Lufta kundër krimit, Berisha largon Ina Ramën
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha nuk e cilëson më të nevojshme këshillimin me Drejtorin e SHISH-it, Bahri Shaqiri, apo edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kreu i ekzekutivit e cilësoi dje të mbyllur funksionimin e komitetit këshillimor, ku përveç disa ministrave marrin pjesë edhe Drejtori i SHISH-it dhe Prokurorja e Përgjithshme. Sipas Berishës, mbledhja e këtij komiteti nuk është më e nevojshme pas hyrjes në fuqi të ligjit të antimafias. "Kjo është mbledhja e fundit e këtij Komiteti, pasi me hyrjen në fuqi të ligjit të ri antimafie, Komiteti Këshillimor për masat kundër krimit të organizuar, nuk është parashikuar. Unë kam vendosur të krijoj një Këshill të përbërë nga ekspertët më të mirë, i cili do të këshillojë qeverinë mbi zbatimin me korrektesë, vendosmëri, të ligjit të ri antimafie, ligj i cili pa diskutim i ka shtrirë, i ka zgjeruar kufijtë të veprimit. Por, kjo është e domosdoshme, sepse vendosmëria jonë për të luftuar krimin e organizuar dhe mafien, duhet të njohë nivele të reja", - tha Berisha. Në mbledhjen e djeshme të këtij komiteti, Berisha citoi se është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet, të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji, të rishqyrtojnë tërësinë e udhëzimeve të tyre, në mënyrë që ato të përshtaten me ligjin e ri. E ndërsa paralajmëron shkrirjen e komitetit këshillimor, Berisha propozon ngritjen e një grupi pune për hartimin dhe miratimin e ligjit për funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të sekuestruara e të konfiskuara. "Policia kërkon një shkallë më të lartë ekspertize. Në këtë kontekst, duhet të hapet hapësira ligjore për të rekrutuar ekspertë të niveleve më të mira. Ministri ka marrë porosi për këtë gjë, qoftë edhe civil, por natyrisht me trajtim të barabartë me punonjësit e uniformës. Në të kundërt, ata nuk do të rrinë, me gjithë dëshirën tonë për t'i mbajtur, por sot gjithsecili bën zgjedhjen e tij. Ndaj, është e domosdoshme të shqyrtoni të gjithë sektorët, ku ju mungon ekspertiza, ku ajo është më e dobët. Po kështu, duhet të jetë edhe në Prokurori, në Shërbimin Informativ, agjencitë e tjera, agjencia e luftës kundër larjes së parave. Në Konventën e re, edhe koncepti ridimensionohet", - tha ai.