Lufte mes agjencive sekrete ruse
Dy nga agjencitë më të mëdha të shërbimeve sekrete në Rusi janë në luftë me njëra-tjetrën, ndërsa ndodhen në mesin e një procesi që synon shkrirjen e tyre në një agjenci të vetme sipas modelit të KGB-së së epokës sovjetike. Sipas ekspertëve rusë, shërbimi i brendshëm inteligjent, FSB është duke u përpjekur që të shkrijë brenda vetes shërbimin e jashtëm SVR, në mënyrë që të risjellë në jetë sërish KGB-në, krijesën famëkeqe të viteve të komunizmit. Sigurisht që gjithçka do të jetë si më parë, me përjashtim të emrit. Mbështetësit e planit janë duke u përpjekur që të nxjerrin në pah të gjitha dështimet e shërbimit të jashtëm në periudhën pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Një prej këtyre dështimeve, sipas FSB, është depërtimi i dhjetë “agjentëve të fjetur” nga Shtetet e Bashkuara gjatë verës që shkoi. FSB e përdor këtë argument për të treguar dështimin e këtij shërbimi. Sipas një specialisti të çështjeve ruse të shërbimeve sekrete, pikërisht kjo ngjarje u përdor nga FSB-ja si pikënisje për fushatën e saj të unifikimit të agjencive. FSB akuzohet se në mënyrë të qëllimshme i ka dhënë medias detaje të këtij dështimi, ndërkohë që oficerët e saj kanë nisur një fushatë kritike ndaj kolegëve të shërbimit të jashtëm. “Qëllimi i dhënies së informacioneve për median është përshpejtimi i një vendimi për riorganizimin e SVR-së. Bëhet fjalë ose për një shkrirje të shërbimit të jashtëm me FSB-në, ose një zëvendësim të krerëve të shërbimit të jashtëm me njerëz që i janë besnikë pushtetit”. Një shkrirje e këtyre dy shërbimeve do të ishte një hap i madh drejt ringjalljes së KGB-së. Jelcini, në vitin 1990, i ndau të dyja shërbimet në dy agjenci më vete, kryesisht për të pakësuar pushtetin e madh të KGB-së. Putin mendohet se është në mbështetje të variantit të shkrirjes së dy agjencive. Sipas analistëve, armiqësia e tij me SVR-në është e gjatë dhe e njohur mirë në qarqe të caktuara. Putin ka qenë kryetar i FSB-së në vitet 1998-‘99.