E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e ftohtë në PD, Olldashi ngre audit kundër Belle Air

Ministria e Transporteve nxjerr udhëzimin e ri për auditin e kompanive ajrore. Belle Air, hyri në tregun e fluturimeve në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve

basha-olldashi1Ministria e Transporteve mësohet se ka nxjerrë një udhëzim të ri që ngre një strukturë të re auditi, e cila do të monitorojë kompanitë e fluturimit, për shkeljet që këto të fundit mund të bëjnë. Kohët e fundit ka pasur shumë ankesa nga pasagjerët kundrejt kompanive në fjalë, të cilat kanë anuluar shpesh herë fluturimet, duke mos i vënë në dijeni qytetarët për afatin dhe arsyet e ndërprerjes së fluturimit.
Udhëzimi
Nisur nga situata në fjalë, Ministria e Transporteve ka nxjerrë udhëzimin, që autorizon ngritjen e një strukture të posaçme inspektimi në Autoritetin e Aviacionit Civil. Pas udhëzimit të vitit të kaluar për detyrimet që kanë kompanitë ndaj pasagjerëve, një udhëzim i ri përcakton rregulloren dhe kompetencat e inspektorëve të këtij autoriteti. Këta të fundit tashmë marrin kompetencën e kontrollit dhe të auditimit të zbatueshmërisë së Kodit Ajror dhe të ligjeve të tjera e akteve nënligjore që lidhen me këtë sektor të transportit.
Inspektorët
Referuar rregullores, inspektorët do të pajisën me autorizime të veçanta, që u japin atyre kompetencën e kontrollit dhe të auditimit të çdo operatori në këtë sektor. Inspektorët gëzojnë të drejtën e aksesit në secilin mjet ajror, të kontrollit të dokumentacionit të operatorëve apo ekuipazhit, ashtu sikurse dhe të kryejnë inspektime gjatë fluturimit. Në fund të çdo inspektimi apo auditimi, kjo strukturë e re do të përpilojnë raporte përkatëse. Problemet
Ngritja e kësaj strukture të re inspektimi vjen në një kohë kur sektori i transportit ajror në Shqipëri po vuan problemin e monopolizimit nga kompania e vetme shqiptare Belle Air. Jo në pak raste qytetarët janë detyruar të vuajnë pasojat e monopolit të këtij sektori ku nuk zbatohen detyrimet ligjore që kompani të veçanta në sektorin e fluturimeve kanë ndaj udhëtarëve. Shpeshherë janë vërejtur raste të anulimit të fluturimeve pa njoftuar pasagjerët apo vonesa në nisjen e avionëve, duke shkaktuar dëme të shumta te qytetarët e thjeshtë.
Lufta e ftohtë
Kompania ajrore Belle Air, tashmë është monopol në tregun e fluturimeve shqiptare, pas nxjerrjes nga tregu i kompanisë tjetër Albanian Airlines. Kompania Belle Air, hyri në tregun e fluturimeve në vitin 2006, në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve, dhe tashmë ministri aktual Sokol Olldashi po forcon strukturat e auditit kundër kompanisë në fjalë. E gjitha kjo duket një luftë e ftohtë mes dy kandidatëve potencialë për kreun e ri të PD-së. Sokol Olldashi, ministri aktual i Transporteve, dhe Lulëzim Basha ish ministër i transporteve, (kohë kur u çel edhe Belle Air), duket se po luftojnë njëri-tjetrin me çdo lloj mënyre për të fituar garën më të rëndësishme në karrierën e tyre politike, kreun e ri të Partisë Demokratike.

Historia e monopolit Belle Air
Kompania ajrore Belle Air, tashmë është monopol në tregun e fluturimeve shqiptare, pas nxjerrjes nga tregu i kompanisë tjetër Albanian Airlines. Kompania e fluturimeve Albanian Airlines ka mbetur e bllokuar për shkak të një vendimi të Autoritetit të Aviacionit Civil, i cili revokoi lejen e fluturimeve pa ndonjë motiv të arsyetuar. Ndërsa kompania Belle Air, hyri në tregun e flurimeve në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve. Më saktësisht Belle Air u shfaq si kompani gjatë vitit 2006, pasi iu hoq licenca e operimit një kompanie mjaft të suksesshme Albatros. Me eliminimin e konkurrencës në treg, Belle Air, kohët e fundit ka shtuar disa linja të reja fluturimi. Kështu, Belle Air filloi fluturimet nga Tirana për në Londër dhe nga Tirana në Bruksel. Po ashtu, Belle Air filloi fluturimet nga Tirana për në Athinë, Heraklion e Rodi. Kjo kompani ka hapur edhe linjën e re Tiranë-Stuttgart dhe Tiranë-Barcelonë, dhe pritet të hapë edhe linja të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›