Luan Rama: Kryqëzatat që prekën Ilirinë
TIRANE-Shqipëria në luftën bizanto-normade” është titulli i studimit të Luan Ramës. Ky libër i ri është një jehonë e historisë shqiptare në një epokë të hershme, kur një mijë vjet pas luftërave të Cezarit dhe Pompeut, dy ushtri të mëdha të dy prej fuqive të mëdha të kohës, Bizantit dhe Normandëve të Italisë së jugut, ndesheshin mes tyre në ato brigje. Rrethimet e kështjellës së Durrësit nga normandët e Robert Guiskardit dhe më pas birit të tij Bohemondit, më 1081 - 1085 e më pas më 1118, që përfundoi me “Traktatin e Paqes së Devollit”, dëshmojnë se tokat shqiptare, në një nga pozicionet më strategjike të Mesdheut, ishin kthyer në një vend shesh-beteje. Gjithë këto luftëra në Dyrrachium, Avlona (Vlora), Oricum, Bylis, Petrela, nëpër grykën e Erzenit dhe të Vjosës etj., përshkruhen në kronikat e kronistes së famshme bizantine Ana Komnena, vajza e perandorit Aleksi I Komnena. Po veçojmë nga ky libër një fragment nga kalimi i kryqtarëve të Perëndimit, të cilët, për të shkuar drejt Jerusalemit për çlirimin e varrit të Krishtit, kaluan përmes brigjeve shqiptare, nëpër Via Egnatia, duke iu drejtuar pastaj Konstantinopojës etj.
Kryqtarët e Via Egnatia
Lançimi i Kryqëzatës së parë për çlirimin e Jerusalemit u bë në 27 nëntor të vitit 1095, në Koncilin e Clermont-it, në Francë. Papa Urban II kapërceu veriun e Italisë dhe mori rrugën drejt vendit të frankëve, pasardhësve të galëve, kalorësve të famshëm Clovis dhe Vercingetorix. Disa kronistë thonë se për të ndërmarrë Kryqëzatën ai u shty nga normandi Bohemond. Të tjerë thonë se ishte murgu i vobektë Peirre l’Ermite që thirri për çlirimin e Varrit të Krishtit dhe ai e ndoqi pas. Fjalimi i Papës në këtë koncil nuk ka mbetur i shkruar gjer në ditët tona, por njihen urdhëresat e nënshkruara, jehona e kësaj ngjarjeje dhe shkrimet e kronistëve, kur turmat e besimtarëve iu përgjigjën thirrjes së Papës me britmat “Dieu le veut!”, “Zoti e kërkon!”. Në atë kohë, për dhjetë vjet me radhë, Durrësi dhe brigjet shqiptare po jetonin në paqe. Por dyndjet normande do të rishfaqeshin sërish, kësaj radhe të drejtuara nga Bohémond de Tarente, (Guiscard), i cili i njihte mirë këto brigje të ashpra, të vështira për t’i nënshtruar. Ai shoqërohej nga nipi i tij Tankred, si dhe kushërinjtë e tij Richard de Raoul i Salernos, Robert d’Anse etj. Para se të nisej, Bohemondi kishte mbajtur një fjalim të gjatë para trupave të tij, një pjesë të të cilit na e bën të njohur kronisti-murg, Robert le Moine (Murgu), në dorëshkrimin e tij “Hierosolymituna expeditio”: “Le të bashkohet me mua ai që i përket Zotit. Kalorës! Ju që sot jeni kalorësit e mi, ju do të bëheni kalorësit e Zotit! Pra merrni bashkë me mua rrugën për në Vendin e Shenjtë. Të gjitha gjërat e mia, konsiderojini si tuajat. A nuk jemi ne nga raca franke? A nuk janë dhe njerëzit tanë si ata që kanë ardhur nga Franca? Ç’turp do të ishte nëse njerëzit tanë dhe vëllezërit tuaj frankë të shkonin pa ne për t’u bërë martirë, madje dhe në Parajsë? Nëse kjo ushtri do të marshonte në luftë pa ne, atëherë me të drejtë mund të na akuzonin si njerëz pa kurajë…”
