E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajzat, në kërkim të burrit të ardhshëm…

Jonida dhe Najada i kanë vënë veshin supersticioneve, që thonë se nëse venë mjete metalike poshtë jastëkut, natën e hënës së plotë, femrat do të shohin në ëndërr burrin e ardhshëm. E pabesueshme por e vërtetë! Janë çunat që diskutojnë këtë bisedë, pasi i kanë parë gocat duke futur gjëra kuzhine nën jastëk. Olsi dhe Poli tallen shumë me këtë gjë, sikur ato të dyja ishin gati të merrnin lavatriçe e lavaman e t‘i fusnin poshtë jastëkut, që të shihnin në ëndërr burrat e tyre të ardhshëm. Vetë gocat deri tani nuk janë prononcuar për ëndrrat që kanë parë.

Nuk funksionoi
Metoda e çuditshme e vajzave për të parë burrin e ardhshëm në ëndrra, nuk eci. Jonida është me Najadën dhe Arbrin në kopsht dhe e pyet Arbrin se ç‘e deshi gërshërën që në mëngjes që e zgjoi nga gjumi. Arbri i përgjigjet me një gjëegjëzë, pastaj e pyet nëse i doli burri në ëndërr. Jonida ia pret shkurt se nuk i duhet gjë atij dhe të mos shqetësohet.
Arbri i përgjigjet se nuk ishte i shqetësuar.

Zënka mes miqsh
Banorët e mbetur në shtëpi janë aq të afërt, sa çdo debat i prek në ndjenjat më të brishta. Janë dy miqtë, Astriti dhe Olsi që kanë një acarim, lindur nga diskutimi për rregullat e lojës së imitimeve, që përfundon në një përplasje karakteresh.
Astriti nxehet kur e kundërshtojnë dhe sidomos e merr seriozisht lojën dhe çdo batutë që bëjnë të tjerët, ndërsa banorët e tjerë janë më fleksibël dhe jo aq seriozë, kur vjen puna te loja.
Është Olsi që i thotë Astritit se batutat e të tjerëve ai nuk i duron dot, ndërsa për vete përdor fjalë dhe epitete që shumë kollaj mund të merren si ofendime. Astriti i thotë që Olsi vetëm qesh dhe nuk merr asgjë seriozisht. Astriti i thotë Olsit se ai e tall për çdo gjë, diçka që ai s‘e toleron dot.
Shkëmbimi i fjalëve mes tyre bëhet një moment i ashpër dhe Olsi e Astriti i bërtasin njëri-tjetrit.
Poli mundohet të sqarojë Astritin, duke i shpjeguar edhe një herë pozicionin e skuadrës së tij dhe Olsit.
Në fund, Astriti mërzitet edhe shkon të shtrihet i vetëm në dhomë, duke iu larguar të tjerëve që vazhdojnë të luajnë me imitime.
Më vonë, Olsi dhe Poli shkojnë tek Astriti dhe e hapin bisedën sërish. Olsi i thotë se edhe pse qeshin, ata nuk e tallin Astritin. Olsit i vjen shumë keq që Astriti e ka keqkuptuar të qeshurën e tij.
Në sallon, mbeten Najada, Arbri dhe Jonida, të cilët po dëgjojnë nga dhoma debatin e Olsit, Polit dhe Astritit. Najada u thotë të tjerëve se sa herë ka pasur debate në shtëpi ajo i ka përgjuar si spiune, kurse Jonida thotë se asaj asnjëherë s‘i ka interesuar të bëjë diçka të tillë.
Biseda i tërheq edhe tre banorët e mbetur në sallon dhe të gjithë shkojnë te çunat. Astritit mundohen të gjithë t‘ia mbushin mendjen se ata nuk kanë asgjë kundra Astritit dhe se nuk e tallin. Astriti thotë se nuk e duroi dot, edhe për faktin se ai sot ishte pak i mërzitur.
Kësaj radhe, asgjë nuk mbetet peng mes banorëve dhe kjo shkaktuar nga afrimiteti dhe ndjenjat miqësore që ata kanë krijuar për njeri-tjetrin. Askujt tashmë në shtëpinë e "Big Brother" nuk i pëlqen të ketë konflikte ose të shkaktojë ngjarje që dikush prej banorëve të ndihet keq. Ata kanë vendosur të sillen si miq të vërtetë.

