E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë, Gjermania i frikësohet ndërprerjes së përhershme të gazit nga Rusia

Furnizimi me gaz natyror rus në Gjermani nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 të Detit Baltik është ndërprerë për 10 ditë për punë të mirëmbajtjes vjetore.

Por ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi se vendet e BE-së duhet të përgatiten në rast se dërgesat e gazit nuk do të rifillojnë.

Ai ka akuzuar Kremlinin për përdorimin e gazit “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së për luftën në Ukrainë.

Habeck pranoi se Gjermania ishte bërë shumë e varur nga gazi rus, por shtoi se dy terminale lundruese për dërgesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të jenë gati deri në fund të vitit.

Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi rrjedhat e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit.

Mirëmbajtja e tubacioneve është normale çdo verë, kur kërkesa për gaz është më e ulët se në dimër, por shqetësimi është se Rusia mund të mos i hapë rubinetat.

Rusia tashmë ka shkurtuar furnizimet me gaz për Poloninë, Bullgarinë, Holandën, Danimarkën dhe Finlandën për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një skemë të re pagese.

Austria dhe Republika Çeke marrin një pjesë të gazit nga Nord Stream 1, por gazi rus gjithashtu rrjedh drejt tyre nëpërmjet një tubacioni të Ukrainës.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35% dhe dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.

Vitin e kaluar, furnizuesit e tjerë kryesorë të gazit natyror në Gjermani ishin Norvegjia (31%) dhe Holanda (13%). Gjermania tani po merr më shumë gaz prej tyre, që nga reduktimi i importeve nga Rusia.

Qeveria ka dhënë gjithashtu dritën jeshile për ndërtimin e terminalit të parë të LNG në Gjermani, në Wilhelmshaven.

Një tjetër tubacion nënujor Balltik nga Rusia, Nord Stream 2, është ndërtuar, por planet për të pompuar gaz përmes tij tani janë pezulluar për shkak të luftës.

Nëse furnizimet ruse do të ndërpriteshin papritur brenda natës, kjo mund ta çojë Gjermaninë në një recesion të madh, sepse industri të tëra mbështeten në gaz dhe shumica e shtëpive gjermane e përdorin atë për ngrohje.

Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë aktualisht rreth 64% plot.

Ekspertët e industrisë të cituar nga media gjermane thonë se sektori i kimikateve do të goditet më rëndë nga mungesa e gazit. Ai përbën 15% të konsumit të gazit në Gjermani dhe ndërprerja mund të çojë në mungesa të mallrave si plehrat, farmaceutikët, detergjentët dhe kozmetikën.

Familjet gjermane dhe shërbimet kryesore si spitalet do të kenë përparësi për furnizimin me gaz sipas një plani të urgjencës së qeverisë./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›