Lufta ndaj korrupsionit, Bardhi: E vetmja rrugë, zgjedhjet e lira e të ndershme

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot, duke reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, se komisioni i posaçëm antikorrupsion nuk është mjeti i duhur për të siguruar mirëqeverisje.
Reagimi i Bardhit vjen pas deklaratës të Kryeministrit Edi Rama, gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, lidhur me rëndësinë e rolit të Kuvendit në luftën ndaj korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Bardhi u shpreh se, e vetmja rrugë për mirëqeverisje dhe luftë reale ndaj korrupsionit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Pas 11 viteve keqqeverisje Edi Rama u thotë shqiptarëve që duhet ta besojnë se ka ndryshuar mendje dhe do punojë për mirëqeverisje”, tha Bardhi.
“E vërteta është që opozita në këto 11 vite ka qenë në betejë me qeverinë më të korruptuar në Ballkan. Për ne mirëqeverisja dhe lufta reale ndaj korrupsionit nuk është as propagandë dhe as diskutim veror. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë”, vijoi Bardhi.
“Komisioni i Posaçëm “Të sfidojmë zbatimin e ligjit Antimafia” nuk është as rruga dhe as mjeti për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mirëqeverisje. E vetmja rrugë për mirëqeverisje dhe luftë reale ndaj korrupsionit është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sigurojnë një qeverisje që jep llogari tek qytetarët dhe mbahet përgjegjëse për aktet që bën çdo 4 vjet. Kjo mund dhe do të bëhet realitet vetëm përmes largimit të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe kryeministrit më të papërgjegjshëm në Europë”, deklaroi Bardhi.
/r.e/