Romët, Bashkimi Evropian kundër Italisë
Komisioni Evropian "dënon ashpërsisht çdo lloj dhune kundrejt romëve". Ky qëndrim është shprehur nga komisioneri i BE-së për punësimin, Vladimir Spidla, gjatë debatit mbi gjendjen e romëve në Itali dhe në Evropë, të zhvilluar dje në Parlamentin Evropian. Ai nënvizoi gjithashtu, se shtetet anëtare të BE-së duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve që gjenden në territorin e tyre. Debati në Parlamentin Evropian u iniciua pas situatës së tensionuar të kohëve të fundit në Itali, ku në kuadër të ashpërsimit të ligjeve për emigracionin, janë shënuar edhe akte dhune kundër romëve. Ka qenë lideri i socialistëve evropianë, Martin Schultz, ai që ka kërkuar përfshirjen në rendin e ditës së punimeve të asamblesë edhe diskutimin e çështjes së romëve në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës. Ky i fundit, në të shkuarën ishte konfrontuar në sallën e Parlamentit Evropian, me Silvio Berluskonin, i cili shkoi deri atje sa e quajti atë "kapo", duke e krahasuar me rojat e kampeve naziste. Që javën e kaluar pati një konfrontim mes Italisë dhe Spanjës në lidhje me planet e Romës për të forcuar politikat e saj të emigracionit, si pjesë e një përpjekjeje për të zbutur tensionet në rritje mes italianëve dhe emigrantëve nga Rumania. Franko Fratini, ministri i Jashtëm italian dhe ish-komisioneri evropian për emigrimin, është ankuar në lidhje me komentet mbi çështjet italiane të bëra nga disa politikanë në Madrid, duke theksuar: "Sinqerisht, është koha për të ndaluar këto ndërhyrje të pavenda". "Deklaratat nga ministrat që interferojnë me aktivitetet e një qeverie të zgjedhur nga qytetarët italianë, nuk janë të pranueshme, veçanërisht në fusha si emigracioni, që ka nevojë për bashkëpunim më të ngushtë mes Spanjës dhe Italisë", tha Fratini. Ai reagoi ndaj deklaratave të bëra më herët nga zëvendëskryeministrja spanjolle, Maria Tereza Fernandez de la Vega, që kishte thënë se "ekzekutivi spanjoll refuzon dhunën, racizmin dhe ksenofobinë ndaj edhe nuk mund të bjerë dakord me atë që po ndodh në Itali". Edhe disa ministra të tjerë të kabinetit "Zapatero", i hodhën benzinë zjarrit gjatë fundjavës dhe sekretari spanjoll për punën dhe emigracionin, Kormako Çelestino, tha se Silvio Berluskoni po tenton të kriminalizojë të gjithë ata persona që janë të ndryshëm. Deklaratat erdhën menjëherë pas sulmeve të javës së shkuar mbi komunitetet rome në Itali, gjatë të cilëve, banorët e Napolit i vunë zjarrin edhe një kampi endacakësh romë dhe i detyruan ata të largoheshin. Ky veprim erdhi pas lajmit se një vajzë rome, kishte tentuar të rrëmbente një foshnjë. Kjo çështje, ishte edhe tema dominuese e fushatës elektorale që i parapriu fitores së liderit të qendrës së djathtë, Silvio Berluskoni, i cili i dha detyrën e ministrit të Brendshëm, Roberto Maronit, një anëtari të Ligës së Veriut, formacion ky i njohur për qëndrimet e antiemigrantëve. "Është koha të ndërhyjmë me forcë dhe të evitojmë episode dhune të pajustifikueshme si ato që po shohim në Napoli", tha Maroni duke reaguar pas incidentit e më pas sugjeroi se nevojiteshin masa të rrepta për të luftuar emergjencën e sigurisë që është shfaqur në vend. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Pietro Petruçi, tha se Italia momentalisht nuk ka dhunuar ligjet e komunitetit, por tërhoqi vëmendjen se duhen respektuar lëvizja e lirë e njerëzve dhe ekzekutivi i BE-së po ndjek nga afër situatën. I njëjti debat, që gjithashtu pasoi sulme të dhunshme kundër komuniteteve rome në Itali dhe kritikat në Rumani në lidhje me metodat me të cilat Roma u përball me problemin, është zhvilluar edhe vjeshtën e shkuar. Në nëntor, ligjvënësit evropianë miratuan një rezolutë në të cilën sugjerohej se një rrjet organizatash duhej të merreshin me problemet sociale të romëve, si edhe të promovonin të drejtat e tyre. Për më tepër, Kryeministri i atëhershëm i Italisë, lideri i qendrës së majtë, Romano Prodi, dhe homologu i tij rumun, Calin Popescu-Tariceanu, i kishin kërkuar Komisionit Evropian të ndihmonte vendet e BE-së në integrimin e qytetarëve të shteteve të tjera, veçanërisht atyre me origjinë rome. Brukseli ishte përgjigjur duke thënë se një numër iniciativash në lidhje me romët, ishin duke u zbatuar. Dje, ekzekutivit të BE-së dhe Presidencës Sllovene, iu parashtrua e njëjta kërkesë.