E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Lufta në Ukrainë/ Rusia boshatis bazat e saj ushtarake nga Krimeja

Rusia ka zbrazur një prej bazave të saj në Krimenë veriore. Duke iu referuar imazheve satelitore tregohet se forcat ruse kanë tërhequr prej rajonit të Khersonit një numër të konsiderueshëm armatimesh.

Imazhet nga sateliti Sentinel 2 i Bashkimit Evropian nga 21 janari 2023 tregojnë gjurmë të pajisjeve ruse. Imazhet Maxar me rezolucion më të lartë nga 11 shkurti 2023 zbulojnë dhjetëra automjete të blinduara, duke përfshirë tanke dhe artileri.

Nuk ishte e qartë pse Moska i kishte zhvendosur pajisjet, por zyrtarët e instaluar nga Rusia në Krime kishin sinjalizuar se prisnin një kundërofensivë ukrainase që mund të shënjestronte gadishullin.

“Mendoj se vendimi për të ndërtuar struktura mbrojtëse në Krime dhe në afrimet drejt gadishullit ishte i saktë dhe i justifikuar”, tha më 11 prill guvernatori i Krimesë i emëruar rus, Sergei Aksyonov.

Imazhet e Maxar nga 11 shkurti deri më 16 shkurt tregojnë një përqendrim të madh të strukturave mbrojtëse pranë Medvedivka, duke përfshirë një rrjet llogoresh dhe barriera betoni antitank në formë pyke të njohura si dhëmbët e dragoit, transmeton CNN. 

“Në përgjithësi, mund të them se forcat tona të armatosura kanë ndërtuar një mbrojtje moderne, thellësisht të niveluar. Kjo nuk do të thotë se ato do të përdoren domosdoshmërisht për qëllimin e tyre të synuar. Duhej të përgatiteshim për çdo skenar”, u shpreh ai.

Ekspertët kanë theksuar se tërheqja e pajisjeve ushtarake ruse nga baza në Medvedivka mund të lidhet me operacionet mbrojtëse përpara një kundërofensivë ukrainase.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›