E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apatia qytetare

Në distancën e njëzet viteve, pas përmbysjes së komunizmit, krahasuar me sot, duket sikur jemi transformuar në një tjetër popull. Sot ka ndryshime të qenësishme në psikikë, në mendësi, në mirëqenie, në diferenca materiale e krahinore, mes ruralëve dhe urbanëve, qytetarëve të zakontë e të pushtetshmëve, e ngjizur kjo me apati qytetare, më konkretisht, me reagimin belbacak qytetar ndaj padrejtësive, pabarazive, paudhësive dhe shkeljes së të drejtave. Apatia qytetare ka pësuar rënie të lirë për shumë arsye. Më kryesorja: ne nuk bëhemi dot bashkë për të mbrojtur interesin publik, të komunitetit, të kombit, të mjedisit, të ligjit, të trashëgimisë kulturore, etj. Po përse ka ndodhur kjo rropamë morale dhe si shpjegohet që në vitet e para të demokracisë, edhe pse dolëm nga dhuna gati gjysmëshekullore, apatia nuk ishte kaq e mpaktë?
Asokohe nuk flitej për “shoqëri civile”. OJF dhe sindikata nuk kishte, media ishte ende e cungët nga censura, frika dhe mediokriteti, liria dhe lëvizja e lirë ngjante si një ëndërr e largët… E megjithatë skandali publik, fjala e shkruar, zbulimet e bëmave të Bllokut, grevat e urisë, debatet e hapëta politike, zbulimi i arit nga sharlatani Xhon Megou, premtimet e partive dhe të krerëve të tyre, shembja e idhujve, vota dhe zgjedhjet e lira, bashkë me pyetjet “nga do të shkojmë e kujt duhet t’i besojmë?”, kishin kuptim e rëndësi jetike për çdo qytetar e katundar të tokës së shqiponjave. Fjala e lirë peshonte e ndikonte më shumë se Kanuni. Apatia qytetare quhej dobësi, frikë, nostalgji për regjimin e përmbysur. Grevat e urisë të studentëve e të minatorëve të Valiasit, edhe pse më shumë të inskenuara se të vërteta (sa për kujtesë: kur në minierën e Mborje Drenovës mjeku hyri në zgafellë të kontrollonte gjendjen shëndetësore të grevistëve dhe doli që andej i dehur…) bënin efekt elektroshoku mbi të gjithë popullin, aq sa rrëzonin jo vetëm qeveritë, por edhe shtatoren e idhullit të djeshëm politik… Sheshet e mitingjeve nuk rrëmbusheshin me urdhër, me nëpunës e fëmijë shkollash, me klakerë trushkulur e mercenarë pesëmijë-lekësh, pasi fjalimet e udhëheqësve të rinj ndiqeshin e përpiheshin si ujët e bekuar. Opinioni publik ishte si një llavë që derdhej jo nga lart, po nga poshtë lart. Po ç’të ketë ndodhur tani në mendësinë tonë që apatia qytetare të jetë bërë kaq sunduese e paralizonjëse?
***
Aty nga vitet ‘92-‘93, në majë të Kërrabës, teksa një regjisor japonez po filmonte bukuritë e maleve, një katundar me gomarin e ngarkuar me gjyma për ujë po ecte buzë xhadesë… E ndaloj dhe e pyes: nuk keni burim poshtë, në fshat? Kishim, - tha - por i prishëm tubacionet, se erdhën e na thanë: këto i ka bërë komunizmi, ne do t’ua fusim ujin brenda në shtëpi, si në qytet, po të votoni për ne… E njëjta ndodhi me kanalet e vaditjes e të kullimit, hidrovoret, tokat bujqësore, plantacionet, pasuritë e përbashkëta gjithandej… Edhe sot e kësaj dite një pusetë e marrë për skrap, që shitet me kile në një pikë grumbullimi vlen më shumë se këmba e thyer e gjitonit, pa menduar se mund ta pësojë edhe ndonjë i afërm… Aq shumë i besonim fjalës, sa u bindeshim edhe marrëzive që na premtoheshin. “Luga e florinjtë” e partizanëve u zëvendësua me ëndrrën për mirëqenie evropiane… Nuk e dinim që po shkonim drejt anarkisë, drejt 97-ës!
