Vendimi për shtetësinë, Berisha: Kushtetues, tërboi albanofobët
Albanofobët kanë tmerr ndaj çdo hapi që i bashkon shqiptarët njëri me tjetrin
Kryeministri aktual, Sali Berisha, i është rikthyer edhe një herë vendimit të qeverisë për dhënien e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Duke ju përgjigjur shqetësimit të një qytetari në rrjetin social Facebook, kryeministri Berisha e cilëson vendim për dhënien e shtetësisë si një vendim i cili i përgjigjet Kushtetutës së vendi, ndërkohë që nuk i kurseu as akuzat për opozitën e cila e kundërshtoi atë.
Deklarata
Kreu i qeverisë në reagimin e tij thekson se ky vendim është pritur mirë nga të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e më larg gjeri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4 vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është punë e tyre. Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë por dhe siç dihet ai është pritur me tërbim të vërtetë nga albanofobët jo shqiptarë dhe shqiptare. Këta të fundit të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin. Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauze të përbashkët me albanofobët jo shqiptarë në mbështetje të këtyre të fundit, shkruan kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook. Në vijim, kreu i qeverisë e cilëson këtë vendim si të vonuar për shqiptarët, ndërsa rendit një sërë vendesh të cilat e kanë miratuar ligjin për shtetësinë kohë më parë. Një vendim të këtij lloji për pakicat dhe bashkëkombësit e tyre e kanë marrë vite më parë pa përjashtim të gjitha vendet e rajonit dhe më gjere si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, etj. Madje Greqia, e ndofta ndonjë vend tjetër, paguan pensione të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo në këto vende nuk ka ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. Prandaj dhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit vendime të tilla. Ju rikujtoj këtu se me dekretin e 17 korrikut të vitit 1992 unë si President Republike dekretova njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që jetonin përfshirë këtu edhe qytetarët e Kosovës, e cila asokohe ishte pushtuar nga serbët, vijon më tej, kryeministri Sali Berisha. Në përfundim, kreu i qeverisë bën të ditur se zbatimi i këtij ligji do të nis në dhjetëditëshin të fundit të muajit korrik.