E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ Putin takohet me nënat e ushtarëve rusë: Ndajmë dhimbjen me ju

“Ne ndajmë dhimbjen tuaj”, kështu u ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin, nënave të ushtarëve rusë që kanë luftuar dhe disa prej të cilëve janë vrarë në Ukrainë.

Në takimin që u mbajt në rezidencën e tij shtetërore pranë Moskës, Putin u shfaq i ulur në një tavolinë të madhe me një grup prej 17 nënash. Disa prej tyre mbanin shami të errëta, një simbol i zisë.

“Dua ta dini se unë personalisht dhe gjithë lidershipi i vendit e ndajmë këtë dhimbje. Asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen e një djali”, tha presidenti rus.

Kremlini nuk i ka komentuar raportet se nënat ishin pro Putinit dhe të zgjedhura me kujdes për takimin. Brenda Rusisë, kundërshtimi ndaj pushtimit të tij në Ukrainë është rritur.

Në të gjithë vendin, nënat e ushtarëve në shërbim janë ankuar hapur se djemtë e tyre po dërgohen në betejë të trajnuar dobët dhe pa armë dhe veshje përkatëse, veçanërisht kur fillon dimri i ftohtë.

Disa kanë akuzuar gjithashtu ushtrinë ruse se i ka shndërruar ata në “mish për top”, pas një vargu humbjesh të rënda ushtarake në muajt e fundit.

Rreth 100,000 ushtarë rusë dhe 100,000 ukrainas janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas gjeneralit më të lartë amerikan, Mark Milley . Në një deklaratë të rrallë, Kremlini tha në shtator se ishin bërë gabime në përpjekjen e tij për të mobilizuar rezervistët e ushtrisë./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›