E Shtunë, 31 Tetor 2026

Butrint, mbytet varka me klandestinë

Butrint- Një varkë me emigrantë që synonin Greqinë është mbytur në ujrat mes Ksamilit e Butrintit. Sipas policisë nga verifikimet e para rezultojnë dy viktima, një grua dhe foshnja e saj 3 muajshe, ndërkohë që bashkëshorti ka shpëtuar dhe është transportuar në spital. Ndonëse zyrtarët ende nuk flasin me shifra të sakta, mësohet se në spital aktualisht janë tre persona.

Mësohet se në varkë kanë qenë 25 persona, shumë prej të cilëve kanë shpëtuar, por identifikimi i tyre ende nuk bëhet i ditur. Kërkimet dhe shpëtimi i të mbijetuarve vështirësohet nga errësira dhe terreni i vështirë.

Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe punonjës të emergjencës civile, që po u japin ndihmën e nevojshme të mbijetuarve.

Disa autoambulanca me personel mjekësor dhe tre furgona me rreth 50 efektivë të policisë mbërritën me urgjencë nga Gjirokastra në Sarandë rreth orës 21:30, në ndihmë të personave që udhëtonin me varkën që u mbyt, në tentativë për të mbërritur në Korfuz.

Në vendngjarje ndodhet dhe kryeprokurori i Sarandës, Alfred Agolli, ndërkohë që spitali rajonal është vënë në gatishmëri të plotë për të pritur pacientët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›