Rruga elektorale, Bulqizë-Ura e Çerenecit, dëmtohet brenda vitit
Ende pa u mbushur viti nga përfundimi i punimeve, në rrugën Bulqizë-Ura e çerenecit, pjesë e Rrugës së Arbrit, janë shfaqur defekte serioze, që vënë në pikëpyetje investimin prej 15 milionë eurosh. Prej disa ditësh, në vendin e quajtur “Allet”, në fshatin Peladhi, rreth 10 kilometra larg qytetit të Bulqizës, janë vërejtur rrëshqitje të trasesë së kësaj rruge. Ndërkohë reshjet e këtyre ditëve kanë shkaktuar thellimin e dy plasaritjeve tranversale, duke shkaktuar rrëshqitje të një segmenti rrugor me gjatësi rreth 100 metra. Aktualisht, thellësia e shkarjeve të rrugës ka krijuar një disnivel ndërmjet pjesëve të trasesë së rrugës, duke e bërë atë njëkalimshe. Kjo ka sjellë probleme për drejtuesit e automjeteve që e përshkojnë atë çdo ditë. Madje për automjetet e tonazhit të rëndë, ajo është pothuajse e pakalueshme. Shoferët dhe banorët e kësaj zone shprehen të pakënaqur me cilësinë e punimeve në këtë pjesë të rrugës. Përurimi i rrugës është bërë në muajin qershor të vitit të kaluar, në kuadër të fushatës elektorale. Ndër vite ky segment rrugor ka qenë problematik, pasi struktura e trasesë së rrugës në këtë pjesë rruge, është tejet e paqëndrueshme dhe rrëshqitëse. Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër, bëjnë me dije se gjatë sistemim-asfaltimit të kësaj rruge firma tenderuese, duke qenë e njohur me strukturën gjeologjike të saj, ka zbatuar me përpikëri projektin teknik, pikërisht për të frenuar rrëshqitjet e këtij segmenti rrugor. Për këtë ajo ka realizuar mbi 250 shpime me sondë, për ndërtim pilotash, por tashmë shihet qartë se projekti teknik nëse është zbatuar, ka dështuar. Sipas inxhinierit gjeolog, Sefedin Shabani, shpimet me sondë të kryera në këtë pjesë rruge, për ndërtimin e pilotave me rërë, nuk kanë shkuar në thellësinë e duhur të tabanit të tokës. Ndërsa sipas inxhinierit gjeolog, Jorgo Kola, ndërtimi i pilotave prej rëre është i gabuar teknikisht, pasi nuk mund të ndalohet rrëshqitja e strukturave të shkrifëta me struktura po të shkrifëta. Një tjetër shkak i rrëshqitjes së rrugës, sipas specialistëve, mendohet të jetë edhe ai i shpejtimit të punimeve, vetëm që ajo të përurohej në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë, nëse rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë, po vjen dhe bëhet e pakalueshme për automjetet, mbetet e paqartë se si do të veprohet për rikonstruksionin e saj. Edhe në Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Dibër, ngrenë supet për zgjidhjen e këtij problemi, e mjaftohen duke thënë se është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e cila do të përcaktojë zgjidhjen e këtij problemi.
#