Nga normandët e Siçilisë që zbritën në brigjet shqiptare, ishin dhe vëllai i Tankredit, konti de Rossignolo dhe vëllezërit e tij, Hermann de Canne, Onfroy de Montescaglio, si dhe Robert de Sourdeval, Boel de Chartres etj. Bohemondi zbarkoi në brigjet shqiptare midis Vlorës dhe Durrësit, në nëntor të vitit 1096, atëherë kur fillonte “Kryqëzata e parë” për çlirimin e Jerusalemit. Në fillim ai pushtoi Vlorën, duke mbledhur trupat në fshatin e quajtur Dropoli, në luginën e lumit të Vjosës. Ana Komnena shkruan se Bohemondi zbarkoi në Vlorë me shumë kontë dhe një ushtri të pallogaritshme. Kronisti tjetër Albert d’Aix, shkruan për 10.000 kalorës dhe një numër shumë të madh këmbësorësh. Në fakt ata shfrytëzuan luginën e Vjosës dhe zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të sigurt, pasi nuk donin të binin ndesh me trupat bizantine që zotëronin Via Egnatia-n, edhe pse nuk ishin më në gjendje lufte me ata. Rruga kalonte drejt Gramozit, në malet me dëborë. Në Kastoria u furnizuan me ushqime.
Këtë ngjarje e përshkruajnë katër burimet kryesore të kësaj periudhe historike: dorëshkrimi anonim “Gesta Francorum et aliorum Hierosolimitanorum”, vepra “Alexiade” e Ana Komnenës, dorëshkrimi i Guillaume de Pouille dhe kronika e Guillaume de Tyr, një prej kalorësve që luftoi gjer në bedenat e kështjellës së Jerusalemit. Siç dihet “anonimi” ishte një kryqtar, i cili e ndoqi ushtrinë e Bohemondit në betejën e Nikesë, në betejën e Dorylesë, në rrethimin e Antioche-s e gjer në marrjen e Jerusalemit dhe betejën e Ascalon-it, ku mbaron dhe tregimin e tij. Në fillimin e Kryqëzatës, anonimi shkruan se “Bohemondi i mblodhi ushtarët e tij dhe i këshilloi që të silleshin mirë ndaj popullit dhe të mos shkatërronin këtë tokë që u përkiste kristianëve dhe të mos merrnin asgjë përveç çka duhej për t’u ushqyer… Atëherë u bë nisja dhe ne shkuam përmes shumë krahinash, nga qyteti në qytet, nga kështjella në kështjellë. Ne mbërritëm kështu në Kastoria dhe atje festuam natën e Krishtlindjes.”
Edhe historiani francez Jacques Heers, i referohet kronikës anonime në librin e tij “Rënia dhe vdekja e Konstantinopojës”, mbi zbarkimin e normandëve pranë Durrësit dhe udhëtimin e tyre në Kostur. Guillaume de Pouille, i cili e shoqëroi Bohemondin gjatë kësaj Kryqëzate, në dorëshkrimin “Historia e Kryqëzatës së parë”, shkruan se “Popullsia atje nuk shikonte tek ne pelerinët e Kryqëzatës, por ata mendonin se ne kishim shkuar për të shkretuar e bastisur tokat e tyre dhe për t’i masakruar ata. Atëherë, ne i bastisëm tokat, u morëm viçat, kuajt, gomerët dhe gjithçka që gjenim.” Por një burim tjetër historik shkruan dhe për grabitjet e kryqtarëve gjatë rrugës. Kuptohet që ata s’kishin burim tjetër për t’i mbijetuar atij rrugëtimi të gjatë e sfilitës. Historiani Pierre Aubé, në librin e tij “Godeffroy de Bouillon”, i referohet një letre të peshkopit të Ohrit, Théophilacte, (Teofilakti), i cili i shkruante njërit prej miqve të tij se “Ishte kalimi apo invazioni i frakëve; nuk di se çfarë emri mund t’i vë kësaj, por neve na ka trembur dhe shqetësuar aq shumë, saqë e kemi humbur toruan. Kam qenë si një i dehur, por tani që u mësuam me këto halle të shkaktuara nga frankët, ne i durojmë më mirë