta, apo nga betimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te Lana. Kemi afirmimin e gjithë këtyre gjykatësve me 3-4 emra që po përdoren për të mbajtur të izoluar politikisht liderin e PD-së, Sali Berisha”, tha ai.
Meta tha se “të kalosh tani nga Komisioni i reformës që ishte 5 me 5 për të garantuar një pavarësi tek komisioni i Ramës për të legjitimuar Rama-formën me kontroll absolut të mazhorancës është gjëja më e turpshme dhe skandaloze”.
“Askush nuk e ka penguar Ramën të luftojë korrupsionin, përkundrazi o i ka pasur ai instrumentet për këtë gjë, o kurrë nuk i ka pasur dikush në këtë vend. Ka pasur më tepër instrumente në dorë edhe se vetëm Ramiz Alia. Ky i ka pasur të gjitha, ka pasur edhe mbi 120 deputetë atje. Megjithatë bëri vetëm ligje me porosi, për klientët e tij, dhe për të vjedhur çnjerëzisht popullin e tij. Sot një pensionist në Shqipëri ka gjysmën e masës së pensionit që ka një në Kosovë. Sot një pedagog në Shqipëri ëndërron pragun e pagës së pedagogut në Kosovë”, tha Meta.
/r.e/