Policia aksion për mbetjet shtazore, nën hetim katër administratorë subjektesh

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit ka inicuar një plan operacional policor të posaçëm për kontrollin e menaxhimit të mbetjeve shtazore nga subjektet me aktivitet në këtë fushë, përfshirë thertoret dhe pularitë.
Sipas njoftimit për media, ky plan operacional, i cili do të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit, ka si objektiv mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
“Kontrollet në kuadër të këtij plani po kryhen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me seksionet përkatëse në 12 drejtoritë vendore të Policisë. Deri më tani, janë kryer kontrolle dhe verifikime në 18 subjekte në qarqet Tiranë, Berat, Durrës dhe Fier”, njofton Policia.
“Gjatë kontrolleve, në dy subjekte në Berat dhe në dy subjekte në Tiranë, u konstatua se mbetjet shtazore ishin depozituar në gropa të hapura, në kundërshtim me ligjin, dhe nuk ishin dorëzuar subjekteve të licencuara për menaxhimin e tyre. Kjo paligjshmëri ka shkaktuar ndotje të mjedisit përreth.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale për këto raste, materialet janë referuar në prokuroritë përkatëse dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për administratorët e katër subjekteve, për veprat penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjithashtu, janë proceduar veterinerët e këtyre subjekteve dhe punonjës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) mbi dyshime për shpërdorim të detyrave”, njofton Policia.
Policia e Shtetit thekson se kontrollet dhe verifikimet po vijojnë për të siguruar që të gjithë shtetasit që kryejnë këto paligjshmëri dhe punonjësit e institucioneve të ngarkuara me ligj për të kryer kontrolle në këto subjekte të nxirren përpara përgjegjësisë penale.
/r.e/