Ndjesi e çuditshme

Astriti flet me Najadën, ngacmuar nga ndjesitë e çuditshme gjatë natës së djeshme që e bënë nervoz dhe shkaktuan një zënie me Olsin.
Astriti nuk ndihej mirë shpirtërisht dhe e qeshura e shkujdesur e Olsit e bëri çështjen më të madhe sesa ishte.
Ai ka rast të flasë pak për këto ndjenja të çuditshme me Najadën. Ajo i thotë se e kanë prej kohës së gjatë mbyllur brenda shtëpisë dhe presionit të spektaklit, por i siguron atij se do ta kalojnë me sukses.
Astriti i tregon se as në fillim nuk është mërzitur kaq shumë. Najada i tregon se më parë edhe e hidhje ditën me ndonjë bisedë, kurse tani mundësitë janë ngushtuar shumë, jo vetëm sepse janë më pak, por edhe sepse njihen.
Najada i thotë se duhet ta heqë mendjen dhe ta largojë mërzinë.
Më në fund, Astritit i kthehet pak buzëqeshja.

Të ndryshme

Arbri, Poli flasin për edicionin e dytë të "Big Brother". Ata janë të bindur se konkurrenca do të jetë shumë më e madhe se ky i pari. Madje ata mendojnë se gjithë viti do t‘u duhet organizatorëve që të bëjnë një audicion masiv në të gjithë Shqipërinë. Najada i thotë Arbrit se në fillim ai ishte shumë i sjellshëm dhe i papërtueshëm, por tani ka rënë fare. Ajo i thotë se tani ai nuk është aq i ndjeshëm sa më përpara dhe jep shembullin se nuk i bën më masazhe. Poli dhe Astriti qeshin me këto që i thotë Nada, Arbrit. Astriti flet për tregtinë që bën vetë, si një nga burimet kryesore të fitimit për familjen e tij. Ai u thotë të tjerëve se kjo është një punë që të jep shumë përfitime dhe thotë një shprehje tipike nga të vetat "tregtia të zbardh faqen, por edhe prapanicën". Ai u tregon të tjerëve për mallrat që ai shet, si bizhuteri të ndryshme dhe aksesorë për femra. Astriti u thotë të tjerëve që te lokali i vet rri më shumë me njerëz të mëdhenj për moshën e tij, pasi ai nuk i duron dot kalamanllëqet. Ai e pranon që është gjaknxehtë dhe se nuk mund të rrijë me moshatarët e vet që bëjnë shumë gjëra të papjekura. Gjithsesi, ai thotë se nuk ka asgjë personale kundra tyre, vetëm se nuk i përshtaten në karakter.

Të shqetësuar për Jonidën
Jonida ka fjetur sot deri vonë dhe të tjerët shqetësohen për të. Najada shkon ta kërkojë në dhomë, ndërsa Jonida është zgjuar edhe po bën dush. Najada shkon në tualet edhe e pyet nëse ndihet mirë. Ajo i përgjigjet se ndihet e këputur. Më vonë në tualet shkon edhe Arbri për të pyetur Jonidën se si ndihet dhe ajo tregohet pak indiferente, ndoshta sepse nuk ndihet shumë e fuqishme. Arbri i lutet që Jonida të bëjë sot një supë se kanë nevojë për lëng dhe ajo pranon.

Astriti s‘e pëlqen shoqërinë e Najadës
Astriti e ndjek Najadën në tualet për të parë se si është Jonida. Pasi merren vesh, Najada i thotë Titit se ajo do të shkojë te lokali i tij që të njohë shoqërinë e Titit. Ai i thotë se ajo lejohet vetëm të vijë me Olsin, kurse të vijë me shoqërinë e vet, kjo nuk është e mundur. Madje, ai i thotë se as shoqëria e Olsit nuk lejohet të shkojë te lokali i Titit. Ai duket sikur nuk u beson as Olsit as Najadës, për shoqëritë e tyre.
Najada del nga banja duke thënë me vete "Eh mo Tit, mo Tit..."



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›