E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli shmang referendumin: Ka rrugë ligjore dhe kushtetuese për imunitetin

Bledar Hoti

3 shtator – Sesioni i ri kuvendor nis më datën 3 shtator. Topalli do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve

2 nisma – Për heqjen e imunitetit u paraqitën dy nisma, më pas më 6 gusht u paraqit një variant final

3/5 e votave – PD nuk e hodhi për votim nismën e imunitetit në seancën për votim, pasi nuk kishte 3/5 e votave

Kuvendi - Mazhoranca, drejt tërheqjes së propozimit të Kryeministrit. Kreu i Kuvendit kërkon konsensus, por sulmon PS-në

BLEDAR HOTI

Për ne, rëndësi kapitale ka pasur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij. Ne kemi qenë dhe jemi të vendosur të ndjekim të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për të realizuar qëllimin tonë kryesor, heqjen e imunitetit. Kjo është deklarata surprizë e kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila ndryshe nga kryetari i partisë së saj, Sali Berisha, e mendon se heqja e imunitetit mund të realizohet jo vetëm nëpërmjet referendumit. Në konferencën për shtyp dhënë dje me rastin e nisjes së sesionit të ri, Topalli lançoi një qëndrim tjetër në lidhje për mundësitë e referendumit, duke nënkuptuar se ai mund të realizohet jo vetëm nëpërmjet asaj rruge. Një Shqipëri pa imunitete. Ky është qëllimi ynë. Sigurisht kjo nuk është shtruar për të marrë kapital politik. Asnjëherë! Kjo është një iniciativë që fillon në vitin 2003, që përsëritet më 2005-n, kur PD ishte në opozitë; që ripërsëritet në shtator të 2005-s kur PD vjen në mazhorancë; që ripërsëritet në 2007; që rihapet edhe një herë sipas variantit të opozitës në vitin e kaluar; që formalizohet në Parlament; që kalon përmes të gjitha procedurave dhe në fund më 6 gusht e bllokon përsëri. Ne kemi vetëm një qëllim. Një Shqipëri pa imunitet. Për ne rëndësi kapitale ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij, prandaj kemi qenë dhe jemi të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për arritjen e këtij qëllimi, heqjen e imunitetit, tha kryeparlamentarja. Ajo në përgjigjet për gazetarët shmangu shprehjen referendum.

Për sa i takon vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ajo i referohet nenit 107, që ka lidhje me shfuqizimin e një ligji për një iniciativë nga 50.000 qytetarë. Në fakt nuk jemi në këtë rast. Jemi në rastin e nenit 150 të Kushtetutës. Kjo është njëra.

E dyta: Është e vërtetë që është depozituar një iniciativë e opozitës për ndryshime kushtetuese. Parlamenti ka procedurat e veta. Detyra ime si Kryetare e Parlamentit është të ndjek me rigorozitet respektimin e të gjithë procedurave që parashikon Rregullorja dhe Kushtetuta në një rast të tillë, ndërsa çështja e imunitetit është një çështje e ndarë nga të gjitha këto, sepse është një proces i filluar me ndryshime kushtetuese ku vetë opozita është përfshirë thellësisht, ka bërë amendamentet e saj pavarësisht se pastaj nuk ka votuar draftin e saj. Dua të përsëris edhe një herë: nëse fondamentale, nëse kapitale për ne ka qenë dhe mbetet heqja e imunitetit dhe jo rrugët e tij, edhe zgjedhja jonë në funksion të saj ka qenë dhe mbetet për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese që çojnë në realizimin e këtij qëllimi. Pra, heqjen e imunitetit. Dhe kjo është ndershmëri, është vendosmëri dhe kjo tregon vullnet të fortë politik, theksoi Topalli.

Sulmi ndaj Ramës

Topalli nuk ka ngurruar që të sulmojë liderin e opozitës, Edi Rama, për bllokimin e realizuar sipas saj në seancën e 6 gushtit. Topi i ka mbetur në rrjetë në fakt zotit Rama. E ka në rrjetë prej disa kohësh. E vërteta është se ka një histori të iniciativave për heqjen e imunitetit. Histori që fillon që nga 1.4.2003. Partia Demokratike pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për të marrë variantin e PACA-s dhe EURALIUS. Partia Demokratike pranoi përsëri kërkesën e opozitës për ta marrë dhe për të ndryshuar Kushtetutën, për të marrë variantin e PACA-s dhe EURALIUS-it dhe përsëri opozita refuzoi hapur vetë propozimin e saj. Ajo pranoi ndryshimet dhe amendamentet e tjera të sjella nga zoti Majko dhe diskutimet e tyre në negociatat mes zotit Majko dhe zotit Paloka. Ndoshta nuk e besonin se mazhoranca do të pranonte të gjitha propozimet e tyre dhe në momentin që u pranua edhe amendamenti i fundit i ardhur, i shkruar nga vetë Partia Socialiste, ata përsëri refuzuan që ta votojnë. Unë nuk kam as më të voglin dyshim se bllokimi i 6 gushtit kishte për qëllim që të bllokonte statusin. Por një gjë për ne është fondamentale dhe kjo tregohet përmes të gjithë historikut të zhvillimeve që nga koha kur PD ishte në opozitë dhe deri më sot, deklaroi Topalli.

Shifrat

131 akte - Kuvendi, gjatë janar-korrikut 2012, ka kaluar 131 akte, 78 ligje, 36 vendime dhe 17 rezoluta me një shumicë nga 72-75 vota

7 interpelancat - Kryeministri dhe ministrat, sipas Topallit, u janë përgjigjur në 7 interpelanca kërkesave të deputetëve të opozitës ndaj qeverisë

66 pyetje - Deputetët e opozitës kanë marrë përgjigje zyrtare me shkrim nga Kryeministri dhe ministrat për 66 pyetje me shkrim dhe kërkesa

17 rezoluta - Kuvendi, përmes 17 rezolutave, ka vlerësuar veprimtarinë vjetore për vitin 2011 të institucioneve kushtetuese dhe të krijuara me ligj

454 amendamente - Gjatë shqyrtimit të projektligjeve, sipas shifrave të Topallit, janë propozuar 454 amendamente në komisionet parlamentare

 

Përplasja për KQZ

Gjiknuri: Kryeparlamentarja nuk e njeh ligjin, ose bën sikur

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në lidhje me çështjen e hapjes së procedurës për vakancën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi se do të realizohet në fillim të muajit shtator. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nëse nuk gaboj, është botuar në Fletoren Zyrtare më datën 17, i bie që të hyjë në fuqi më datën 2 shtator. Momentin që hyn në fuqi ligji, sigurisht që Kuvendi i Shqipërisë në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus në Parlament, në website-n e saj, por edhe në gazeta e mjete të tjera informuese do të hapë konkursin për aplikime,-tha Topalli. I menjëhershëm ka qenë reagimi deputetit të PS-së, Damian Gjiknuri, i cili ka deklaruar se kjo deklaratë e Topallit vjen mbase nga padituria e saj. Topalli ose nuk e njeh ligjin ose bën sikur nuk e njeh atë. Neni 181, pika 2, detyron kreun e Kuvendit të hapë garën për drejtuesin e ri të institucionit më të lartë zgjedhor, menjëherë nga shpallja e ligjit të ri zgjedhor, tha Gjiknuri.

Topalli shmang referendumin: Ka rrugë ligjore dhe kushtetuese për imunitetin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›