Siemens fiton tenderin e Ministrisë së Financave
Ministria e Financave në vend ka shpallur fituese kompaninë “Siemens Enterprise Communications”, dega e Athinës në Greqi, për tenderin e zhvilluar pak kohë më parë, lidhur me disa shërbime ndaj degës së Thesarit. Kontrata me kompaninë greke është lidhur më 6 maj dhe ka një vlerë prej 65 mijë dollarësh. Tenderi ka të bëjë me blerjen e memories dhe hardisqe për shtimin e kapaciteteve Hardware të sistemit të Thesarit. Gazeta mëson faktin tjetër se për zhvillimin e prokurimit nuk është kryer procedurë e zakonshme, por është bërë një përzgjedhje në treg të hapur. Kompania ofroi një shumë gati 10 për qind më pak nga sa kishte kërkuar Ministria e Financave, duke u shpallur në këtë mënyrë fituese. Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave është përfshirë në shumë projekte disa dhjetëra miliona lekë, ku i fundit ishte me një kompani holandeze. Pavarësisht shumave që shpenzohen, sërish Thesari has probleme në vënien në zbatim të sistemit sipas standardit të kërkuar nga BE.
Aktualisht kompania “Siemens” është përfshirë në një skandal korrupsioni në Greqi. Gjatë seancës së fundit të komisionit hetimor të ngritur nga qeveria e Papandreut, ish-ministri i Transportit në qeverinë Simitis, Anastasios Mandelis, pranoi se ka marrë prej kompanisë gjermane “Siemens” një ryshfet prej 200 mijë markash gjermane. Këto para i kanë kaluar kesh nëpërmjet një miku të tij. Mandelis pranoi se i ka marrë paratë në formë sponsorizimi, për t’u rizgjedhur deputet në vitin 2002. Në këmbim, ish-ministri i Transporteve i ka dhënë kompanisë gjermane një tender prej 10 milionë eurosh, për blerjen e teknologjisë bazë për kompaninë e vetme të telefonisë fikse në vend, OTE.
Por bashkëpunimi midis gjigandit gjerman të teknologjisë dhe ish-ministrit, ka qenë mjaft i mirë, edhe për një sërë tenderësh të tjerë, për të cilët Mandelis nuk pranoi të thotë se cilët ishin dhe sa para ka marrë në këmbim të dhënies së tenderit kompanisë “Siemens”.