E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e ashpër kundër variçeve

është koha të kujdeseni për veten dhe shenjat e pakëndshme nëpër këmbë mund të shndërrohen vërtet një problem, sidomos për femrat. Variçet dhe kapilarët shkaktohen nga një mosfunksionim i qarkullimit të gjakut: si t’i parandalojmë, t’i kurojmë dhe t’i eliminojmë këto armike të bukurisë femërore

Stina e bukur e pranverës tashmë ka ardhur dhe është momenti më i mirë për të zbuluar këmbët. Por nëse këto të fundit janë të mbushura me shenja të pakëndshme si variçet dhe damarë të kuq, kjo gjë mund të shndërrohet në një problem. Variçet dhe kapilarët e gjakut janë një dhuratë e pakëndshme e kohës që kalon: ndërsa plakemi vërejmë nëpër këmbë vija me ngjyrë vjollcë dhe jeshile “të dhëmbëzuara” e të fryra. Këto deformime të enëve të gjakut janë pothuajse një problem kryesisht për femrat: prekin mbi 50% të femrave nga mosha 30 deri në 60 vjeçe, por mund të preken edhe vajzat më të reja. Deri tani mjekët thonë se ndonëse venat varikoze janë një sëmundje kronike, origjina e tyre ende është e panjohur. Faktorët ndikues janë disa, trashëgimia, shtatzënia, mosha, mbipesha, profesioni etj. Por le të zbulojmë së bashku se çfarë janë ekzaktësisht variçet, si formohen dhe si mund t’i zhdukim. Mjekët specialistë këshillojnë për të sëmurët që vuajnë nga varikozat dhe si mund të shmangen ato. Por rëndësi të veçantë për luftimin e kësaj sëmundjeje është qëndrimi i drejtë dhe mundësisht shmangia e jetës sedentare. Gjithashtu, duhet të evitohet qëndrimi ulur me këmbët kryqëzuar, si dhe mbajtjen për shumë gjatë të këpucëve me taka të larta.
Venat varikoze apo siç njihen në gjuhën e popullit dalja e damarëve të këmbës është sëmundje kronike, por në fakt, origjina e tyre ende është e panjohur. Venat varikoze shfaqen përgjithësisht te gratë mbi moshën 30 vjeç dhe kjo vjen për shkaqe trashëgimie, ose mund t’u shfaqen grave shtatzëna, grave mbipesha, por edhe nga mosha dhe profesioni.

Kapilarët ose venat varikoze janë enë të vogla gjaku të dukshme përmes lëkurës, me ngjyrë të kuqe, vjollcë dhe jeshile. I ngjajnë pak a shumë rrjetës së merimangës. Fillimisht shfaqen vetëm në kofshë ose fytyrë. Venat varikoze diferencohen nga të tjerat, sepse ato janë enët më të mëdha të gjakut, të fryra dhe të dhëmbëzuara, me ngjyrë jeshile të errët dhe që qëndrojnë në reliev mbi lëkurë. Në pjesën më të madhe të rasteve shfaqen në këmbë, shputën e këmbëve dhe mbi kavilje. Një venë e shëndetshme, e cila është në punë, e transporton gjakun nga poshtë lart. Nëpër variçe gjaku rrjedh ngadalë dhe në anë të kundërt, gjë që e dobëson venën: si pasojë, vena është e prirur të fryhet dhe të deformohet. Venat varikoze mund të jenë edhe të dhimbshme: në zonën e prekur mund të ndihen të djegura, pickime, ndjesi shpimi me gjilpëra dhe lodhje. Në fakt, venat më të imflamuara mund të vështirësojnë qarkullimin e gjakut, duke ënjtur kaviljet e duke u krijuar probleme lëkurës dhe këmbëve. Venat si rrjetë merimange mund të jenë të pakëndshme në pamje, por rrallëherë janë të rrezikshme për shëndetin: vetëm me raste mund të shkaktojnë probleme, sidomos pranë kaviljeve. Avantazhi është se mund të diagnostikohen nga mjeku, i cili duke parë me kujdes zonat e prekura mund të dallojë ënjte dhe ndryshim të ngjyrës së lëkurës.

Si të zvogëloni sikletin

Nëse ju shkaktojnë dhimbje dhe lodhje të gjymtyrëve të poshtme, mjekimi më i thjeshtë janë çorapet pa llastik të fortë, të cilat lejojnë qarkullimin e gjakut, duke lehtësuar në këtë mënyrë dhembjet. Nëse problemi janë ënjtjet, atëherë mund të provoni të mbani një dietë e cila nuk përmban kripë, për të zvogëluar mbajtjen e ujit. Një këshillë tjetër është që të vini një jastëk poshtë këmbëve kur jeni të shtrirë, në mënyrë që jenë më lart sesa niveli i zemrës, për të favorizuar qarkullimin e gjakut.

Si t’i eliminojmë

Nuk është e këshillueshme praktikimi i sporteve të rënda si tenisi, ngritja e peshave etj. Aktiviteti sportiv më i rekomandueshëm është noti dhe përdorimi i biçikletës. Udhëtimet, pushimet dhe aktivitetet në natyrë. Gjatë udhëtimeve të gjata me makinë, duhet ndaluar dhe ecur në këmbë për një kohë të shkurtër, ose në autoveturë mund të uleni në sedilen e pasme me këmbë të shtrira mbi sedilen e përparme. Në qoftë se udhëtoni me tren ose me autobus ndërprisni qëndrimin ulur duke lëvizur në të. Në udhëtimet e gjata me avion mbi 2 orë duhet lëvizur vazhdimisht. Evitimi i qëndrimeve në diell mbi 30 min pa lëvizur, lëvizja në diell nuk përbën kundraindikacion. Ecja në det ku niveli i ujit duhet të jetë deri në nivelin e kofshëve është e rekomandueshme. Të sëmurët të cilët vuajnë nga venat varikoze nuk duhet të qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë pa lëvizur, n.q.s. është i detyruar atëherë duhet të bëjë ecje në vendnumëro ose të ngrihet e të ulet në majë të gishtave disa herë. është tej mase e këshillueshme që të evitojë jetën sedentare, qëndrimet ulur për një kohë të gjatë pa lëvizur. Duhet të evitojë mbajtjen e veshjeve të ngushta (si korse, xhinse, aderente etj.) që shtrëngojnë kofshët apo kërcinjtë. Takat shumë të larta apo të sheshta nuk duhen të mbahen kurrsesi, por këshillohet që të jenë mesatarisht midis 3-5 cm. Mesazhet e forta në zonat e shfaqura varikoza nuk duhen bërë, pasi kjo e përkeqëson akoma më shumë atë. Duhet shmangur nxehtësia lokale në këmbë për një kohë të gjatë, për shembull soba, furnela, borsa me ujë të nxehtë në këmbë. Në asnjë mënyrë femrat që vuajnë nga variçet nuk duhet të pinë duhan. Ushqimi duhet të jetë i atillë që të shmangë kapsllëkun, të favorizojë apo të përkeqësojë hemorroidet ose variçet. Duhet të kujdeseni për rëniet ose shtimin në peshë në mënyrë të theksuar. Duhet të mos konsumoni ushqime pikante dhe alkool, pasi këto mund të shtojnë të kruarat. është e mirë që të pakësoni konsumin e bukës, brumërave dhe ëmbëlsirave. Gjithashtu është e rëndësishme që të reduktoni përdorimin e kafesë dhe të shumë frutave. Por ajo që është më e vlefshme, këshillohet një dietë e pasur me fibra, perimet etj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›