Moisiu: Nuk ka arsye të shkohet në referendum
Deklarata
Ish-presidenti flet në Top Channel: Shqetësuese mosrakordimi për marrëveshjen e detit
Ish-presidenti i republikës, Alfred Moisiu, deklaroi dje, se nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në referendum për sa i përket çështjes së imunitetit. Në një intervistë për Top Channel, ish-kreu i shtetit deklaroi se konsensusi parlamentar ishte forma më e mirë për ta mbyllur këtë çështje dhe i bëri thirrje politikës shqiptare që të gjente një zgjidhje sa më të shpejtë. Sipas tij, stadi ku ndodhet vendi ka nevojë emergjente për konsensus dhe jo për veprime të njëanshme që mund ti ndanin thellë palët. Duhet thënë se me problemin e imuniteteve për fat të keq, më shumë po luhet, kam përshtypjen unë, dhe i ngjan si asaj punës së lojës me kungulleshkat. Sepse, kur ka dashur politika shqiptare edhe brenda natës ka bërë qametin, duke ndryshuar gjysmën e Kushtetutës. Problemi nuk është se duhet referendum apo duhet me Parlament. Unë do të thosha se me Parlament është më mirë, sepse në fund të fundit duhet të ulen politikanët tanë dhe të mendojnë seriozisht për problemet që ka vendi përpara, deklaroi Moisiu. Nga ana tjetër, ai theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë nuk duhet të ndalet vetëm në çështjen e imunitetit, por duhet prekur edhe mënyra sesi duhet të zgjidhen gjyqtarët në vend. Sipas Moisiut, korrupsioni i madh politik në sistemin e drejtësisë e bën të domosdoshme që në Kushtetutë të bëhen ndryshime të tjera për sa i përket sistemit të drejtësisë. Dhe që mos të zgjidhen te ne gjyqtarë që vërtet të anojnë, duhet patjetër që zgjedhja e tyre të bëhet me një shumicë të cilësuar. Ne për imunitetin bëjmë shumë zhurmë, por kemi raste që është hequr imuniteti dhe asgjë nuk është bërë. Nuk qëndron e keqja tek imuniteti, e keqja është se si ne i trajtojmë. Sa merret një rast kur ndërhyn prokuroria apo gjyqësori menjëherë politika zë e çirret. Çpunë ka politika se çbën drejtësia? Për mua korrupsioni politik është më i rrezikshëm se korrupsioni ekonomik. Pse? Sepse kjo e nënshtron gjyqësorin ndaj politikës, pasi politika i thotë që unë do të zgjedh anëtarë të Gjykatës së Lartë apo kushtetuese dhe ti bëj këtë që dua unë, vijon Moisiu mendimin e tij në lidhje me reformën në gjyqësor. Nga ana tjetër, ish-kreu i shtetit gjeti rastin të theksojë se teksa do të bëhen ndryshimet Kushtetuese duhet riparë edhe mënyra sesi zgjidhet Presidenti i Republikës që, sipas të cilit ,duhet zgjedhur nga populli. Edhe problemin e zgjidhjes së presidentit ne duhet ta ndryshojmë në Kushtetutë. Kemi dy vjet që e ngremë këtë problem. Urdhëro, u zgjodh Presidenti i ri, ku për mendimin tim u bë një zgjedhje nëpërmjet një procedure jo të hijshme, që mos të them se u bë një pazar, se në fakt një pazari i ngjau. Pra, këtu ka nevojë që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli, theksoi Moisiu. Në lidhje me marrëveshjen e ndarjes së detit me Greqinë, Moisiu thekson se ka një kakofoni zërash dhe një moskoordinim shqetësues të veprimit politik. Vetë mënyra sesi po zhvillohen ngjarjet, të them të drejtën është shqetësuese, sepse del ministri i Jashtëm dhe thotë një fjalë, del Kryeministri dhe thotë një tjetër, del një deputet thotë diçka tjetër, duke krijuar një kakofoni. Kjo do të thotë se këtu ose nuk janë menduar gjërat, ose fshihen gjërat. Sido që të jetë është keq. Unë gjykoj se ne shqiptarët, populli ynë, duhet të jetë shumë vigjilent në këtë drejtim. Nuk mund të tregtohet me territorin e vendit, qoftë i detit, qoftë i tokës, qoftë edhe një pëllëmbë smund të jepen këto për interesa politike.
Moisiu: Nuk ka arsye të shkohet në referendum burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip