Fuqia e dëshmisë
Jo çdokush mundet të dëshmojë. Fuqia e dëshmisë, qoftë në nivelin personal, qoftë në atë shoqëror, është e lidhur ngushtë me shkallën e vetëdijes mbi fatin kolektiv që e pret popullin të cilit i përket dëshmuesi. Në rastin e librit memuaristik Jetë e humbun, të Ejëll Çobës, ne na rikthehet një bujtës i ferrit komunist për të na dëshmue përvojën e vet, të miqve dhe të intelektualëve shqiptarë, pikërisht aty, në zanafillën e ngjizjes së territ komunist, të këtij fataliteti kombëtar, që do të zgjaste gjysmë shekulli. Dëshmia e Ejëll Çobës është dëshmia e një intelektuali kreativ, i cili, përveç formimit shkencor e kulturor në shkollat dhe universitetet më të mira të Europës, ka harmonizue në vetvete jo vetëm edukimin kombëtar e patriotik, por edhe një përvojë të vyer pragmatike në drejtimin e institucioneve më të larta të shtetit. Prandaj dëshmia e përjetueme prej tij kalon përmes filtrit të një vetëdijeje të esëllt njerëzore, intelektuale e qytetare e shi për këtë shkak, ne kemi mundësinë me përftue një sferë të vëzhgimit shtesë mbi plojën dhe kasaphanën komuniste, mbi praktikat terroriste të ushtrueme prej pjellave të Stalinit e nacionalkomunizmit serb mbi intelektualët shqiptarë, e më posaçëm, mbi aristokracinë shkodrane. Përqendrimi i terrorit komunist mbi intelektualët, dijetarët e me theks të veçantë mbi personalitetet kulturore të Kishës Katolike, këta mësues të atdhedashurisë, ndeshet edhe në faqet tronditëse të këtij libri memuaristik. Me likuidimin e intelektualëve dhe personaliteteve kulturore të Kishës Katolike, komunistët shqiptarë përmbushën dy objektiva të rëndësishëm: kauzën e njohur të tyre për atme e fe dhe veçimin e polemit prej udhëheqësve të tij humanë e shpirtërorë, për ti hapur udhë mandej shtypjes, shfytyrimit dhe tjetërsimit të plotë etnopsikik. Në fakt, gjithë praktika e ushtruar nga makina masovike e dhunës me gjyqet publike është e gjitha e huazuar, e importuar dhe e zbatuar sipas modeleve më të egra sovjete të kohës së terrorit të madh stalinist.
Ka një moment reflektues në prozën memuaristike të Ejëll Çobës, ku shpalohet dhimbshëm reaksioni i vetëdijes intelektuale, të fitueme me sakrifica. Dhe ky moment zbulese vjen nga zgavra më poshtëruese e hadit komunist – në itinerarin ndërmjet torturave në hetuesi, më konkretisht, në një nga nevojtoret ku i përplasnin të burgosurit:
Ai që ma shpesh më nderonte me shqelmat e tij, ishte një farë kapiten Muço prej Përmeti. Në shpirtin tim ndiejsha atë që duhet të kenë ndie skllavët e kohëve të vjetra ose rajatë e kohës së Turqisë. Kush e di sa herë do të jenë përbuzë stërgjyshët e mi raja, e ndoshta edhe ma keq, por unë, nipi i tyre, isha çmësue me të tilla trajtime, prandej e ndiejsha tepër thellë!.
Kjo ndjesi e përcjellë nga Ejëll Çoba dallon prej dëshmive të shumta e të burgjeve komuniste ku i përplasi fati shpesh edhe emra të tjerë të dëgjuar intelektualësh e familjesh të mëdha. Por, vetëdija e përkatësisë, vetëdija e lirisë së fituar me sakrifica, vetëdija e statusit të fituar me studime, punë e përkushtim, me ëndrra për të krijuar një shtet e shoqëri moderne shqiptare, krahas ndjeshmërisë së thellë për fatet e familjes, është njëkohësisht dhe sekreti i fuqive të pamposhtura, i rezistencës dhe i krenarisë për ta përballur pa u ligështuar të keqen e barbarisë komuniste. Në një episod tjetër të librit, autori na përshkruan garat e hetuesve me të pandehurit e tyre, të cilët, pas seancave të torturave i përdorin në vend të kuajve të vrapimit. Paradoksi mizor shpreh makthin më të tmerrshëm antiutopik të asaj metafore se çfarë ndodh e çfarë do të vijojë të ndodhë në krejt Shqipninë: një turmë barbare idiotësh shpirtligj, samarxhinj, teneqepunues, çirakë, barinj e aventurierë që kanë zbritur nga malet dhe kanë nxënë shkrim e këndim në kurset kundër analfabetizmit, përdorin për gara kuajsh njerëzit më të shkolluar të vendit, bijtë e aristokracisë shqiptare, të vetmit që kanë trashëgue kulturën, arsimin, humanizmin, kujtesën, vlerat e virtytet e grumbulluara të kombit. Këtë paradoks e vë në dukje në gjyqet speciale edhe avokati mbrojtës i fretënve, Muzafer Pipa, i cili në prag të çeljes së këtyre gjyqeve, deklaron: Si asht e mundune zotnij, që nji trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-teneqexhi (Koçi Xoxe) e për prokuror një ish-kafexhi (Bedri Spahiun) – të gjykojë elitën e kulturës shqiptare?!.
