E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: Kuvendi të vendosë për djegien ose jo të kutive

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së flet për çështjen e nxehtë mes PD-së dhe PS-së

Kuvendi është autoriteti përgjegjës, i cili duhet të vendosë për “fatin” e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Ky është qëndrimi që shpreh sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në një prononcim për “Shqip”. Sipas përfaqësuesit të partisë, e cila është aleate e Partisë Demokratike, qëndrimi ndaj fletëve të votimit nuk mund të jetë i shkëputur nga tërësia e qëndrimit ligjor që duhet mbajtur gjatë hetimit parlamentar ndaj gjithë procesit zgjedhor. Në këtë kuadër, Rama thekson se është komisioni hetimor, vendi ku mes palëve duhet të vendoset për modalitet e transparencës, duke përfshirë edhe çështjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të shkuara. “Prandaj insistoj që së pari duhet të nisë nga puna komisioni hetimor parlamentar, pasi aty do të duhet të diskutohet objekti i punës së tij, aty do të duhet synuar të arrihet kompromisi mes palëve, aty do të duhen të fiksohen edhe modalitetet e punës së komisionit”, thekson sekretari i përgjithshëm i LSI-së. Sipas tij, kapja e palëve me problemin nëse duhen djegur apo jo fletët e votimit, më shumë se një përpjekje për zgjidhje, duket si një kazus që problemi i transparencës së zgjedhjeve të shkuara të mos zgjidhet. Por nga ana tjetër, Rama thekson se i vetmi “shteg” nga ku duhet kaluar për të mbërritur te fletët e votimit është “shtegu” i ligjit dhe përkatësisht Kodi Zgjedhor. “LSI është e qëndrimit se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut në respekt të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor e në garantim të transparencës”, shprehet zyrtari i lartë i LSI-së. Nga ana tjetër, Luan Rama theksoi se duhet të nxitohet me ngritjen e komisionit hetimor, sepse aty duhet të nisë edhe puna për reformën zgjedhore, për proceset e ardhshme në vend. Dy ditë më parë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova, në një prononcim për median, theksoi se është e udhës që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mos eliminojë menjëherë fletët e votimit të zgjedhjeve të shkuara, por ta bëjë këtë pas një marrëveshjeje mes palëve politike.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›