Lufta në Gaza / Shembet një ndërtesë e dëmtuar / 20 të vrarë, mes tyre 5 fëmijë

Të paktën 20 persona, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë pasi një ndërtesë gjashtëkatëshe e dëmtuar nga lufta u shemb në zonën Tal al-Hawa, në qytetin e Gazës. Dhjetëra persona të tjerë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar.
Sipas banorëve, në ndërtesë jetonin rreth 10 familje, pavarësisht paralajmërimeve se struktura ishte e pasigurt për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga lufta.Ekipet e Mbrojtjes Civile të Gazës nisën operacionin e kërkim-shpëtimit duke punuar me duar të zhveshura, për shkak të mungesës së pajisjeve të rënda. Më pas, disa makineri u vunë në dispozicion nga agjenci të OKB-së dhe një organizatë egjiptiane e ndihmës.
“Ne ende dëgjojmë zëra nga nën rrënoja, kështu që ka ende shpresë për të gjetur njerëz”, tha Raed al-Dahshan, drejtori i Mbrojtjes Civile në qytetin e Gazës.“Sistemi është tragjik sepse nuk kemi pajisjet dhe makineritë e nevojshme. Në fakt, ka njerëz që gërmojnë me duar të zhveshura”, deklaroi ai.
OKB-ja ka paralajmëruar se rreth 400 ndërtesa të tjera të dëmtuara nga lufta në Gaza mund të shemben, veçanërisht me afrimin e dimrit. Organizata u ka bërë thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë futjen e makinerive të rënda për operacionet e shpëtimit, si dhe të materialeve të nevojshme për personat e zhvendosur.
Izraeli argumenton se kufizimet për pajisjet kanë për qëllim parandalimin e rënies së tyre në duart e grupeve të armatosura palestineze.
Sipas të dhënave të OKB-së të cituara në raport, rreth 80% e strukturave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës. Mbi 1.9 milionë persona, rreth 90% e popullsisë së territorit, janë zhvendosur që nga fillimi i konfliktit, ndërsa rreth 1.2 milionë jetojnë aktualisht në tenda ose strehimore të improvizuara.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që prej atëherë, më shumë se 73,790 persona janë vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme