Lufta në Ukrainë/ Rusia godet me raketa hipersonike Odessën

Tre raketa Kinzhal, raketat e reja hipersonike të Rusisë, goditën qytetin e Odessës në Ukrainë mëngjesin e kësaj të marte. ‘La Republica’ shkruan se janë goditur një hotel dhe një qendër tregtare, ndërsa për momentin nuk dihet nëse ka viktima apo të plagosur.
Raketat hipersonike janë raketa shumë të shpejta dhe konsiderohen më të manovrueshme se raketat konvencionale dhe janë më të afta të shmangin edhe mbrojtjen ajrore.
Ndërkohë, teksa sulmet e ashpra vazhdojnë, OKB bën me dije se lufta Rusi-Ukrainë ka vrarë të paktën 3381 civilë dhe ka lënë të plagosur më shumë se 3680 të tjerëve.
Megjithatë, organizata thekson se shifrat reale janë shumë më të larta, sepse informacionet nga disa vende ku po zhvillohen sulme intensive janë vonuar dhe shumë raporte për viktima civile ende nuk janë konfirmuar./ rtsh.al