E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e ndyrë dhe bashkëfajësia

Kush e ka lexuar korpusin e Karl Marksit, e di se përpara se të jetë ekonomist, ai është sociolog dhe filozof. Mendimi ekonomik në veprën e tij është për shkak të ndikimit të shokut të tij, Frederik Engels, i cili ishte pronar fabrike dhe familje industrialistësh, pra njeri i lidhur me paranë dhe fenomenet e saj. Që Marksi është nga sociologët më të mirë të kohës së vet, është diçka që e konstaton në përshkrimet që i bën epokës kur jetoi. Është ndër themeluesit e mendimit filozofik modern, kur tashmë që gjakrat janë ftohur, e kanë pranuar gjithë filozofët e kohës së sotme. Sa i takon mendimit ekonomik, teoritë e tij për mbivlerën, kapitalin, koston dhe shumë fenomene ekonomike që i cekit në veprën e tij, merren parasysh në matricat ekonomike që krijohen për t’u dhënë zgjidhje krizave të sotme ekonomike dhe sociale. Asocimi që i bëhet Marksit me komunizmin që u instalua në Rusi dhe më vonë në gati gjysmën e botës, erdhi nga Vladimir Lenin. Këtij të fundit, duke qënë një revolucionar profesionist, i duhej një aureolë filozofike dhe teori për të justifikuar sistemin që po vendoste. Dhe marksizmi ishte ai që i afrohej më tepër vizionit të tij, duke pasur intuitën të shfrytëzonte modën e kohës dhe trendin e botës. Lenini nuk ishte filozof, por një organizator, revolucionar dhe manipulator masash i rangut të parë. Ishte i pari që shfrytëzoi atë, që më vonë do të bëhej praktikë e zakonshme nga shumë revolucionarë, demagogë, terroristë, fashistë apo autokratë: Përdorimin e Marksit dhe teorive të tij, për të justifikuar një sistem, apo anatemuar atë. Sa ka ndodhur më vonë me marksizmin, është çështje këndvështrimi. Gjatë shekullit që shkoi dhe këtij që po ecim, nuk do mungojnë rastet e përdorimit të tij për mirë apo keq. Në thelb, ajo është vetëm një teori që përpiqet të shpjegojë mekanizmin që çon përpara njerëzimin. Është vetëm një tullë në mendimin filozofik, e cila jep kontributin e saj në plotësimin e përgjigjes të pyetjes se si funksionon shoqëria njerëzore. Ashtu siç Europa është kontinent më vete nga pikëpamja kulturale, politike dhe historike, por gjeografikisht është vetëm një gadishull i madh i kontinentit Euroaziatik, edhe marksizmi për dikë është shpjegimi përfundimtar i botës, por për të tjerë vetëm një pjesë e saj. Rruga e tij ngjan me atë të krishtërimit, që lindi për të mbrojtur barazinë njerëzore, familjen dhe vlerat, por nga inkuizicioni dhe Torkuemada ishte filozofia që justifikonte çuarjen e njerëzve që mendonin ndryshe në turrën e truve. Marksi për dikë është ashtu si Muhameti për një kamikaz që e shikon si dishepullin e dhunës, por në realitet secili nga këta është një personazh historik, që u mundua të vendoste rregulla në shoqërinë njerëzore.
Përpara disa ditësh, në një mbledhje të sajuar, me plate “yjet” e mendimit ekonomik të universiteteve shqiptare, për të mijtën herë, kryeministri – orator, përdor Marksin si gogol për të trembur publikun, duke i ngjitur edhe krijimin e taksës progresive. E cilësonte taksën progresive si teori marksiste. Është e kotë të shpjegosh se Marksi nuk ka elaboruar ndonjë teori për to, pasi shoqëria që mendonte se duhej të krijohej, ishte ajo pa taksa. Ashtu si çdo student i ekonomisë e di se taksa e sheshtë është karakteristikë e feudalizmit (“e dhjeta”, “e treta”, e të tjera taksa që varionin nga mbretëria në mbretëri), siç në kohët e sotme është karakteristikë e vendeve të dobëta e korruptuara me administratë të pa stabilizuar. Si çdo njeri që lexon shtypin e di, se taksa progresive është një sistem që përdoret në gjithë vendet e zhvilluara, të Amerikës Veriore, Australisë dhe Europës Perëndimore. Por duket në strategjinë elektorale të kryeministrit është përdorimi i çdo mjeti, përfshirë falsifikimin e shkencës, që të mund të fitojë. Fakti që nuk nguron të bëjë një luftë të tillë të ndyrë, është shenjë paniku ndaj rezultatit të pritshëm elektoral. Megjithatë, duke njohur stilin e tij, është e pritshme mungesa e skrupujve. Ajo që është dëshpëruese, ka lidhje me bashkëpunimin e heshtur të elitës shkencore të kësaj fushe. Mund të justifikohet inteligjenca shqiptare për heshtjen ndaj sistemit komunist sepse të ikte koka. Justifikohet për heshtjen e sotme, pasi të ikën buka. Por mund t’i kursejnë vetes pjesëmarrjen në salla ku dëgjojnë teoritë ekonomike të një mjeku. Është e justifikueshme që deri më sot, askush nga akademikët nuk ka dalë të shpjegojë se çfarë thotë kryeministri i vendit ose është lajthitje shkencore, ose lajthitje e ligjëruesit. Por mund të shpjegojnë se taksa progresive është karakteristikë e vendeve kompetitive. Nuk kanë pse marrin pjesë në ligjëratat ekonomike të Berishës. Ose në të kundërt, bëjnë mirë të heqin titujt shkencorë që mbajnë para emrave të tyre. Pasi shkenca, e cilësdo fushe qoftë, ka si karakteristikë mungesën e konformizmit me rregullat dhe pushtetin. Ca më tepër kur ky flet broçkulla.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›