E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta turke e religjioneve

Kurdët në Turqi janë të mendimit se partia në pushtet e kryeministrit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan, AKP, po e shfrytëzon religjionin me qëllim që kurdët të binden që të heqin dorë nga beteja e tyre për të drejta shtesë dhe kërkesa për autonomi politike. Këtë dyshim po e forcon edhe lëvizja kundërthënëse Gulen, e cila ka filluar të shtrihet në rajonet kurde.

Në një fjalim të zhvilluar muajin e kaluar, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, foli për problemet e Turqisë me pakicën më të madhe në vend, me kurdët. Ai foli për pandashmërinë e vendit, duke e cilësuar si “një komb, një shtet, një flamur dhe një religjion”.

Erdogan, partia me rrënjë islamike e të cilit, AKP, po e qeveris Turqinë që nga viti 2002, më vonë insistoi se referenca për religjionin ishte bërë pa qëllim, se ai nuk kishte synuar që të përmend religjionin. Por shumë aktivistë kurdë nxorën një përfundim tjetër. Për ta, kjo deklaratë flet qartazi për politikën e pashprehur të AKP-së për të shfrytëzuar islamin, me qëllim që kurdët të bindën që të heqin dorë nga beteja e tyre për të drejta shtesë dhe për autonomi politike.

Së fundi, një arsye tjetër për këtë dyshim ishte lëvizja Gulen, grup ky kundërthënës religjioz, për të cilin dyshohet se ushtron ndikim në qeverinë turke, në komunitetin e biznesit dhe në medie (Grupi ka marrë emrin nga Fethullah Gulen, një klerik islamik, i cili jeton në Pennsylvani, SHBA).

Nacionalistët kurdë dyshojnë se ky grup është pjesë e strategjisë së qeverisë për të paqësuar dhe asimiluar kurdët.

“Dikush vjen këtu dhe tenton t’ia mësojë njerëzve tonë religjionin”, pat theksuar në vitin 2010 Ahmet Turk, një politikan i njohur kurd.

“Dhe ata thonë në emër të islamit, ‘Po, na lejoni të forcojmë besimin tuaj, por duhet të harroni identitetin tuaj’”, thotë Vahap Coskun, asistent në Universitetin Dicle, në Dijarbakir. “Së bashku, Gulenistët dhe qeveria po e shfrytëzojnë religjionin, për të realizuar synimin që e kanë në kokë-për të krijuar unitetin e vendit”, shtoi ai.

Lëvizja Gulen publikisht i shmanget politikës. Synimi kryesor i kësaj lëvizje në pjesët juglindore të Turqisë, me popullatë shumicë kurde, është që të përqendrohet në çështjen e injoruara gjatë: edukimin.

Për kurdët në këtë rajon, qasja në shkolla kualitative gjithmonë ka qenë e mangët. Konflikti 30 vjeçar mes kryengritësve kurdë dhe ushtrisë turke vetëm sa ka përkeqësuar gjërat. Gulenistët-të cilët udhëheqin disa prej shkollave më të mira në vend-kanë arritur mjaft sukses, në përpjekjet për të eliminuar disa nga gabimet e qeverisë. Siç deklaroi një komentator kurdë në një prej gazetave më të mëdha në Turqi, i cili edhe vetë ka diplomuar në një shkollë të Gulenit:”Pjesa më e madhe e kurdëve nga juglindja, të cilët jetojnë në Stamboll dhe janë të suksesshëm, ka gjasa që në një moment të kenë kaluar nëpër sistemin e Gulenit”.

Në Dijarbakir, në qytetin më të madh kurd në juglindje, u takuam me Ali Pehlivanin, drejtorin e njërës prej 57 shkollave private në rajon, të cilat drejtohen nga lëvizja Gulen. Pehlivan është i mbushur me krenari. Shkolla e tij është rreshtuar e 73-ta në mesin e 18 mijë shkollave fillore në Turqi. Është kjo hera e parë që një shkollë nga Dijarbakiri arrin të plasohet në mesin e 100 shkollave më të suksesshme në vend.

Përkundër gjithë suksesit, disa nga shkollat nuk ju pëlqejnë fare kurdëve, pasi që disa prej tyre janë sulmuar edhe me bomba.

Pjesa më e madhe e vëzhguesve janë të sigurt se këto sulme janë vepër e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), grup ky militant. PKK e konsideron vetën si organizatë që lufton për të drejtat e kurdëve dhe po zhvillon një luftë kundër ushtrisë turke që nga viti 1984. Deri me tani, si pasojë e këtij konflikti kanë vdekur mbi 40 mijë njerëz.

I kontaktuar me telefon, zëdhënësi i PKK-së, Roj Velat, mohoi përgjegjësinë e kësaj organizate për këto sulme. Megjithatë, ai theksoi se lëvizja Gulen dhe institucionet e saj janë shënjestra legjitime.

Deklaratat e Fethullah Gulenit për PKK-në kanë ndihmuar shumë pak për të ulur tendosjet mes grupit të tij dhe militantëve kurdë. Në një fjalim të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, Gullen përqeshi ushtrinë turke, duke theksuar se “ajo nuk po është në gjendje të çrrënjosë një grup të banditëve, të cilët për 30 vjet kanë operuar në male”.

Megjithatë, akuzat me të rënda në adresë të lëvizjes Gulen nuk kanë të bëjnë me retorikën e liderit të tyre. Që nga viti 2009, si rezultat i operacioneve të policisë turke janë arrestuar me mijëra kurdë.

Shumë kurdë janë të mendimit se këto aksione janë nxitur nga gulenistët, të cilët veprojnë brenda policisë dhe sistemit të drejtësisë.

Ajo që është ironike, disa individë gulenistë kanë qasje më akomoduese kundrejt kurdëve, se sa qeveria turke. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›