Karishik Te shpetojme Elbasanin
Esad Karishik prezantohet zyrtarisht si trajneri i ri i Elbasanit. Boshnjaku ka marrë drejtimin e skuadrës, vetëm pak orë pasi presidenti Arben Laze shkarkoi Krenar Alimehmetin, ndërsa ka bërë të ditur se objektivi është që të shmanget rënia e verdhebluve nga kategoria. Aktualisht, Elbasani renditet në vendin e fundit në Kategorinë Superiore, me 9 pikë në 16 ndeshje. Në daljen përpara mediave, në praninë e Lazes dhe ortakut të tij Cërraga, Karishik deklaroi: “Pranova ofertën e Elbasanit, pasi drejtuesit e ekipit më dhanë garanci për gjendjen financiare, por edhe se do të realizojmë blerje të reja. Synimi është që të shmangim rënien. E njoh mjaft mirë kampionatin shqiptar pasi kam punuar dy sezone me Apoloninë dhe nuk u mendova dy herë për të pranuar pasi mora ofertën nga presidenti Laze”. Më tej, tekniku shtoi: “Një pjesë të lojtarëve e njoh, por prej rifillimit të stërvitjes më 4 janar do vendosim cilët do të qëndrojnë. Për sa i takon përforcimeve, merkaton do ta orientojmë te lojtarët ballkanas”.