E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftërat e Xhon MekKein

Kjo është padyshim e vërtetë mes atyre që përjetuan personalisht luftën e Vietnamin, një grupi që përbëhet nga katër senatorë mes të cilëve edhe kandidati republikan për President të SHBA-së, Xhon MekKein dhe ish-kandidati demokrat Xhon Kerri. Këta burra kanë mes tyre një lidhje të patjetërsueshme dhe me kalimin e viteve, në njëfarë mënyre, kanë krijuar një parti më vete. Atyre që janë jashtë këtij realiteti, këta senatorë u japin përshtypjen se në të ritë e tyre kanë parë e përjetuar gjëra që i kanë pajisur me një tjetër perspektivë politike. Ata duket se nuk kanë dyshim për gjërat më të rëndësishme në jetë dhe për faktin se të humbasësh një kandidim nuk është fundi i botës. Bindjet e tyre shkojnë përtej çështjeve ushtarake. Megjithatë, Iraku i vuri në provë disa nga këto miqësi lufte. Vitin e kaluar, pas votës së demokratëve për përcaktimin e një axhende për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, dy senatorë veteranë të luftës, MekKein dhe Webb, një tjetër senator veteran i Vietnamit, u përfshinë në një mosmarrëveshje publike që ra shumë në sy. MekKein tha se pas kësaj vote armiku në Irak po festonte së bashku me demokratët amerikanë, ndërkohë që Webb e akuzoi MekKeinin se nxitonte kur vinte me pa të drejtë në dyshim patriotizmin e të tjerëve. Për sa i përket MekKeinit, ai ka qenë gjithmonë për një qëndrim të zgjatur të trupave si në Afganistan, ashtu edhe në Irak. Ai është i vetmi ndër shokët e vjetër të luftës në Vietnam që vazhdon të mbështesë sulmin në Irak. Një prej tyre madje, senatori veteran Hagel, në një libër të tijin e konsideron ndërmarrjen në Irak "katrahurën më të madhe dhe më të kushtueshme të politikës së jashtme amerikane në tërë historinë e kombit". Miqtë e kandidatit, që tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre ndaj Irakut, janë shumë të matur në deklaratat ndaj MekKeinit, i cili në Vietnam u shqua edhe për një qëndrim heroik gjatë kohës që kaloi në burgun e Hanoit. Megjithatë, ndryshe nga senatorët e tjerë veteranë, ai nuk pati shumë përvojë të drejtpërdrejtë me betejat dhe luftën dhe ndoshta kjo, deri diku, shpjegon qëndrimin e tij të ndryshëm nga të tjerët që u ndeshën me vietnamezët trup me trup. Pozicioni aktual i MekKeinit nuk ka qenë gjithmonë i njëjti. Gjatë fundit të viteve ‘80 dhe fillimit të viteve ‘90, pasi hyri në Senat, ishte një ndër kundërshtarët më të zjarrtë të ndërhyrjes së amerikanëve në territoret e huaja, veçanërisht kur bëhej fjalë për humbje të mëdha njerëzore. Por pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ndërsa politika e jashtme amerikane po e poziciononte veten në rolin e një vendi me përgjegjësi më të mëdha për atë që ndodhte në botë, senatori duket se rimendoi veprimet dhe qëndrimet e deriatëhershme, duke u përpjekur që të gjente një balancë mes trashëgimisë së Vietnamit dhe nevojës që kishin për zgjidhje krizat e reja të hapura në pika të ndryshme të globit. Pikërisht ky ripozicionim e çoi në mendimin që ai ka pasur dhe ka për Irakun.