Rrëfimi autobiografik i Ejëll Çobës zbulon jo vetëm afreskën e perzishme me bëmat e këtyre teneqexhinjve, por nëpërmjet dëshmisë së tij ai na zbardh parimin komunist, sipas të cilit – sytë që kanë pa duhen verbue; veshët që kan degjue duhen shurdhue; gjuhët që kanë folë duhen shkurtue, e krenjat që mendojnë duhen pre!
Ejëll Çoba, dëshmues i kësaj guide nëpër ferrin e burgjeve komuniste, të cilën e shoqëron me vargjet e Dantes në origjinal, u përfshi, bashkë me vëllezërit e tij, në hekatobën e përgjakshme të Kryengritjes antikomuniste të Postribës. Ai ishte nga familja Çoba, ndër më të vjetrat e aristokracisë shkodrane, e cila kohë mbas kohe kishte nxjerrë personalitete të shqueme politike e shoqnore për kombin. Të shumta qenë vuajtjet e sakrificat që do ti paguante kjo familje komunizmit, sidomos me disa prej bijve të saj të fundit. Ati i tyne, Gjon Çoba, ish-deputet, si prind me vizion që kishte qenë e për ekzigjencat që kishte pasë, të tre bijtë e tij, qysh të vegjël, i kishte dergue në Itali për tu arsimue, ku ata kishin ndjekë të gjitha ciklet shkollore, që nga fillorja deri në universitet. Edhe Ejlli, pas shkollës fillore në vendlindje, do ta ndiqte këtë zinxhir arsimimi në Itali, derisa do tu lauronte për jurisprudencë në universitetin e famshëm La sapienza të Romës më 1932-shin. Pas kthimit në Tiranë, Ejlli ndjek karrierën profesionale e politike, duke demonstrue një karakter të fortë prej njeriu ithtar të ligjit dhe të së drejtës, ta pakompromentueshëm e të pakorruptueshëm, çka motivoi besimin e aktorëve më të rëndësishëm të politikës, duke i ofrue poste mjaft të rëndësishme, deri në postin e nënministrit të brendshëm. Vëllau tjetër, Keli, që e ndeshim në faqet e memuareve, ka mbarue për jurisprudencë dhe diplomaci dhe vazhdoi karrierën diplomatike nga Beogradi në Paris. Më i vogli i vëllezërve, Filipi, i diplomuem për ekonomi, do të ishte një prej themeluesve të Bankës së Shqipnisë.
Në faqet e prozës memuaristike të librit Një jetë e humbun, ne e përftojmë pak nga pak portretin e autorit, nëpërmjet detajeve të përditshmërisë së qelive dhe hetuesisë. Autori shpeshherë bën digresione të rëndësishme, duke na skicue portrete të paharrueshme, duke hedhë dritë mbi episode të historisë sonë e duke meditue filozofikisht mbi fatin e natyrën e njeriut. Refleksioni intelektual përballë situatave të rënda, si në paragrafin e mëposhtëm kur autori përshkruan rrugëtimin e transferimit në burgun e Tiranës:
…Ma vonë, në burg, kur po bisedojshim me Hafizin dhe Hamdiun, ky i fundit na tha: – sa herë ndalej kamioni, hidhsha nji sy anëve të rrugës, e kur shihsha ndonji pyll të vogël në afërsi, mendojsha se aty do të na pushkatojnë. Hafizi dhe unë u çuditëm për çka kishte mendue Hamdiu e i thamë se nji gja e tillë ne sna kishte shkue ndërmend. Por na ishim njerëz të shkollës e të ligjit, kurse Hamdiu ndoshta e njihte ma mirë Shqipninë!.
Njeri me një ndjenjë të jashtëzakonshme mase, Ejëll Çoba e tregon këtë virtyt edhe në tonin, stilin dhe përshkrimin skrupuloz të ngjarjeve. Frazat e thukëta, parimi përzgjedhës pa shumë fjalë, dromcimi i vazhdueshëm i rrëfimit pa patetikë e pa lajle, të krijon një komoditet leximi jashtë sentimentalizmave. Proza autobiografike e librit kursen linearitete të panevojshme duke të lënë shijen tragjike të fragmentit. Situata zbulohet dhe fiksohet nëpërmjet detajeve; atmosfera me pak viza e penelata ngjyroset. Fizarmonika q