mjerimet tona”. Ja si e përshkruan Ana Komnena ardhjen e vëllait të mbretit të Francës, nisur në kryqëzatë drejt Jerusalemit, Hugues de Vermondois, (“Hugues, filius et frater regnum Francourum”), i cili kaloi përmes Shqipërisë, që në atë epokë ishte një nga rrugët kryesore dhe ku Via Egnatia i çonte kryqtarët drejt Konstantinopojës, ku që andej ata merrnin pastaj rrugën e gjatë drejt qytetit të Shenjtë. “Një i quajtur Ubos, vëllai i mbretit të Francës, (kryeneç si novat i fisnikërisë së tij, në momentin kur do të linte vendin e tij për të shkuar në Varrin e Shenjtë, (Saint-Sepulcre), ai e lajmëroi autokratorin, duke i drejtuar një mesazh qesharak që të sigurohej më parë për të gjetur një pritje të shkëlqyer…” Hugues “Magnus” (Maisné - i Madhi), dërgoi më parë 24 kalorës, nën drejtimin e Guillaume de Melun për të informuar guvernatorin e Dyrrachium. Ana Komnena përmend pra një letër të dytë që ai i dërgonte guvernatorit të Durrësit: “Dije o basileus, - i shkruante ai, - se unë jam bazileus i bazileusve, më i madhi i atyre që jetojnë në këtë botë. Sapo të mbërrij, duhet që të vijnë të më presin me një ceremoni të denjë që i përket sojit tim”. Në çastin kur bazileusi mori këtë mesazh, duka i Durrësit ishte Joani, djali i vëllait të Aleksit, sebaskratorit Isak Komnena. Duka i Flotës, Nikola Mavrokatalon, i kishte nxjerrë në det anijet e tij, duke i vendosur në afërsi të portit të Dyrrachiumit dhe që andej ai survejonte detin aq mirë, sa asnjë anije pirate përgjatë brigjeve nuk mund t’i shpëtonte…»
Më pas, anijet e tij morën udhën drejt Durrësit. Por stuhia e madhe në det i shpërndau anijet. Anija e kontit De Vermandois mrekullisht arriti të dalë në bregun shqiptar në “Cap Palli” (Bishtin e Pallës), disa kilometra në veri të Durrësit. Atje i gjeti i dërguari i guvernatorit, i cili i çoi në Durrës. Ata qëndruan në qytetin antik gjersa një funksionar i lartë bizantinas, Manuel Butumites, erdhi nga ana e perandorit për t’i shoqëruar drejt Konstantinopojës. Kronisti tjetër mesjetar Foucher de Chartres, në “Histoire occidentale des croisées”, (III), shkruan për rrugëtimin në tetorin e vitit 1096 e këtij prijësi si shef i kryqtarëve të Perëndimit nga Bari në Durrës, i cili u mbajt si i burgosur nga guvernatori.
Në radhën e prijësve frankë që niseshin për Kryqëzatë dhe merrnin rrugën drejt Adriatikut, për t’u bashkuar pastaj me Via Egnatia-n, ishin dhe Robert de Normandie (Robert Courteheuse, biri i Guillaume le Conquerant) dhe kunati i tij Etienne de Blois, kont i Blois dhe Chartres, të cilët mbanin si mbiemra, emrat e krahinave që kishin si zotërime të tyre. Pasi kishin zbritur malet e Italisë, kryqtarët e “ushtrisë së katërt franke”, kishin shkuar në Romë që t’i pagëzonte Papa dhe që andej kishin zbritur në zonën e normandit Roger Borsa, duke i marrë anijet në Brindizi më 5 prill të atij viti. Anija e tyre e parë, siç shkruajnë kronikat, u mbyt. Të tjerat, pas katër ditësh mbërritën në Durrës, ku u pritën mirë dhe pastaj me eskortë, përmes Via Egnatia-s, duke kaluar drejt Ohrit, Ostrovës, Vodenës, Selanikut e Christopolis (Kavalla), duke vazhduar gjer në Konstantinopojës, ku perandori i priti mjaft mirë.
