E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vota e diasporës, nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit

Në Parkun Olimpik ka nisur vulosja e rreth 245 mijë fletëve të votimit për diasporën, e cila do të ushtrojë të drejtën e votës në parlamentaret e 11 majit.

Faza e parë, procesi i vulosjes dhe futja e fletës së votimit në zarfin A pritet të përfundojë më 11 prill, ndërsa shpërndarja e zarfeve tek votuesit në 85 shtete të botës, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, pritet të nisë nga java në vijim.

“Brenda fundit të kësaj jave ne do të fillojmë edhe procesin e dërgimit dhe shpërndarjes së zarfeve të postës për atë sasi që do të kemi bërë gati. Nuk do të presim që ta kemi gati komplet sasinë, por pjesë-pjesë sipas destinacionit: Itali, Greqi, Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.” tregoi z. Celibashi.

Kryekomisioneri shpjegoi dhe mënyrën si zarfi do të mbërrije në adresën e deklaruar nga emigrantët.

“Do të shkojë herën e parë dhe nëse nuk gjendet në banesë, do të lërë një shënim – ‘Erdha. Nuk ju gjeta’ – dhe do të lërë orarin kur postieri mendon që do të shkojë herën e dytë. Nëse edhe herën e dytë nuk arrin ta kontaktojë, do t’i lërë një shënim për herën e tretë. Nëse as këtë herë nuk puqen orari i postierit me orarin kur votuesi është në shtëpi do t’i lihet një shënim votuesit, duke i thënë që dokumentacioni zgjedhor i dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri gjendet në zyrën postare nr. […], kështu që mund të vini ta tërhiqni,” shpjegoi kreu i KQZ-së.

Përgatitja e seteve mendohet të mbarojë në datën 15–17 prill dhe zarfet të kenë mbërritur tek votuesit brenda datës 22 prill për Evropën dhe 25 prill për Amerikën apo Azinë.

Në rast se vota e qytetarëve mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, ajo është e pavlefshme.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›