Luan Krasniqi, aviatori që dashuroi ringun

Bledar KUKA - Tashmë ai është në kilometrat e fundit të fluturimit dhe dritat e pistës së aeroportit po duken aty përpara. Luan Krasniqi, sot 37-vjeçar, tregoi ndaj Dimitrenkos se karriera po i shkon drejt mbylljes. Ndoshta, pas bisedave të gjata me familjarët, edhe mund ta lajmërojë atë. Në fillimet e jetës, kur ishte ushtar i Bundesverit (Ushtrisë Gjermane), Luani shërbente si aviator, me një gradë nënoficeri.
Ushtaraku Krasniqi shërbente në fillim të viteve 90-të në Luftvafe, emri që ka edhe sot krahu ajror i forcave të armatosura gjermane, ashtu siç e kishte edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk dihet saktë nëse ai ka shërbyer me një Fantom F-4F apo një Tornado, por ndonëse komandant i një grupi ushtarakësh të tjerë, shqiptari nga Juniku nuk pati fatin të drejtonte ndonjë F15 apo F16. Gjermanisë nuk i lejohej ...
Ishte një ish-boksier jo i madh gjerman, Teo Kerekesh (Theo Kerekesch) që formoi kampionin Krasniqi. Më 1994, sapo mori nënshtetësinë ai shkoi në Liverpul dhe fitoi medaljen e artë në turneun e qytetit të Bitëllsave. Po atë vit doli kampion i Gjermanisë, sërish i tillë më 1995 bashkë me titullin e nënkampionit të botës dhe medaljen e bronztë olimpike më 1996 në Atlanta.
Plot 29 vjet kishte Gjermania pa një kampion të Europës, por djaloshi nga Juniku ia dhuroi këtë kënaqësi. Pasi doli kampion i Europës si profesionist, ai humbi betejën për titull me Brujsterin. Pas 35 ndeshjesh, 30 të të cilave të fituara (një barazim), Luani po mendon nëse do të ishte më mirë të kalonte ditët si komentator boksi, duke shfrytëzuar diplomën e tij dhe duke dëgjuar muzikën e tij të preferuar soul.
Ndeshja e fundit, e humbur, ndaj Dimitrenkos i dhuroi rreth 1 milion euro (sipas “Bildit”), ndërsa shumë më tepër duhet të ketë fituar ndaj Lemon Brujsterit më 28 shtator 2005, ditën fatkeqe kur pati aq pranë titullin e kampionit të botës në peshën e rëndë. Donte ta realizonte ëndrrën e gjermanëve për të parë një kampion të tyrin pas Maks Shmelingut të vjetër e të mirë të viteve të shkuara.
Luani do të ketë mundësi të rrisë trëndafila apo edhe luledielli, përderisa këto janë lulet që i pëlqejnë më shumë, por vështirë se do të pranojë të mbajë kafshë në shtëpi. “Më pëlqejnë shumë kafshët, - tha dikur në një intervistë për “franciska-kelin”, - por jo në robëri”. Ndoshta në kinemanë e tij shtëpiake (një aparat DVD) do të ketë kohë të shikojë më shpesh filmin e preferuar “Shpëtoni ushtarin Rajan”.
“Më pëlqejnë shumë gjëra në jetë, - shprehet Krasniqi, - të lexoj, të lundroj në internet, të bisedoj me njerëzit”. Si shumë shqiptarë ai është poliglot sepse flet rrjedhshëm përveç shqipes e gjermanishtes, edhe serbo-kroatisht, italisht, anglisht. Luani është një njeri me humor dhe përgjigjet shumë bukur kur e pyesin nëse ndonjë revistë prestigjioze do t’i kërkonte të pozonte nudo.
“Në radhë të parë një revistë serioze nuk boton foto nudo, - qeshi ai, - por nëse do të donin, unë jam gjithnjë gjysmë i zhveshur në ring”. Prej kohësh po mendon që të ketë më shumë kohë në dispozicion dhe të studiojë për jurisprudencë. Për të ardhur keq që nuk dëshiron matematikën gjithnjë ka pasur notat më të mira. Po më të këqijat? Pavarësisht se është poliglot, më e vështira për të ka qenë gjermanishtja.
E Merkure, 03 Dhjetor 2008