Kur kapiteni MekKein u kthye në shtëpi nga Hanoi në vitin 1973, atij iu dha mundësia që të studionte në kolegjin prestigjioz kombëtar të luftës. MekKein, pas një burgu të gjatë, kishte nevojë të kuptonte se çfarë kishte ndodhur realisht gjatë kohës që kishte qenë larg fakteve e ngjarjeve. Pavarësisht asaj çka mësoi, MekKein mbeti partizan i mendimit se një strategji ndryshe mund t‘u kishte dhënë amerikanëve një fitore në Vietnam. Gjatë përvojës së tij politike, MekKein pati edhe raste kur e kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake. I tillë ishte propozimi i ish-presidentit të atëhershëm, Regan, për shtimin e numrit të trupave amerikane në Bejrut. MekKein ishte një nga 27 republikanët që ishin kundër propozimit, pasi sipas tyre ushtarët nuk kishin një mision të qartë. Ndërkohë, ai u bë mbështetës i zjarrtë i operacioneve e ndërhyrjeve të tjera ushtarake të tilla si ajo e pushtimit të Granatës në vitin 1983, si dhe lufta e parë e Gjirit. Megjithatë, periudha e mandatit të tij të parë në Senat, që nisi në vitin 1987, karakterizohet nga një përkujdesje e madhe në ndërmarrjen e vendimeve për luftën apo paqen.

Kritizerët e MekKeinit e përmendin shumë shpesh këtë fazë të parë të karrierës së tij si senator, për të vënë në dukje ndryshimin drastik që pësoi, qëndrim që vazhdon ta mbajë edhe sot. Është një ndryshim në radhë të parë filozofik, i ndikuar pa dyshim nga mentaliteti agresiv e luftarak i një pjese të administratës së Bushit, gjatë tetë viteve të tij në pushtet. Në një libër që pritet të publikohet në Shtetet e Bashkuara javët në vijim, të quajtur "Amerika mes luftërave", me autorë dy ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare gjatë periudhës së administratës së Klintonit. Periudha ndërmjet Luftës së Ftohtë dhe luftës kundër terrorizmit, pra ajo e viteve ‘90, ishte një dhjetëvjeçar kur mendimtarët ideologjikë të të gjithë spektrit po hamendësonin dhe ecnin kuturu në errësirë, duke u përpjekur që të përcaktonin kufirin e pushtetit të Amerikës dhe të vinin në balancë si rrezikun që vinte nga mungesa e ndërmarrjes së veprimeve, edhe atë që vinte nga e kundërta. Gjatë asaj periudhe, Shtetet e Bashkuara kaluan disa kriza, duke ndërmarrë ndërhyrje ushtarake në një periudhë thuajse një herë në çdo 18 muaj. Aleancat e vjetra ideologjike në Uashington u shpërbënë dhe u reformuan, ndërkohë që pacifistët u rreshtuan në një linjë me izolacionistët konservatorë në betejën kundër neokonservatorëve dhe "skifterëve" liberalë. Në fjalorin e Amerikës hynë terma të reja të tilla si: "shtet i dështuar", "ndërhyrje humanitare", "spastrim etnik". Pikërisht në këtë periudhë duket se ka ndryshuar edhe mendimi dhe filozofia e deriatëhershme e MekKeinit. Gjatë luftës së Ftohtë justifikimet e një ndërhyrjeje ushtarake ndërtoheshin rreth përgjigjes së disa pyetjeve shumë të drejtpërdrejta: A u duhej me të vërtetë forcave amerikane që të ndalonin përhapjen e ideologjisë sovjetike, dhe nëse po, cila do të ishte kostoja njerëzore e një ndërmarrjeje të tillë? Kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989, ky lloj modelimi u shpërbë brenda natës. Lufta e gjatë kishte marrë fund dhe tani më në fund Amerika mund të përqendrohej në mbrojtjen e kufijve të saj, duke vënë në përdorim teknologji të tilla si raketat mbrojtëse në vend të dërgimit të njerëzve, pra ushtarëve, në vende të largëta e në rolin e "policit botëror". Në këtë periudhë vjen ndryshimi i MekKeinit, i cili nuk ishte dakord me një qëndrim të tillë të ri të Amerikës. Për të, si dhe për të tjerë persona të dyzuar, Bosnja do të ishte rasti për të kaluar në filozofinë e re. Në qershor të vitit 1995, pas vitesh të tëra debatesh në Washington, në lidhje me taktikën që duhej zgjedhur për të ndaluar forcat serbe nga spastrimi etnik që po u bënin myslimanëve të Bosnjës, serbët