E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani i luleve

01/04/2009  Agronomi është i pushtetshëm në florën e gjelbër, jo vetëm për bimët, por edhe për lulet. Një nga agronomët e dashuruar pas luleve është Luan Ahmetaj. Ai ka studiuar për agronomi në Universitetin Bujqësor, ku mjedisi përreth kundërmonte nga mozaiku i luleve shumëngjyrëshe. Profesori i pasionuar Skënder Rusi kishte selitur një kopsht me lule “adoleshente”, që të bënin ta dashuroje në pafundësi shkencën e florikulturës. Pasioni i fëmijërisë, kopshti i ndezur nga ngjyrat verbuese të petaleve të luleve, e bënë Luanin që dashurinë e moshës rinore ta derdhë si një tis mëngjesor mbi vellon e luleve. Edhe pse pas mbarimit të shkollës së lartë ecejaket në fushën e kualifikimit profesional e shkencor nisën me Italinë, për bujqësinë biologjike mesdhetare dhe vazhduan për menaxhimin e tokave në Tiranë, për biznesin e luleve në Amerikë nën kujdesin e USAID-it, stacioni ku e ndali vrapin e specializimeve, ishte themelimi i biznesit të luleve në vjeshtën e vitit 1993.

Ishte dyqani i parë i luleve natyrale Flower shop “Tirana”, që nisi jetën i vetmuar në qendër të Tiranës, me një kapriço dhe egoizëm të pashoq. Nuk ishte e largët dita, që të rinj e të moshuar, në rast festash dashurie e përvjetorësh, zinin radhë para dyqanit të luleve. Luani erdhi deri te ky dyqan përmes një rruge të gjatë.

Dashuria për lulet, siç tregon ai, i ka lindur qysh në fëmijëri, ku ai dallonte nga shokët e vet, sepse me një dashuri të verbër bridhte korijeve të fshatit për të mbledhur manushaqe, luledele, trëndelinë dhe me fantazinë e fëmijës formonte buqeta të lidhura me fije bari ose leshi. Këto buqeta ua dhuronte njerëzve më të dashur të tij, si nënës, motrave apo më të afërmve me rastin e ceremonive të organizuar prej tyre. Ëndrrën e tij fëminore donte ta realizonte pas mbarimit të Fakultetit të Agronomisë. Por jeta nuk del gjithmonë në treg sipas llogarive ëndërrimtare. Ajo ka ligjet e saj të rrepta: ose të përkëdhel e të ledhaton, ose të përbuz deri në pafundësi. Në vitet e demokracisë, si shumë specialistë të bujqësisë, edhe Luani u braktis nga rruga ëndërrimtare që kishte nisur. Iu desh të emigronte në Greqi dhe aty iu krijua mundësia për të punuar me një kompani që merrej me rritjen dhe tregtimin e luleve. Këto njohuri dhe përvojën e vyer të fituar në emigracion nuk deshi t’i varroste në një vend të huaj, por t’i zhvillonte në vendin e tij, si një dhuratë që e pruri nga kurbeti.

Mallakastrioti i marrosur pas luleve u bë mik i miqve të luleve, duke filluar nga fëmijët tek të moshuarit, nga nxënësit te studentët, nga artistët e poetët, te diplomatët, nga politikanë të biznesmenët, një mozaik moshash, gjinish e profesionesh. Të jetosh në mbretërinë e luleve, është një privilegj. Ndaj edhe Luani me dëshirën e tij ka lënë dy vende pune të preferuara, të vlerësuara e kërkuara nga intelektualët e bujqësisë, si Institutin e Perime-Patateve dhe Ministrinë e Mjedisit, që shumëkush do t’i kishte zili si një privilegj dhe vlerësim krenar. Me sa duket, pushteti i luleve bën të zhvlerësosh të gjitha ofiqet e gradat.

Politika si kopsht...

“Politikani” i luleve, Luani, politikën e sheh si një kopsht me lule shumëngjyrëshe, ku partitë duhet të jenë si një buqetë që ta zbukurojnë e hijeshojnë jetën e shqiptarëve dhe jo ta konfliktojnë, agravojnë e acarojnë marrëdhëniet mes njerëzve. Në çdo mjedis shtetëror, social, familjar të synohet të zbukurohet me lule, vetëm kështu do të hijeshohet ambienti, do të zbuten ndjenjat e do të qytetërohet publiku. “Është dashur një rrugë e gjatë për t’i bërë njerëzit sensibël ndaj aromës së luleve. Përsëri mund të themi se ende nuk kemi arritur të krijojmë një shoqëri masive të kulturuar, që dashuron lulet, si simbol të së bukurës”. Kjo situatë ka shpjegimet dhe vlerësimet e veta, që nuk duhen harruar. Erdhëm nga një sistem ekonomiko-shoqëror ku varfëria ekonomike, jeta e zbrazët, shpirti i vrarë, ndjenjat e ngrira e kishin bërë njeriun shqiptar një qenie të ftohtë, me standarde klishe, pa individualitet dhe integritet shoqëror. Ndokush që përdorte për dhuratë një buqetë me lule, etiketohej si “dalë mode”, “borgjez”, “modern” e të tjera epitete përçmuese. Lulja në Shqipëri lindi si dhuratë shpirtërore me ardhjen e demokracisë. Ka pasur festa pagane, si Dita e Verës, që në fshat mblidhnin lule natyrale, si: manushaqe, luledele trëndelinë, borzilok, etj., për t’i dhuruar, por kurrë nuk mendohej për ti kultivuar si një send të çmuar për dhurata simbolike, mbresëlënëse. Varfëria ekonomike kishte bërë që për festa, ditëlindje, martesa, dhuratat ishin në lekë, ose në rrobe për tu veshur. Ndryshimet e sistemit sollën ndryshime në koncept, kulturë, marrëdhënie dhe jetën sociale.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›