E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ndaj së keqes

Ka disa ditë që mediat shqiptare kanë bërë prezent skandalin, i cili ka të bëjë me çështjen Faslliçit. Mbarë opinioni shqiptar, është sot i shokuar nga faktet e provat, të cilat bëhen të njohura çdo ditë. Në rast se ky skandal do të prezantohej sot si një foto fikse, nuk do të ndihmonte për të kuptuar gjithë mekanizmin e shpërdorimit të votës së zgjedhësve, ose e përdorimit të saj për pushtetin e një individi, apo grupe individësh si një qëllim në vetvete, për të bërë karrierë e për t'u pasuruar.

Në kronikat televizive kemi parë në formë dokumentari, sesi ky individ, kushdo qoftë emri apo origjina e tij, (kjo nuk përbën thelbin e problemit) vjen në vendin tonë në periudhën e fushatës elektorale, duke ndihmuar si ndërmjetës apo edhe personalisht me financa apo ide, por kjo, jo për faktin se është simpatizant i PD-së, apo mik i ndonjë politikani, por thjesht dhe vetëm për të nxjerrë përfitimet e tij "të merituara" pas fitores së partisë demokratike. Nga ana tjetër, militantët fanatikë të PD-së, që kanë ndihmuar gjatë fushatës elektorale, financiarisht, ose edhe nga ana organizative, e kanë bërë këtë me vetëdije të plotë se, pas fitores, do të marrin shpërblimin e merituar.

Të gjithë e mbajmë mend entuziazmin e fitores së kryeministrit tonë në atë kohë, pas një kohe të gjatë në opozitë, entuziazëm që u përcoll vertikalisht deri tek militanti më i fundit, tek ai që nuk e ka menduar kurrë se mund të shpërblehej, pas zgjedhjeve të 2005-ës (është kënaqur me ndonjë gjë të vogël gjatë fushatës). Pati në atë kohë komente shumë skeptike nga analistët më seriozë të këtij vendi, në lidhje me mendësinë e pandryshueshme të liderit të PD-së, komente të bazuara për sa i përket njohjes së sjelljes njerëzore. Me kohë, është thënë se, njeriu, gjatë jetës së tij, vetëm se plaket, por nuk ndryshon në thelb.

Por, ç'ndodhi me ardhjen në pushtet të kësaj force politike, e cila kishte përdorur fortë kartën e antikorrupsionit?

Dita e parë e punës, e maskuar me kujdes me një propagandë të madhe antikorrupsion, aq sa të gjithë filluam të dyshonim se ky njeri nuk po mësohet se është në pushtet e jo në opozitë, filloi me përgatitjen e listave të militantëve që do të punësoheshin në sektorët më të rëndësishëm e më të specializuar të administratës, duke zëvendësuar ekspertët apo njerëz të paanshëm, të cilët nuk kishin ndihmuar në fitoren e PD-së. Kështu, kjo qeveri, filloi të lidhte të dy këmbët e saj, si pasojë e shkatërrimit të administratës, që, për të qenë realistë, edhe ashtu si ishte, dallohej për një efiçiencë të ulët.

Po me të tjerët, si Faslliçët me shokë, si u veprua? – pa u zgjatur në analiza të hollësishme, në mënyrë që të mos biem në përsëritje, edhe ata morën shpërblimin e tyre, dhe kështu, qeverisë sonë iu lidhën edhe duart. Në këto tre vjet, kjo qeveri e lidhur këmbë e duar, ka qenë e detyruar të punojë për ata që e sollën në pushtet. Po ata që e votuan, si edhe ata që nuk e votuan, çfarë fituan? - pasojat e keqqeverisjes së papërgjegjshme.

Ky është gjithë skenari i politikës së vjetër shqiptare në këto 17 vjet. Pavarësisht kush e ka luajtur teatrin, skenarët kanë qenë të ngjashëm. Prandaj debatet e tyre në parlament u bënë bajate; kështu shpjegohet bjerrja e shpresës dhe besimit të popullit tek politika; prandaj viti 1997 shënoi kulmin e rrjedhjes së trurit shqiptar.

Ajo që na jep shpresë sot, është fakti se, pas një periudhe kaq të gjatë përpjekjeje e përsiatjeje për të dalë nga bataku i pistë i politikës së "skileve të vjetra", media shqiptare dhe prokuroria, dy pushtetet më të pavarura e më të rëndësishme për një vend demokratik, gjenden sot, në frontin kryesor të luftës kundër korrupsionit shtetëror, më të vendosura se kurrë.

Luftës frontale të vendosur të medias, i pari që iu përgjigj ishte i dyshuari Fazlliç. Të gjithë e ndoqëm më habi fjalimin e tij në intervistën që dha, duke përdorur kartën e djegur të antikomunizmit. E më pas, si në një kor që ngjante as më pak e as më shumë si anëtarët e një sekti fetar, e jo një bashkimi vullnetar njerëzish me bazë bindjesh personale, filluan të përsërisnin të njëjtat fjalë, që nga kryeministri e, në mënyrë vertikale, të gjithë anëtarët e qeverisë dhe parlamentarët e PD-së, por këtë radhë nuk janë pasuar nga militantët e thjeshtë. Të gjendur të çorientuar përpara kësaj shfaqjeje të shëmtuar qysh prej fillimit të qeverisjes, skandal pas skandali, ata janë mpirë, të zhgënjyer, me besim të humbur tek udhëheqësi i tyre shpirtëror.

E vërteta është se shqiptarët sot, nuk i kanë hapur luftë Berishës si person. Berisha sot u shërben shqiptarëve si një lupë zmadhuese për të parë të keqen e madhe, atë të padukshmen, që fshihet pas tij. Pra është rasti i pranimit të një të keqeje të njohur e të sigurt si një mënyrë për të shmangur një të keqe të panjohur të përmasave të mëdha (mos harrojmë '97-ën).

Është edhe detyrim i mediave, që krahas punës lavdëruese që kanë bërë e bëjnë në luftë të hapur pa kompromis ndaj keqqeverisjeve shqiptare gjatë gjithë këtyre 17 vjetëve, të japin edhe mesazhet e duhura për të gjithë aktorët e shoqërisë sonë, në lidhje me përdorimin e drejtë të forcës për ndryshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›