E Enjte, 5 Nëntor 2026

Lufta ndaj kanabisit, Balla: Kryepleqtë dhe inspektorët e pyjeve të bashkëpunojnë me Policinë

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha sot se kryepleqtë dhe inspektorët e pyjeve duhet të bashkëpunojnë me Policinë në luftën ndaj kanabisit.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla duke iu referuar operacionit policor të zhvilluar nga forcat e rendit në Lezhë, ku u vendosën nën hetim kryeplaku i zonës së Klosit si dhe një prej inspektorëve të pyjeve, evidentoi rëndësinë e bashkëpunimit të strukturave vendore me forcat e rendit.

“Duhet të përmbushin detyrimet ligjore, të gjithë aktorët që i ngarkon ligji kryepleqtë e fshatrave, inspektorët pyjorë, pushteti vendor, duke bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Përgëzime Policisë së Shtetit Mirditë dhe Forcave Operacionale të DVP Lezhë, për finalizimin e operacionit me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë, duke asgjësuar 1050 bimë e fidanë kanabis, si dhe për arrestimin/procedimin e tre shtetasve”, tha Balla.

Policia e Lezhës njoftoi më herët asgjësimin e 1050 bimëve narkotike kanabis sativa, duke arrestuar autorin e dyshuar dhe dy zyrtarë vendorë me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›