morën qytetin e Srebrenicës dhe në sy të paqeruajtësve holandezë kryen një nga masakrat më të mëdha të shekullit të kaluar në kontinentin evropian. Srebrenica, që vinte jo shumë kohë pas vrasjeve e gjenocidit të Ruandës, i përfshiu edhe njëherë moralisht politikanët amerikanë, veçanërisht ata që si MekKein vite më parë kishin qenë kundër një ndërhyrjeje të armatosur të amerikanëve në tokë të huaj. NATO reagoi me një seri bombardimesh kundër serbëve të Bosnjës, të cilët më në fund i bënë preson Presidentit serb që të negocionte për kushtet e paqes. Klinton në atë moment i bëri thirrje Kongresit që të miratonte dënimin e 20 mijë trupave amerikane që do të mbikëqyrnin zbatimin e marrëveshjes. Pikërisht në këtë moment edhe MekKein ndryshon qëndrim dhe bëhet pro dërgimit të trupave në Bosnjë. Kjo ishte një pikë kthese jo vetëm për MekKeinin, por për gjithë qëndrimin e deriatëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërhyrja në Bosnjë ishte një ndryshim rrënjësor për shumë njerëz. Më pas vijnë mbështetjet e tij për bombardimet në Sudan dhe Afganistan, si dhe Irak, ku Sadam Huseini po u krijonte probleme inspektorëve të armëve. Gjatë fushatës elektorale presidenciale të vitit 2000, MekKein, kandidat i republikanëve, premtoi për një prezencë më të madhe ushtarake të amerikanëve në krizat e planetit, ndërkohë që kundërshtari i tij brenda partisë, Bush, ishte për një përqendrim më të madh në çështjet brenda vendit dhe për një politikë të jashtme më modeste. Ambicia e MekKeinit për një Amerikë të fortë e renditi atë pranë ideologjisë neokonservatore që ushqeu dhe realizoi sulmet jashtë Amerikës, pas 11 shtatorit të vitit 2001. Këta të fundit ishin të fuqishëm gjatë periudhës së presidencës së Ronald Reganit, por nën presidencën e Klintonit ishin të lënë mënjanë. E gjatë këtyre viteve, ata, së bashku me MekKein, po formulonin pak nga pak idenë e rrëzimit të Sadam Huseinit. Në vitin 1998, MekKein ishte një nga mbështetësit e Ligjit për Çlirimin e Irakut, i cili zyrtarisht ndryshoi politikën amerikane në armiqësore ndaj Sadamit e regjimit të tij dhe madje ai u bë një figurë kyçe në Komitetin për Lirinë e Irakut, një grup lobistësh i themeluar nga Randy Scheunemann, aktualisht këshilltar i MekKeinit për politikën e jashtme. Pas sulmeve terroriste të vitit 2001 dhe shpalljes së Al Kaedës si një rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, MekKein ishte i bindur që Iraku përbënte një rrezik, duke qenë se kishte armë të shkatërrimit në masë. Në deklaratat e para të sulmit nuk kishte më gjurmë të standardeve me të cilat ai dikur vlerësonte dhe peshonte ndërmarrjen ose jo të një sulmi të amerikanëve jashtë tokës së tyre: pra nëse ia vlente dhe sa do të ishte kostoja njerëzore. Në fakt, Iraku doli më keq, shumë më keq se turpi i Vietnamit. Për MekKeinin, Sadami ishte një "Hitler" dhe çlirimi i Irakut do të mbahej mend siç mbahet mend çlirimi i Evropës nga nazistët, apo ai i Japonisë. Gjatë periudhës zgjedhore, edhe pse energjik si gjithmonë, njeriu që u mbijetoi torturave sadiste të vietkongëve dhe së fundmi arriti që t‘i mbijetojë edhe një kanceri të lëkurës, i tregon plotësisht 71 vitet e moshës së tij. Fytyra e tij është ashpërsuar, në lëkurë ka kratere të theksuara shenjash sëmundjeje, vështrimin e ka më të shqetësuar. Teksa e sheh, mund ta marrësh me mend fare mirë se kjo pamje është produkt i tetë viteve të tij të fundit në politikë, të cilat i shpenzoi me politikanët e ashpër republikanë, ata të eturit për luftë, të cilët personalisht nuk do t‘i kishte pëlqyer kurrë, duke toleruar leksionet e tyre agresive e duke tentuar të vetëpërmbahej, ndryshe nga sa do të kishte reaguar në kushte të tjera me temperamentin kundërshtues që ka. Me sa duket, shtypja që i ka bërë vetes pati kostot e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›