E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lufta kundër krimeve zgjedhore – OSBE organizon tryezë me Prokurorinë e Përgjithshme, Policinë e Shtetit dhe KQZ

Prezenca e OSBE-së dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë organizuar një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore.

“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: të sigurohemi që shkeljet zgjedhore jo vetëm të identifikohen, por edhe të hetohen, të ndiqen penalisht pa vonesa dhe në mënyrë të plotë,” tha kryetari i Prezencës së OSBE-së, Michel Tarran.

“Ka nevojë për një qasje proaktive, jo për një qasje pasive, çka duhet të shoqërohet me hetime të shpejta, hetime intensive, hetime gjithëpërfshirëse me të gjitha institucionet ligjzbatuese,” u shpreh Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.

Garanci për përkushtim maksimal në zgjedhje dha edhe Policia e Shtetit.

“Ne nuk do të hezitojmë për të proceduar dikë që shkel ligjin. Aktorët politikë të jenë më të kujdesshëm lidhur me mbështetësit e tyre në terren,” deklaroi Sokol Bizhga, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Ndërsa kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar se ky bashkëpunim ndërinstitucional i arritur është një real dhe efektiv.

“E kuptoj që për dikë ka skepticizëm. Ditët dhe javët në vijim, gjatë fushatës zgjedhore, do të konfirmojnë angazhimin e vërtetë dhe të përgjegjshëm të tri institucioneve,” tha z. Celibashi.

Pjesë e takimit ishin prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, Policia e Shtetit dhe organizata të njohura të shoqërisë civile, të cilët i vijuan diskutimet me dyer të mbyllura.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›