Kurse sot nuk i besojmë të vërtetës, edhe kur na jepet falas me zë e figurë… Kronikat e zeza, të përditshme e të përzishme, të padëgjuara kurrë më parë, janë më pak mbresëlënëse se takimi i kryeministrit me Anxhela Martinin, apo se thyerja e rekordit të qëndrimit të tij në ujë, në Dhërmi… ! Si, si tha? Ky Skënder Tufa që drejton grevën e urisë të të përndjekurve paska patur bordello në mes të Tiranës?! Kaq mjafton që të largohet vëmendja nga greva, madje edhe që ta shohim personin në fjalë, bashkë me grevistët, me dyshim… E pra, a mund të blihet apatia qytetare? Sa kushton ajo dhe kush investon për ta kultivuar në “Lazaratin” tonë social këtë “kanabis”? Ç’të ketë ndodhur vallë gjatë këtyre viteve të demokracisë që jemi bërë kaq indiferentë e apatikë, që nuk bëjmë protesta e mosbindje qytetare, teksa duhej të ndodhte e kundërta? Mos jemi transformuar, pa kuptuar, në një tjetër popull, ngaqë na është shterur, për arsye që ende nuk i dimë, interesi dhe reagimi publik? Mos na është ndërruar a holluar gjaku, pas zhvlerësimit të fjalës, ndaj nuk na bën më përshtypje asnjë lloj skandali qeveritar e publik, asnjë krim e korrupsion, asnjë vrasje politike, hedhje në erë, vjedhje e rrënim i pasurisë kombëtare, shkelje e të drejtave elementare të njeriut nga policia, nga CEZ, nga deklasimet politike në administratë, etj.? Përse tani nuk habisin kërkënd video-regjistrimet e transmetuara në media, pushkatimet politike të katër protestuesve ditën për diell, mu te kangjellat e qeverisë, shpërthimi i fabrikës së vdekjes në Gërdec ku humbën jetën 26 njerëz-skllevër, dhe së fundi greva e urisë e të përndjekurve politikë në mes të Tiranës dhe as prerjet e kokave të adoleshenteve nga pleq maniakë seksualë? Si shpjegohet që edhe të përndjekurit e të persekutuarit nuk u solidarizuan me bashkëvuajtësit e tyre që po bëjnë grevë urie e po digjen të gjallë në mes të kryeqytetit, a thua se sot, në demokraci, u është ringjallur edhe atyre “lepuri në bark”? Kemi apo nuk kemi ne opinion publik?
Pyetjet e mësipërme janë retorike, por le të vlejnë për të kuptuar sadopak shkallën e apatisë sonë.
***
Në një shoqëri mund të vdesë ligji, mund të japë shpirt drejtësia, mund të shitet e të blihen kufiri detar e tokësor, organet mediatikë, diplomatët, partitë, ministrat, kryeministrat, por nuk mund të blihet e as të vdesë opinioni publik, i cili mund të heshtë, mund të bëjë edhe sikur nuk sheh e nuk dëgjon, por kjo nuk do të thotë se ka cofur. Nuk ka shoqëri pa opinion publik. Edhe në diktaturë kishte opinion publik, ndonëse gjuha ishte e prerë, por ai mbijetoi, qoftë edhe me anekdota e metafora të cilat tregonin se opinioni publik gëlonte e nuk pranonte të jepte shpirt… Një qytetar e një popull mund ta gënjesh përkohësisht, por kurrë përjetësisht, sado të investosh e sado ta dhunosh. Këtë nuk e kuptojnë diktatorët dhe autokratët. Po të ishte bërë ulok e miop opinioni publik prej diktaturës, nuk do të ngrihej të përmbyste regjimin në ‘90 –‘91-shin. Po si shpjegohet atëherë që apatia qytetare të ketë memecëruar në këtë far’ feje opinionin e sotëm publik?
Sigurisht, ne ende nuk kemi një të tillë opinion publik si në Perëndim, i cili mund të ngrihet më këmbë në revoltë kur policia vret një të ri të pafajshëm, si ka ndodhur në Francë, në SHBA apo në Greqi… Aq më pak ne nuk kemi opinion publik të tillë, si në Australi, që të detyrojë kryetarin e Parlamentit të japë dorëheqje vetëm për një sms të pamoralshme dërguar një vartësi, si ndodhi këto ditë. Kurse tek ne, Topalli nuk u tut, nuk u skuq dhe as nuk kërkoi ndjesë kur tha: “plumb ballit!” dhe më pas kur i quajti “zhele” opozitarët... E megjithatë, kjo nuk do të thotë që tek ne opinioni publik ka dhënë shpirt, i është dorëzuar pa kushte buldozerit të propagandës berishiste, ose duke u blerë, ose duke u tulatur nëpërmjet ringjalljes së frikës, bindjes së pafuqisë dhe trysnisë mercenarizuse, kësaj here me mënyra dhe mjete kinse demokratike.