...Historiani Steve Runciman, shkruan se kur mbërritën në Shkodër, ushqimet po u mbaroheshin, por ata kishin para për të blerë ushqime në këtë qytet. Por meqë nuk gjetën gjë, ata vazhduan rrugën drejt Durrësit. Një kryqtar dhe kronist tjetër i kësaj kohe, Guillaume de Tyr, përshkruan rrugëtimin e provincialëve (nga Provence e Francës) me në krye Saint-Gilles, ku thekson se “ai u miqësua me mbretin e sllavëve, por me gjithë këtë marrëveshje, ushtarët e kontit u keqtrajtuan nga sllavët”. Kronisti tjetër Raymond d’Aguillers, kapelan i kontit të Toulouse-s, në kronikën e tij “Historia Francourum qui ceperunt Jerusalem”, (Historia e frankëve që çliruan Jeruzalemin), e vendos mbërritjen e tyre në Shkodër në muajin janar.
Në fillim të shkurtit, më së fundi, ata mbërritën në veri të Durrësit. Guvernatori Joan Komnena i priti me ngrohtësi, pohon Ana Komnena, ndërkohë që “anonimi” tek Gesta Francorum, shkruan për mosbesimin e madh të bizantinëve ndaj tyre. Guillaume de Tyr na informon nga ana e tij se në Durrës ata i pajisën me leje-kalimi nga ana e perandor Aleksit për t’u nisur drejt Konstantinopojës. Vëllai i peshkopit, kalorësi Hugues de Monteil, meqë ishte sëmurë, u detyrua të qëndrojë në Durrës. Por rrugës, këta kryqtarë, herë pas here u sulmuan nga ushtarët e perandorit.
Nga një burim tjetër mesjetar, i Raymond d’Arguilers, një kryqtar frank, që tregon mbërritjen e Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s në Durrës dhe rrugëtimin e tij gjithë peripeci drejt Konstantinopojës, ai shkruan: “Ne mbërritëm në Durrës dhe na u duk se ishim në atdheun tonë, duke e konsideruar perandorin Aleks si një vëlla e bashkëpunëtor. Por ata, duke u bërë mizorë, u sulën si luanë dhe i sulmuan njerëzit e paqtë që donin të shërbenin me armët e tyre. Bizantinët i masakruan nëpër prita, në pyje dhe fshatra larg kampit, duke i sulmuar ata gjatë natës me tërbim. Ndërkohë që ata shkretonin, udhëheqësi i tyre premtonte paqe. Madje dhe gjatë armëpushimit ata masakruan kryqtarin Pons Renaud dhe plagosën për vdekje vëllain e tij Pierre, që të dy princa fisnikë. Por edhe pse gjetëm rastin dhe u hakmorëm, ne donim më shumë të vazhdonim rrugën tonë, sesa të ndëshkonim këta pushtë. Kështu u vumë në rrugëtim....”
Shumë princa të tjerë frankë morën në atë kohë rrugën e brigjeve shqiptare. Një nga ata ishte dhe Guillaume I, konti i Nevers, i cili e kishte lënë Francën në shkurt të vitit 1096 dhe siç thonë kronikat kapërceu Adriatikun, (Brindizi-Vlora) dhe me një ushtri të paqtë e të disiplinuar kishte marrë drejt Via Egnatia-s gjer në Konstantinopojë, ku ishte pritur mirë nga perandor Aleksi.
Duke lexuar gjithë këto kronika të vjetra që shkruajnë veçse përciptas për ardhjen e kryqtarëve në brigjet e Ilirisë dhe jo për ngjarje të shumta që duhet të kenë ndodhur në tokat e Arbërit, (shumë prej dorëshkrimeve sigurisht kanë humbur në kufijtë e një mijëvjeçari), mund ta imagjinosh atë qytet-port aq të rëndësishëm siç ishte Dyrrachiumi, ku shkelnin e pikëtakoheshin personazhet e një historie botërore nga më në zë të njerëzimit. Ja pse dhe kronikat në latinisht të këtyre kryqtarëve-kronistë që lidhen me brigjet e Ilirisë, janë padyshim burime të rralla e unikale edhe për historinë e trojeve tona, të cilat mbeten për t’u deshifruar…
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)