E Martë, 3 Nëntor 2026

Lufta ngrin edhe trafikun, Bullgaria ndalon hyrjen e automjeteve me targa ruse

Bullgaria i është bashkuar disa vendeve evropiane me ndalesën e hyrjes së automjeteve private me targa ruse.  

Bullgari ka njoftuar përmes një deklarate në faqen zyrtare të Agjencisë së Doganave se automjeteve me targa ruse me deri në 10 pasagjerë u ndalohet hyrja dhe kalimi transit në vend.

Sipas deklaratës, Agjencia e Doganave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia Kufitare do të jenë përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtij ndalimi të ri, i cili u fut me rekomandimin e Komisionit Evropian dhe u aplikua ndaj Rusisë për shkak të luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës. 

Në njoftim thuhet se të gjitha automjeteve të tjera me targa ruse që ndodhen në Bullgari, u është dhënë 6 muaj afat për t’u larguar nga vendi.

Përjashtim nga ligji i ri bëjnë vetëm makinat që i përkasin misioneve diplomatike ruse. Me vendimin e Bullgarisë, numri i vendeve në Evropë që ndalojnë automjetet me targa ruse u rrit në 8.

Ky ndalim ishte vendosur më parë në Estoni, Letoni, Lituani, Finlandë, Poloni, Gjermani dhe Norvegji, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian (BE), por është e përfshirë në zonën Shengen.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›