Tonin Alia: Zgjodha PDK-në për të përmirësuar jetën e qytetarëve
Tonin Alia, një emër i njohur i biznesit shqiptar kandidon në zgjedhjet e 23 qershorit si kandidat për deputet i Partisë Demokristiane në Tirane. Në një intervistë për Tirana Observer ai tregon pse vendosi të hynte në politikë dhe cilat janë aspiratat e tij. Ai flet për PDK-në, frymën e saj perëndimore dhe se cilat janë planet e tij për zhvillimin e Tiranës.
Z. Alia jemi dy ditë larg ditës së zgjedhjeve. A jeni optimist për fitoren e tyre?
Megjithëse jemi një parti e vogël dhe simpatike, dhe gara sidomos për mua ka filluar shumë vonë, por unë jam mjaft optimist dhe besoj se nuk do ju zhgënjej me rezultatin tepër pozitiv, dhe besoj se do të jetë një provë mjaft e suksesshme.
Duke qenë se ju jeni një emër i njohur në fushën e biznesit, pse vendosët të hynit në politikë? Dhe pse pikërisht më PDK-në?
Vërtet unë jam një emër i njohur në fushën e biznesit dhe biznesi i Ardenos duket një biznes interesant, por sigurisht ka dhe vështirësitë e veta, pasi biznesi ynë është përcaktuar në disa fusha, ku kryesisht ne bëjmë arredimin, e lokaleve, çerdheve, shtëpi e kopshte, dhe kohët e fundit bëjmë dhe hoteleri. Mjaft interesant mbetet arredimi familjar ku me arkitektët tanë ne dizajnojmë dhe arredojmë me detajet më të vogla për shtëpitë e qytetarëve. Kam pranuar të futem në politikë vetëm për hir të miqësisë dhe duke më përzgjedhur lobi pukjan, nga ku kam edhe origjinën. Pse me PDK? Duhet theksuar se unë fillimisht sjam anëtar i asnjë partie, por vazhdimisht kam qenë simpatizant i PDK-së dhe kam një miqësi të veçantë me kryetarin z. Nard Ndoka dhe Frrok Gjinin, realisht kam qenë dhe jam i Partisë Demokratike, jam i djathtë në bindje. Partia Demokristiane i shkon historisë së familjes time, origjina ime rrjedh nga një familje katolike ku kanë qenë dhe prijësit e fesë në këtë zonë. Duke qenë katolik, dhe duke ecur në harmoni dhe bashkëjetesën me banorët e tjerë që i përkasin besimit fetar tjetër, ne kemi treguar se jemi tolerantë në çështjet besimtare, dhe jam në PDK sepse oferta e PDK-së ka qenë shumë e mirë edhe pse e kam marrë si ofertë pak ditë përpara shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë, e kam pranuar me kënaqësi këtë sfidë.
Ju kandidoni në Tiranë, cilat janë problemet e kryeqytetit? Cilat janë prioritetet e juaja?
Tirana nëse e marrim në përgjithësi ka shumë probleme, gjithmonë nëse shohim qendrën e Tiranës dhe autostradën Tiranë-Durrës ku janë vendosur bizneset ka shumë probleme, ku kryesore mbetet papunësia në zonat përreth Tiranës. Ne si subjekt politik, kemi në listën e prioriteteve krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e biznesit qoftë dhe biznesit tim privat për të rritur numrin e punonjësve dhe të mundohemi të ulim sa më shumë papunësinë. Zhvillimi i infrastrukturës është po ashtu prioritet dhe bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës është çelësi i zhvillimit të zonave periferike në tiranë. Të mos harrojmë se në Tiranë ka shtresa të ndryshme të qytetarëve dhe duhet kujdes shumë i madh për të gjitha këto shtresa.
Pse një qytetar duhet të votojë PDK-në dhe jo PD-në apo PS?
PDK është një parti e vjetër në Europë dhe është një ndërmjetëse e mirë në vendosjen e ekuilibrave dhe ruan vazhdimisht frymën e paqes, bashkëjetesën midis familjeve pavarësisht besimeve apo shtresës që i përkasin. Ne jemi subjekt që sjellim stabilitet ekonomik dhe politik. Dhe nuk duhet të harrojmë interesat e mëdha kombëtare. Por të mos harrojmë diçka shumë të rëndësishme: PDK ka zgjedhur kandidatët më të mirë njerëz që sjellin modele suksesi si në jetën politike, ekonomike, e sociale. Pra PDK sjell për Tiranën modelet më të mira për të votuar në këto zgjedhje dhe që do përfaqësojnë qytetarët e Tiranës, Kavajës e Rrogozhinës në Parlament në mënyrë dinjitoze. PDK ka një elektorat të sajin tradicional por përzgjedhja e kujdesshme e kandidatëve ka shtuar numrin e simpatizantëve dhe votuesve për këtë subjekt politik.
Z. Alia, nëse zgjedhjet i fiton PS dhe i bën një ofertë PDK-së për të qenë në qeverinë e ardhshme, do ta pranonit atë?
Unë ju thashë më sipër se bindjet e mia janë të qendrës së djathtë, dhe kjo do të thotë që nuk mendojmë dhe as nuk e kemi menduar hyrjen në koalicion me të majtë, por në jetë jemi mësuar që të mos themi kurrë Kurrë, pra nëse për interesa jetike të vendit dhe për mos futjen në kolaps të vendit apo nëse rrezikojmë integrimin e vendit, gjithsesi ne mbetemi optimistë që e djathta do të prevalojë në këto zgjedhje.