Lufta e spiunazhit mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë
Vijon nga numri i kaluar
Saimir Lolja
(Ne foto) Një ushtar sovjetik me kapotë të bërë nga lëkurët e deleve. Ushtria gjermane nuk kishte rroba të tilla, pa të cilat nuk mund të luftohet në Rusinë e Madhe.
TRUPAT E SULMIT AJROR
Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë në botë ku u krijuan trupat sulmuese që mbarten nëpërmjet ajrit. Rregullat ushtarake të Ushtrisë së Kuqe më 1936 (ashtu si çdo ushtri edhe në kohën e tanishme) e përcaktonin përdorimin e këtyre trupave vetëm për qëllime sulmi. Ato u themeluan më 1930, kurse Gjermania i krijoi më 1936 dhe Italia para Luftës II Botërore. Ushtria gjermane më 22-06-1941 kishte 4000 parashutistë, kurse Italia 700 të tillë. Më 1933, BRSS kishte rreth 10000 parashutistë dhe më 22-06-1941 kishte zyrtarisht më shumë se një milion (1000000) të tillë; në fakt ishin afër 2 milion parashutistë. Gjatë periudhës Prill 1934 – Shkurt 1936, vetëm në Ukrainë u stërvitën 427000 parashutistë. Në vitet 1930, rajonet ushtarake perëndimore të BRSS u mbuluan nga manovra të mëdha ushtarake, të cilat patën vetëm një përmbajtje: Pykëzim i Thellë. Skenari ishte i thjeshtë: sulm ajror i papritur e masiv kundër fushë-qëndrimeve të avionëve, i pasuar nga vala e parë e parashutistëve për të pushtuar bazat ajrore; më pas vite vala e dytë e trupave ajrore që zbarkonin bashkë me armatimin e rëndë në bazat e pushtuara; kurse tanket e këmbësoria në formacione gjigande, nën mbështetjen e artilerisë, sulmonin në formë pyke vijën mbrojtëse të armikut.
Më 1939, Stalini urdhëroi prishjen e bazave të stërvitjes partizane dhe regjimenteve të saj, të cilat ishin projektuar në rast se territori sovjetik pushtohej nga një ushtri e huaj. Me këto forca u krijuan trupa sulmuese të reja paraushtarake. Pesë Korparmata me trupa sulmuese ajrore (secila me 10419 ushtarë) u krijuan vetëm në Prill 1941 dhe u vendosën në kufinjtë perëndimorë. Të gjitha këto Korparmata ishin në çdo çast në gjendje gatishmërie të plotë. Më 12-06-1941, Ushtria e Kuqe krijon Shtabin e saj Komandues për Trupat e Sulmit Ajror. Që nga data 13-06-1941, të gjitha Korparmatat sulmuese ajrore morën urdhërat të kryenin përgatitjet përfundimtare për luftë. Parashutat u palosën dhe u stivuan gati për përdorim. Këtyre trupave iu bashkëngjitën regjimente artilerie dhe tanke amfibë. Të gjithë këto trupa u rigrupuan pranë kufirit, të fshehur nëpër pyje dhe mund të sulmonin pa patur nevojë për rigrupim tjetër. Korparmatat 4 e 5 kishin shënjestër Gjermaninë, Korparmata 3 kishte Rumaninë, Korparmatat 1 e 2 mund të zbarkonin në Rumani, Çekosllovaki e Austri për të prerë linjat e furnizimit me naftë që shtriheshin përmes maleve nga Rumania në Gjermani. Në Qershor 1941, Ushtria e Kuqe kishte 10 Korparmata sulmuese ajrore (tre brigada secila), 6 brigada të veçanta dhe një numër regjimentesh të veçuar. Përveç këtyre, batalionet e parashutistëve ishin pjesë e Korparmatave të këmbësorisë së Ushtrisë së Kuqe. Gjithashtu një numër Divizionesh pushkatarësh u stërvitën për sulm duke u mbartur nëpërmjet ajrit dhe një stërvitje e tillë masive ndodhi pikërisht më 21-06-1941.
Në të njëjtën kohë, trupat e sulmit ajror kërkonin një armatë avionësh mbartës dhe rrëshqitës (glider aeroplan që tërhiqet nga një aeroplan i tjetër). Aeroplani rrëshqitës G-63 ishte krijuar që para vitit 1933 dhe në vitet e mëpasme u krijuan aeroplanët rrëshqitës A-7 e G-11 për të mbartur tanke e makina. Më 1939, kishte 30000 njerëz të cilët njëkohësisht stërviteshin për tu bërë pilotë të aeroplanëve rrëshqitës. Gjatë një manovre ushtarake më 1940, 11 aeroplanë rrëshqitës u tërhoqën prej një aeroplani të vetëm. Prodhimi masiv i aeroplanëve rrëshqitës filloi në vitin 1941. Stalini dhe Molotovi drejtpërsëdrejti urdhëruan që prodhimi i aeroplanëve rrëshqitës për 11 ushtarë të arrinte kulmin më 15-05-1941, kurse ai për 20 ushtarë më 01-07-1941. Më 16-06-1941, Gjenerali Zhukov urdhëronte industrinë e aviacionit të prodhonte 7500 aeroplanë rrëshqitës në vitet 1941-1942. Aeroplanët rrëshqitës për vetë nga natyra e tyre janë të ndërtuar me materiale delikate që nuk i rezistojnë veprimit të diellit, erës, shiut, borës e ngricës. Prandaj, ato që prodhoheshin në pranverë 1941 do të përdoreshin para Shtatorit 1941.
Gjithë këto trupa të sulmit ajror bashkë me armët e tyre ishin përgatitur vetëm për sulm dhe nuk ishin në pozicione mbrojtëse. Këto lloj trupash i ngjajnë gurëve të çmuar në ushtri, sepse përbëhen nga ushtarë elitë. Sulmi i papritur gjerman i prishi në fillim planet ushtarake sovjetike. Të 150000 trupat sovjetike të sulmit ajror që ishin gati për sulm pranë kufirit perëndimor ose u rrethuan e u asgjësuan prej ushtrisë gjermane ose u dërguan për tu grirë në makinën e mishit të tankeve, avionëve dhe këmbësorisë gjermane. Pjesa tjetër, qindra mijra e milion trupa të tjerë të sulmit ajror, u rigrupuan në prapavijën e thellë ku formuan rezervën strategjike. Këto trupa formuan Korparmatat e Rojeve dhe vetëm stërviteshin. Kjo rezervë qe aq e madhe sa pati Korparmata që iu ra rradha të futeshin në luftim nga fundi i luftës.
Në Pranverë të vitit 1942, Ushtria e Kuqe pësoi përsëri humbje të mëdha prej ushtrisë gjermane. Kështu, Armata 39 u rrethua e u asgjësua afër qytetit Rzhev; Armata 33 u rrethua e u asgjësua afër qytetit Vyazma; Armata 2 Sulmuese u rrethua; të tjerat u dorëzuan dhe u zhdukën. Fronti i Krimesë u ça dhe Armatat 44, 47, 51 u asgjësuan. Në betejën e qytetit Kharkov, Armatat 6, 9, 28, 57 u shkatërruan bashkë me shtatë Korparmata të veçanta tankesh e kalorësie dhe një numër të madh Divizionesh, Brigadash e Regjimentesh. Mijra tanke, armë e furnizime u humbën dhe qindra mijra ushtarë e oficerë u asgjësuan ose u kapën robër. Fronti i Jugut u ça aq keq sa më pas trupat gjermane vetëm ecnin drejt Stalingradit dhe Kaukazit, kurse trupat sovjetike tërhiqeshin duke vrapuar. Kjo e detyroi Stalinin të lëshonte urdhërin Nr. 227, nga i cili lindën Njësitë ndëshkuese të Ministrisë së Brendshme dhe Batalionet ushtarake të pushkatimit. Këto njësi mitralonin e pushkatonin ushtarët e oficerët që tërhiqeshin apo nuk jepnin jetën në frontin që zmbrapsej. Megjithatë kjo nuk solli zgjidhjen e dëshiruar, sepse nuk mund të pushkatohej tërë ushtria që tërhiqej me vrap. Ato që nevojiteshin ishin rezervat e freskëta. Rezervat e rregullta ishin harxhuar në sulmet gjatë Dimrit 1941-1942, në përpjekjet e pafrytshme për të çarë rrethimin e Leningradit si dhe për të vonuar disfatat në Kharkov e Krime.
Mrekullia ndodhi kur Korparmatat e Rojeve 10 e 11 arritën dhe formuan një vijë mbrojtëse përballë Armatës 4 të tankeve gjermanë që lëvizte drejt Kaukazit. Sulmi gjerman u ndal, trupat që tërhiqeshin ndaluan e morën frymë, pastaj filluan të tërhiqeshin me rregull derisa ngulën një vijë mbrojtëse që përballoi furinë gjermane. Humbja e Kaukazit dhe naftës që vinte prej Detit Kaspik do të thoshte disfatë për Ushtrinë e Kuqe. Rënia e Stalingradit do sillte të njëjtën gjë, sepse do ndërpriste mbartjen e kësaj nafte nëpër lumin Vollga. Deri në ato çaste dihej se kishte patur vetëm nëntë Korparmata Rojesh, të cilat pothuaj ishin harxhuar në betejat e shkuara. Mrekullia tjetër ndodhi në betejën e Stalingradit ku papritur u dukën Divizionet Pushkatare të Rojeve 32, 33, 34, 35, 36; dhe pas tyre, Armata e Parë e Rojeve, me pesë Divizionet e saja pushkatare 37, 38, 38, 40, 41, u gjend në Stalingrad.
Një mrekulli e ngjashme ndodhi në betejën e Kurskut në Verën e vitit 1943. Tanket gjermane sulmuan fort nga të dy krahët por nuk e çanë mbrojtjen sovjetike. Zbulimi ushtarak sovjetik, gjashtë vijat mbrojtëse dhe sasia e cilësia e armatimit sovjetik bënë punën e tyre. Sulmi gjerman nga Veriu u përballua nga Armata 13 e Frontit Qendror, ku bënte pjesë Korparmata 18 Pushkatare e Rojeve e cilësisë së lartë; po ashtu, sulmi