Po atëherë përse është mpakur dhe përse nuk di të imponojë autoritetin e sovranit mbi të zgjedhurit opinioni ynë publik? Është e vërtetë që ka humbur fuqia e tij ndikuese. Bashkësia nëpër shoqata, sindikata, parti opozitare, ca më tepër komunitetet e minorancës nuk kanë as fuqi dhe as besim te vetja për të ndryshuar gjendjen e amullt, ngaqë qytetarët nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm e të vetëdijshëm për pushtetin e vet… Tani gjykohet njëlloj si në diktaturë, kur shumëkush besonte se ishte punë e kotë dhe rreziksjellëse t’i bije murit me kokë, pasi “ata lart” janë aq të çimentuar, të ngopur e të dehur me vetveten, të pushtetshëm e të pandëshkueshëm, të pandijshëm e të pazëvendësueshëm, sa çdo trysni e opinionit publik do të trajtohet si një justifikim cinik: ejani dhe shikoni o ndërkombëtarë se edhe tek ne ka demokraci…! Argumenti se “ata lart” janë në pushtet me votën tonë habitërisht nuk mundëson heqjen e imunitetit të zgjedhurve, por opinionit publik. Me justifikimin se janë të deleguar prej votës sonë “të lirë dhe demokratike”, ata, sa ulen në karrigen e pushtetit, më së pari synojnë në mos ta vrasin, ta tredhin opinionin publik. Kjo u jep siguri e qetësi për t’u ndjerë të paprekshëm, të gjithëpushtetshëm.
Ja disa nga mjetet e sotme “demokratike” që e bënë të mundur këtë synim: 1. Pandëshkueshmëri për cilindo që është “me ne” nëpërmjet “pavarësisë së gjyqësorit”… 2. Mungesë dialogu me opozitën dhe poshtërim publik i kujtdo që del kundër qeverisë. 3. Bombardim me suksese dhe “vende të para në botë”, paralel me mospranimin e asnjë të mete, mangësie, apo dobësie: kjo provon që nuk je i përkohshëm. 4. Blerje e pronarëve të mediave me reklama, licenca e lejë ndërtimi, me favore/disfavore/gjoba nga tatimorët, etj… 5. Trafikim i anëtarëve të KQZ e KZZ-ve, Këshillave të Bashkive e komunave, të presidentëve të OJF-ve, sindikatave e shoqatave, krijimi i së paku dy shoqatave antagoniste të gazetarëve, të sindikatave, të përndjekurve, të ish-pronarëve, etj., që të hanë kokën e njëri-tjetrit… 6. Krijimi i bindjes te qytetarët se “të gjithë derrat kanë një turi”, dmth. të gjithë janë të korruptuar edhe të pozitës, edhe të opozitës, ndaj nuk ia vlen të kërkohet e luftohet për ndryshim. 7. Demontim dhe demotivim me heshtje e mospërfillje “institucionale” i çdo ankese, proteste, peticioni, n’daç greve urie, vetëdjegieje, sakrifice, vrasjeje politike për të dëshmuar se është e kotë të kundërshtosh, pasi ai që ka pushtetin është si pamposhtur, i pazëvendësueshëm… 8. Krijimi i bindjes se në shoqërinë tonë nuk ka rëndësi si votohet, por kush i numëron votat. Në zgjedhje provohet se që të cilësohesh “qëndrestar”, një nga “të fortët”, duhet të jesh mercenar partiak, duke e bërë fytyrën blozë, sepse vlerë, autoritet dhe të drejtën për të bërë moral e ka vetëm ai/ajo/ata që kanë vënë pasuri e para, pavarësisht se si e qysh… 9. Zbatimi i formulës: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”, shoqëruar me urdhrin e prerë që ministrat e zyrtarët e lartë të mos u përgjigjen akuzave të shtypit, pasi qentë le të lehin, por ama nuk na kafshojnë dot… Kjo ka bërë që të mos gjendet në Ballkan shoqëri tjetër, ku të jetë zhvlerësuar pesha e fjalës si tek ne! 10. Duke i uzurpuar të gjitha pushtetet vetëm një njeri, nuk është ringjallur kulti i individit, por hija e Hoxhës… Sa qe gjallë diktatori nuk pipëtinte njeri, edhe po të digjeshe para Skënderbeut… A nuk u dha ky mësim-pësim-ndëshkim edhe në vitin 2012, duke mos përfillur vetëdjegien e dy të persekutuarve në mes të Tiranës?
Mjaftojnë, besoj, këto 10 “parime” (jo, jo, nuk janë 10 cilësitë e komunistëve të djeshëm, por të salistëve të sotëm të hapërdarë në gjithë piramidën administrative!) për të mpakur, demotivuar, shfytyruar dhe, pse jo, edhe për të vënë nën thundër opinionin publik…

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›