Lufta në Sudan, Blinken: U sulmua autokolona diplomatike amerikane

Sudani është përfshirë prej ditësh nga luftimet vdekjeprurëse midis forcave rivale, të cilat synojnë të marrin pushtetin.
Gjatë këtyre luftimeve sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se një autokolonë diplomatike amerikane u sulmua, por askush nuk u lëndua.
“Ky veprim ishte i pamatur, ishte i papërgjegjshëm dhe i pasigurt,” u tha Blinken gazetarëve në Japoni pas bisedimeve të G7.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby tha se aktualisht nuk ka plane për të evakuuar personelin amerikan, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë dhe mbylljes së aeroportit të Khartoum, por ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që ta trajtojnë situatën “me seriozitetin më të madh”.
Më herët u raportua se ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O’Hara u sulmua në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartoum.
Rreth 185 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1,800 janë plagosur në tre ditë luftime në Sudan, sipas OKB-së.
Si ushtria ashtu edhe një grup paraushtarak i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në Khartoum, ku banorët janë strehuar nga shpërthimet.
/rtsh.al/