Berisha: Po punoj për vizitën e Boris Tadiç në Tiranë
Kryeministri paralajmëron fillimin e një kapitulli të ri me Serbinë. Bllokohet faqja e qeverisë për disa orë
TIRANË - Qeveria shqiptare po punon për vizitën e Presidentit serb, Boris Tadiç, në Shqipëri. Lajmin e ka bërë publik vetë kryeministri Sali Berisha pas takimit të zhvilluar me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç. Duke e cilësuar historike vizitën në Tiranë të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria shqiptare do të kontribuojë me një fond, (që ai e cilësoi modest) prej 400 mijë eurosh për Komunën e Graçanicës. I pyetur për perspektivën e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, Kryeministri Berisha u shpreh se takimet e tij me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, janë shumë të shpeshta gjatë aktiviteteve ndërkombëtare dhe ajo ç'ka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. I pyetur pikërisht për këtë çështje, pas takimit të zhvilluar, kryeministri Berisha u përgjigj: "Unë në çdo Samit takohem me Presidentin Boris Tadiç dhe ajo ç'ka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve tona për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t'ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë". Nga ana e tij, Petroviç vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha dhe zv.kryeministrit e Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në Kosovë. Megjithatë i pyetur se a do të ketë, së afërmi, një njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Petroviç nuk dha asnjë përgjigje konkrete. E ndërsa qeveria shqiptare po punon për të sjellë Boris Tadiç në Tiranë, nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi i Prishtinës zyrtare. Publikimi i këtij lajmi në sitin zyrtar të Këshillit të Ministrave ka sjellë edhe bllokimin e sitit për disa orë rresht, pasojë e sulmit nga hakersat.