Luan Rama: Imuniteti në Kuvend.
Imuniteti - LSI-ja ka dalë jashtë qëndrimit zyrtar të PD-së për sa i përket çështjes së imunitetit. Në një kohë kur demokratët kërkojnë referendum për këtë çështje, LSI-ja kërkon votim në Kuvend
Konventa - Forumi i lartë i LSI-së është vendosur të mblidhet në fund të muajit tetor, pavarësisht se ishte parashikuar për tu mbledhur një muaj më parë. Kjo shtyrje shpjegohet me arsye organizative
Aleanca - PD-ja dhe LSI-ja duket se kanë krijuar një koalicion të qëndrueshëm së bashku dhe me shumë gjasa këto dy parti do të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Intervista
LSI, në procesin e KQZ-së së re
Nuk kemi kërkuar kryeprokurorin. Kemi votuar dhe ndryshe me PD
Fatjona Mejdini
Sekretari organizativ i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, deklaroi se kjo parti mendon se ende mes PD-së dhe PS-së mund të gjendet konsensusi për të votuar çështjen e imunitetit në Kuvend. Në një intervistë për Shqip, Rama theksoi se konsensusi kishte rëndësi të veçantë në momentin që Shqipëria po pret statusin e vendit kandidat në BE. Nga ana tjetër, Rama thekson se LSI-ja synon të përfaqësohet në KQZ me një anëtar, duke theksuar se në këtë proces kjo parti do të kontribuojë me të gjitha kapacitet që ka. Ai hedh poshtë aludimet se LSI-ja kërkon të vendosë një emër nga radhët e saj për Prokuror të Përgjithshëm dhe po kështu thekson faktin se shtyrja e Konventës së LSI-së është bërë vetëm për arsye organizative.
Z. Rama, shtyrja e Konventës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në fund të muajit tetor, a ka prapa ndonjë arsye politike apo thjesht mbajtja e këtij forumi të rëndësishëm është bërë për arsye organizative?
Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së do të shënojë kurorëzimin e një procesi tërësor reformimi dhe ristrukturimi të të gjithë partisë, do të zgjedhë kryetarin dhe strukturat e tjera drejtuese të LSI-së, do të miratojë ndryshimet në statut dhe programin politik, të kushtëzuara të gjitha këto me përgatitjet e LSI-së për fitore në zgjedhjet politike të vitit të ardhshëm. Pak muaj më parë, ne zhvilluam konventat kombëtare zgjedhore të LRI-së dhe të LGI-së, dy struktura vitale për LSI-në, ndaj dhe në kuadër të vetë Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, aksesi dhe angazhimi i tyre është prioritar, edhe sepse për to parashikohen më shumë hapësira përfaqësimi. Për të qenë më i drejtpërdrejtë,
ka qenë një kërkesë e LRI-së, e cila për të qenë edhe më e përfshirë në procesin zgjedhor, kërkoi pak më shumë kohë. Ndaj dhe u vendos ta shtyjmë një muaj mbajtjen e Konventës, pa e parë datën si një tabu të paprekshme. Pra, thënë thjesht dhe pa asnjë ekuivok, shtyrja e datës është bërë vetëm për arsye organizative.
Në shtator nis përzgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së, a do të përfaqësohet LSI-ja me një anëtar?
Zgjedhja e anëtareve të KQZ-së do të bëhet bazuar në Kodin Zgjedhor, pas ndryshimeve të miratuara pas konsensusit mes PD-së dhe PS-së. Por, ndërkaq, LSI-ja do të jetë pjesë e këtij procesi për aq sa Kuvendi do të jetë pjesë e procesit, duke ofruar kontributin tonë me të gjithë kapacitetet që ne disponojmë.
Zërat nga LSI-ja janë shtuar për sa i përket faktit se kryeprokurori i ri duhet ti përkasë kësaj force politike, cili është opinioni juaj?
Më lejoni të saktësoj që LSI-ja asnjëherë dhe në asnjë rast nuk është shprehur që Prokurori i Përgjithshëm duhet t’i përkasë asaj, pra LSI-së, sepse kjo bie ndesh me filozofinë tonë politike. LSI-ja është investuar me shumë seriozitet dhe madje edhe më konsistencë për garantimin e pavarësisë së pushteteve, duke respektuar standardet euroatlantike të shtetit të së drejtës dhe të respektimit të pavarësisë kushtetuese të institucioneve të drejtësisë. Madje këtë filozofi tonën ne e kemi mbrojtur me shumë përkushtim dhe unë mund t’ju kujtoj disa raste kur kemi votuar në kundërshti me mënyrën sesi ka votuar grupi i deputetëve të PD-së.
Po, por zoti Braho është shprehur se është i gatshëm të marrë përsipër detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm…
Zoti Braho nuk ka thënë që Prokurori i Përgjithshëm duhet t’i përkasë LSI-së, pasi për LSI-në emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është çështje e partive politike. Kushtetuta çështjen e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm ia ka lënë si atribut Presidentit të Republikës, ndaj çdo koment apo vlerësim jashtë këtij konteksti është i pavend.
Pse keni mendimin se çështja e imunitetit duhet të zgjidhet në Kuvend dhe jo nëpërmjet një referendumi popullor?
Për LSI-në, e rëndësishme është që çështja e heqjes së imunitetit të zgjidhet në përputhje me rekomandimet e BE-së, në përputhje me interesat europiane të Shqipërisë. Këtë detyrë duhej ta përmbushte Kuvendi i Shqipërisë shumë më parë se data 6 gusht, kur ishte programuar një seancë e posaçme enkas për heqjen e imunitetit, gjë që rezultoi një shans i humbur apo një mundësi e djegur. Në vlerësimin tim, Kuvendi i ka ende mundësitë ta përmbushë këtë detyrim ndaj vendit, ndaj i ftoj socialistët ta kuptojnë përgjegjësinë përpara së cilës ndodhen. Integrimi europian i vendit ka nevojë për këtë kontribut të tyre dhe ata nuk mund të mos jenë pjesë e këtij kontributi historik.
Pra, përmes Kuvendit, kemi mundësinë ta përmbushim këtë detyrim përpara tetorit, kur Brukseli do të vlerësojë përmbushjen e detyrimeve nga ana e Shqipërisë.
KQZ - LSI-ja do të jetë pjesë e këtij procesi për aq sa Kuvendi do të jetë pjesë e procesit, duke ofruar kontributin tonë me të gjitha kapacitetet që ne disponojmë
Kuvendi - Kuvendi i ka ende mundësitë ta përmbushë këtë detyrim ndaj vendit, ndaj i ftoj socialistët ta kuptojnë përgjegjësinë përpara së cilës ndodhen
Kryeprokurori - Kushtetuta çështjen e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm ia ka lënë si atribut Presidentit të Republikës, ndaj çdo koment apo vlerësim jashtë këtij konteksti është i pavend
Luan Rama: Imuniteti në Kuvend. burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip