Ekzekutimi i kushërinjve, rihapet dosja
Burrel- Prokuroria e Burrelit ka rihapur dosjen e një vrasje të dyfishtë të ndodhur në fshatin Baz të Matit, kur para 7 viteve janë ekzekutuar dy persona; Vladimir Haxhia dhe Nikolin Haxhia, djem xhaxhallarësh, banues në këtë fshat. Vrasje që u pasua me një krim makabër, ndaj një fëmije 10-vjeçar, kryer për hakmarrje nga motra e njërit prej të ekzekutuarve.
Dosja e këtij krimi ka qenë e mbyllur prej disa vitesh, por duket se policia së fundi ka mundur të grumbullojë prova të forta, gjë që konfirmohet nga ana e prokurorisë së Burrelit, dhe për këtë është arrestuar një i dyshuar për këtë vrasje dyfishë, Vladimir Daçi, për të cilin familjarët e viktimave gjithnjë kanë dyshuar dhe kanë kërkuar që të hetohet që ditën e vrasjes po ky person.
Ka qenë kjo vrasje e kryer më 6 gusht të vitit 2001 në Baz, që tre vite më vonë polli krimin tjetër monstruoz, kur Vitjana Tarazhi, motra e të vrarit Nikolin Haxhia, vrau duke e goditur me sopatë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit 10-vjeçarin Gjok Tarazhi në fshatin Tarazh, ku ishte martuar ajo në Mirditë. Krim për të cilin aktualishtvuan dënimin prej 25 vitesh burg.
Vladimir Haxhia dhe djali i xhaxhait të tij Nikolin Haxhia u vranë më 6 gusht 2001 në pritë në një rrugicë në mes të fshatit Baz. Mendohet që në shënjestër të kësaj goditjeje të ketë qenë Vladimir Haxhiaj, por plumbat kanë zënë dhe Nikolinin, të vëllanë e Vitjanës.
Megjithë hetimet e policisë për këtë vrasje, ajo nuk u arrit të zbardhej asnjëherë, edhe pse familjarët bënin akuza direkte mbi autorin e vrasjes, që sipas tyre ishte Vladimir Daçi.
Në tre vjetorin e vrasjes së vëllait, Vitjana Tarazhi, vendos të vrasë fëmijën 10-vjeçar të të kushëririt të burrit. Ajo e realizon këtë vrasje kur fëmija 10-vjeçar Gjok Tarazhi po luante me fëmijën e saj, ajo i gënjen fëmijët duke i futur thellë në pyll ku do të merrte dru zjarri. Aty, pak më larg të birit, vret 10-vjecarin e më pas rrëfehet në familjen e saj për krimin.